Dëshmitari i radhës në Hagë: Nëse nuk ishe i afërt me UÇK-në, të quanin tradhtar

Dëshmitari Haxhi Mazreku gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se je quajtur tradhtar vetëm pse je takuar me ndonjë serb dhe në rast që nuk ke qenë i afërt me UÇK-në, atëherë këta të fundit të kanë quajtur tradhtar.

“Po personat tash të UÇK-së që e kanë marrë atë ofensivën e vet dhe që nëse nuk je i afruam me ata ose je i papërshtatshëm atëherë ose je tradhtar ose spiun ose bashkëpunëtor. UÇK- ja këta e ka ba”, tha ndër tjerash dëshmitari.

Përpara kësaj, prokurori Matt Halling ia prezantoi dëshmitarit një intervistë të mëhershme, ku kishte thënë se UÇK-ja nuk ka funksionuar në mënyrën e duhur dhe se ka qenë i pakënaqur me këtë pjesë.

Ai kishte shtuar se 10 ditë para sulmit të familjes Jashari tre persona me maska iu afruan me një listë që kishte 17 emra.

“17-18 persona, ka qenë natë dhe s’i kam marrë saktë me i njeh. Kështu, të UÇK-së, faktikisht me tesha të zeza ishin dhe kanë ardhë në gjysmë të natës diçka. Kjo ishte e papërshtatshme për mua”, tha dëshmitari duke shtuar se kjo ngjarje kishte ndodhur në Optorushë.

Dëshmitari u pyet se a ka parë persona të maskuar që po kërkonin kolaboracionistë në zonën e tyre. Tha se ka dëgjuar llafe se anëtarët e UÇK-së po dalin dhe po vëzhgojnë natën, por që vetë nuk ka parë.

Ai tha se menjëherë pas sulmit ndaj familjes Jashari, kishte filluar të dëgjojë konkretisht për persona të maskuar të UÇK-së.

Për ZPS-në, dëshmitari kishte thënë se po t’i ofronte një karrige, ulej në tavolinë apo t’i ofronte kafe një serbi, do të konsiderohej kolaboracionist.

“Po u flitke në popull, aty në fshat edhe çdokund që ky po e pin kafen, që ky po rrin, që ky po maron dyer e dritare. Unë nuk e kisha atë problem, as sot nuk e kam atë problem… mua më ka kushtu shