Kusari-Lila diagnostikohet me kancer të gjirit

Shefja e GP të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar se është diagnostikohet me kancer të gjirit.

Ajo tha se 3 javë më parë, gjatë një kontrolli rutinë të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit”…dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare, vendosëm për operacion dhe trajtim”, ka shkruar ajo.

Detektimi i hershëm shpëton jetë! Të dashura mike dhe miq,

Dua të ndaj një lajm me ju. Sot dola nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës – Klinika e Kirurgjisë Torakale pas operimit të kancerit të gjirit.

Tri javë më parë, gjatë një kontrolli rutinë të cilin e bëj çdo vit, u diagnostikova me kancer të gjirit dhe pas rekomandimeve të mjekëve në Klinikën Universitare…, vendosëm për operacion dhe trajtim.

Për të gjitha vajzat dhe gratë që nuk kanë bërë ekzaminimin e gjirit gjatë muajit tetor të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, JU LUTEM ta bëni sa më parë. Kontrolli rutinor mund të realizohet në qendrat e mjekësisë familjare, në spitalet rajonale dhe në të gjitha vendet ku ofrohet mamografia.

Detektimi i hershëm shpëton jetë, ndërsa vonesat për zbulimin dhe identifikimin e hershëm mund të sjellin pasoja shumë më të rënda.

Fatmirësisht, unë e zbulova në një fazë të hershme dhe trajtimi është shumë më i lehtë sesa në fazat e avancuara.

Një falënderim i veçantë për radiologen dr. Shkëndije Nuza, kirurgun torakal dr. Avni Behluli, drejtorin e Klinikës Torakale dr. Nazmi Kolgeci, anesteziologen dr. Medita Hashimi, motrës/infermiere Sadbere si edhe infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës të Klinikës Torakale në Prishtinë.
Angazhimi dhe përkushtimi i tyre ishte profesional dhe shumë njerëzor.

Ju faleminderit të gjithëve për mesazhet tuaja inkurajuese dhe mbështetjen tuaj.

Shëndet e dashuri për të gjithë ju

Dimal Basha tallet me ushtarët e KFOR-it tek Ura e Ibrit: Le të bëjnë sallta mbi urë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thënë se është e paarsyeshme që KFOR-i po vazhdon që të ruaj Urën e Ibrit.

Basha tha se kjo urë më herët është ruajtur nga organizatat terroriste dhe sipas tij, tani nuk ekziston asnjë arsyeje që ta qëndrojnë aty- pasi ura është e sigurt.

Duke iu referuar ushtrimeve ai tha se karabinierët mund të bëjnë edhe “sallta” mbi urë, por që ura është dashur të hapët. Por ai thotë se Qeveria nuk mund të luftojë me KFOR-in.

“Mendoj që është e paarsyeshme edhe për ata që e ruajnë Urën e Ibrit… Ura është në mes dy anët e Mitrovicës është e sigurt, njerëzit qarkullojnë e ata e ruajnë, pra prej kujt?…Me herët është ruajtur nga organizatat terroriste, tash nuk ka më Brigada të Veriut, e tash mi vet ushtarët e KFOR-it se çfarë jeni duke bërë këtu, thonë na kanë thënë. Gjynah…në rregull është ata edhe le të bëjnë sallta mbi urë, unë nuk jam duke thënë mos me bë… Ura është siguru,por na nuk mundemi me hi me luftu me KFOR bre. Normal që do te ketë koordinim. Mirë është ju me i thirre ndërkombëtarët dhe me ju thënë se pse po bëjnë sallta mbi urë, kur ajo është e sigurt”, ka deklaruar ai në Tëvë 1.

Ndryshe, në muajin prill Kuvendi i Komunës së Mitrovicës së Veriut ka marrë vendim për hapjen e urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve.

Qeveria e Kosovës kishte nisur përgatitjet  për hapjen e urës së Ibrit, por kjo kishte ngjallë reagime të mëdha nga vendet e BE-së dhe ShBA.

Barrikadat e para në këtë urë janë vënë në vitin 2011 nga ana e serbëve lokalë.

Hapja e urës kryesore për trafik është paraparë edhe me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, në kuadër të të ashtuquajturit “rivitalizim i urës”. Kjo marrëveshje është arritur nga Kosova dhe Serbia në vitin 2014, me qëllim heqjen e barrikadave dhe funksionalizimin e urës.

Limaj për ministrat e Kurtit: Krejt bashkë s’kanë bërë punë sa kam bërë unë për dy vjet e gjysmë

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka kritikuar punën e ministrave të Qeverisë Kurti për mos punë.

Ai është shprehur se për dy vjet e gjysmë ka bërë punë më shumë se të gjithë ministrat e Qeverisë Kurti.

“Mua më vjen keq sot se nuk duhej të ishin të krahasueshme, 12 vjet pas, nuk krahasohet puna e para 12 viteve me sot, sepse rrethanat kanë qenë tjera.Dhe me ardhë puna pas 12 vitesh që të të them “vendosmi krejt ministrat e qeverisë në njërën anë dhe unë në njërën anë, asnjëri s’kanë bërë punë bashkë, sa kam bërë unë për dy vjet e gjysmë”, është shprehur ai.

Ai është shprehur se shteti dhe vendimmarrja nuk janë hajgare.

Më tutje kryetari i Nismës, u shpreh se vendimmarrja dhe negocimi janë art dhe sipas tij, me to vendi shtyhet përpara.

Këta janë kandidatët për deputetë nga Prishtina në radhët e LDK-së, bie në sy ish-kryetari i Prishtinës

Lumir Abdixhiku në tubimin e LDK-së ka prezantuar kandidatët për deputetë nga Prishtina për zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Alban Zogaj, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Doarsa Kica Xhelili, Dorentina Maloku, Elma Nikci, Florian Dushi, Donketa Dragusha, Hykmete Bajrami, Ismet Beqiri, Izet Sadiku, Jehona Lushaku Sadriu, Jeta Rafuna, Krenar Xhaferi, Fiknete Bejta, Sibel Halimi, Sokol Havolli, Vlora Dumoshi, dhe Arben Gashi”, ka thënë ai.

Abdixhiku, ka ftuar qytetarët e Kosovës që t’i bashkohen ndryshimit.

Duke folur para anëtarëve të 5 degëve të LDK-së në Prishtinë, Abdixhiku tha se i takon LDK-së ta bëjë rrugën e zhvillimit.

Abdixhiku tha se përgjatë 2 viteve të fundit, gjatë takimeve me qytetarët anembanë Kosovës, ka takuar të vërtetën e dhimbshme.

Ish-komandanti i UÇK-së njofton se është liruar nga të gjitha akuzat e Speciales

Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes, ka njoftuar se është liruar nga të gjitha akuzat e Prokurorisë Speciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Ai ka njoftuar se lirimi i tij nga të gjitha akuzat është bërë pas një procesi hetimor që ka zgjatur mbi pesë vjet.

“Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time por edhe pastertinë dhe lavdinë e UÇK-së. Falë avokatëve të mi, Sir Geoffrey Nice dhe Taulant Hodaj, dhe insistimit të tyre për të mbyllur hetimet për mungesë provash, këtë javë mora konfirmimin zyrtar që gjithçka është mbyllur përfundimisht”, ka njoftuar ai në Facebook.

Ai tutje ka thënë se ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në mënyrë zyrtare.

“Besoj se ky rast im do të kontribuojë që drejtësia të thotë fjalën e fundit për bashkëluftëtarët tanë që ende gjenden në Hagë dhe shpresoj që edhe ata të kthehen faqebardhë dhe fitimtarë sa më shpejtë. Lufta jonë, si popull, ka qenë një përpjekje e drejtë dhe legjitime për liri kundër okupatorit serbo-jugosllav, të cilët kanë kryer krime të rënda ndaj popullit tonë. Lufta jonë çlirimtare ishte e imponueshme dhe e drejtë”, ka shtuar Buja.

Javën e kaluar, Buja ka dëshmuar para trupit gjykues në rastin Thaçi dhe të tjerët.

Vritet me armë zjarri një 37 vjeçar në Gjilan

Një person është gjetur i vdekur në rrugën ”Mërgimtarët e Gjilanit” në Gjilan.

Policia ka konfirmuar se sipas dyshimeve të para personi është vrarë me armë zjarri, shkruan Gazeta Insajderi.

Sipas njoftimit të policisë, personi është gjetur pa shenja jete në skaj të rrugës.

“Në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i plotë:

Ju njoftoj se me datën 07.11.2024 rreth orës 13:52 kemi pranuar informacion se një person është i shtrirë skaj rrugës ”Mërgimtarët e Gjilanit” në qytetin e Gjilanit. Njësitet policore relevante kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes se bashku me një ekip nga emergjenca e spitalit të Gjilanit të cilët ka konstatuar se viktima  është pa shenja jete.

Nga hetimet e para dyshohet se viktima shtetas i Kosovës i vitit të lindjes 1987   është qëlluar nga armë zjarri.

Në koordinim me Prokurorin e Shtetit njësiti i hetimeve rajonale ka filluar hetimet në identifikimin e personave të dyshuar, ndriçimin dhe sqarimin e rrethanave të këtij rastit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Rama në Hungari takohet edhe me Vuçiqin

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndodhet në Budapest të Hungarisë ku ka marrë pjesë në takimin e Komitetit Politik Evropian.

Rama është takuar me disa liderë nga rajoni e nga Evropa.

Një takim i ngrohtë ka qenë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyn. Nuk ka munguar shtrëngimi i duarve me Orbanin apo Macronin, shkruan “BalkanWeb”.

Por Rama ka gjetur dhe një kohë për t’u ulur dhe me presidentin e Serbisë Alleksandar Vuçiq. Gjatë bisedave me Orbanin nuk kanë munguar dhe të qeshurat.

Liderët pjesëmarrës do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Evropa, në seancën plenare e cila do të pasohet nga katër sesione kryesore mbi temat e migracionit dhe sigurisë ekonomike.

Sesioni për migracionin do të përfshijë të gjitha aspektet e migracionit, ndërsa ai për sigurinë ekonomike do të diskutojë edhe lidhjen në aspektin e energjisë, transportit, IT-së dhe gjithashtu tregtisë globale

Kabineti i ri i Donald Trump: Ja posti që pritet të marrë Richard Grenell

Donald Trump pritet të fillojë procesin e përzgjedhjes së kabinetit të tij dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të administratës në javët e ardhshme pas fitores në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Sipas agjencisë Reuters, Richard Grenell pritet të marrë një post në administratën e re republikane.

Grenell ka qenë një nga këshilltarët më të afërt të Trump-it për çështjet e politikës së jashtme. Gjatë mandatit të parë katërvjeçar të presidentit të zgjedhur, ai shërbeu si drejtor i përkohshëm i Inteligjencës Kombëtare dhe ambasador në Gjermani.

Grenell konsiderohet një nga kandidatët kryesorë për rolin e Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, një pozicion që nuk kërkon miratim nga Senati, megjithëse një post që kërkon miratimin e Senatit nuk është përjashtuar.

I riu që vdiq mbrëmë në Vushtrri, ishte anëtar i Shoqatës për Kërkim Shpëtim

Mbrëmë në mesnarë ka ndërruar jetë në një aksident komunikacioni në Vushtrri, Ahmet Istrefi.

I ndjeri ishte anëtar i Shoqatës për Kërkim Shpëtim.

“Ahmeti ishte një pjesëtar i përkushtuar dhe me zemër të madhe, i cili kontribuoi me përkushtim në shërbim të komunitetit tonë.
Detajet e varrimit do t’i bëjmë të ditura me kohë. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e njohën Ahmetin. Qoftë i paharruar kujtimi i tij”, thuhet në njoftimin e Shoqatës.

VV në ethe të zgjedhjeve, Dimal Basha: Edhe nëse ne i marrim 45% me kënd e bëjnë koalicionin këta

Pas zgjedhjeve në SHBA, Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, tha se veprimet e ndërmarra të kryeministrit Albin Kurti në veri nuk ishin kundër Amerikës.

“Nuk munden 20 mashtrues m’i bind 2 milion shqiptarë se Albini është anti-amerikan! E para, ky popull e di që Albini asnjëherë te vetme s’ka pas qëndrim anti-amerikan, por vetëm anti-serbian. Gjene në këto 4 vite një veprim të vetëm të Kryeministrit që ka qenë kundër interesave amerikane”, ka shkruar ai.

Ai ka akuzuar opozitën se në emër të amerikanizmit po duan ta kthejnë “biznesin me Radoiçiqin në veri”, ndërsa nën ethet e zgjedhjeve, Basha tha se edhe nëse Vetëvendosje i merr 45% me kënd e bëjnë koalicionin.

“A e keni pyet veten, nëse edhe i marrim veç 45%, me kënd bëjnë koalicion këta, si e formojnë qeverinë pa partinë e Radojçiçit?!”.

Sipas Bashës, opozita do që Kosovën ta kthejë në vitin 2019-tën “me Radojçiçin shef në veri”.

Postimi i plotë:

Nuk munden 20 mashtrues m’i bind 2 milion shqiptarë se Albini është anti-amerikan!

E para, ky popull e di që Albini asnjëherë te vetme s’ka pas qëndrim anti-amerikan, por vetëm anti-serbian. Gjene në këto 4 vite një veprim të vetëm të Kryeministrit që ka qenë kundër interesave amerikane.

Shkatërrimi i bandave në veri nuk e prish popullin me Amerikën, por lidhjet me kriminelët në jug! Ndalja e dinarit nuk na prish me Amerikën, por me Vuçiqin dhe ata që janë ushqy prej dinarit! Mbyllja e kontrabandës nuk na ka prish me Amerikën, por ua ka prish hajninë kriminelëve në veri. Lufta kundër Radojçiçit nuk na ka prish me Amerikën, por e ka prish me kumarinë me bashkëpunëtorët e tij në jug.

Pra Albin Kurti ka bë veprime që ia ka marrë pushtetin Vuçiqit në veri, e ua ka prish kumarinë disa tjerëve në jug, e që opozita e disa t’ashtuquajtur gazetar po vazhdojnë me tentu me i paketu si veprime “anti-amerikane.”

Pra këta nuk është se këta e dojnë Amerikën – se s’mundesh me qenë mercenar, haraçxhi ose hajn e me u thirr në amerikanizëm – por e kanë si shpresë m’i arritë dy gjëra, (1) që m’u kthy në pushtet në emër kinse të Amerikës, njerëzit që po kjo Amerikë në raporte i ka cilësu si njerëz të lidhur me korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe (2) po shpresojnë që n’emër  Amerikës me kthy kumarinë me Radijçiçin në veri sepse ju duhet me i kthy bizneset krimnale dhe potencialisht koalicionin me të  politikë! A e keni pyet veten, nëse edhe i marrim veç 45%, me kënd bëjnë koalicion këta, si e formojnë qeverinë pa partinë e Radojçiçit?!

Sa i përket Amerikës, Albini është bë Kryeministër nga populli më pro amerikan në botë! Ky Kryeministër është dëshmu që i mbron më së miri interesat e Kosovës në raport me Serbinë, dhe i vetmi Kryeministër që punon pastër e drejtë dhe mbetet i pashantazhueshëm!

Amerika vazhdon me qenë aleati më i madh i shtetit tonë, dhe Kosova me Kryeministrin Kurti është qeveria më pro-amerikane në gjithë Ballkanin, sepse me qenë amerikan është me qenë patriot që lufton për drejtësi, demokraci e mirëqenie të popullit tënd, jo për mirëqenien personale ku prej panlave me rrogë të shtetit kanë përfundu pronar të tokave e villave luksoze milionëshe! Ju nuk i bëni nder as me ia përmend emrin Amerikës, aq më pak m’u thirr në vlera të tyre!

Për fund, më treguan që mercenarët po ulurojnë me kthy Kosovën në vitin 2019, dmth pe kërkojnë një Kosovë pa Albinin, por me Radojçiçin shef në veri. Kjo ka qenë Kosova e 2019-së që po e kërkojnë! Të njëjtën kërkesë e ka Serbia – një Kosovë pa Albinin e me Radojçićin – mirëpo ajo gjendje nuk kthehet as në ëndrrat tuaja, sepse ky popull nuk mashtrohet më!  Nuk mundeni me kthy Radojçiçin duke u thirr n’emër të Amerikës. Kush do me kthy Kosovën në vitin 2019-tën me Radojçiçin shef në veri, mundet m’u rreshtu pas tij veç në Serbi, se n’Kosovë më s’ka vend më, së paku me Albinin jo!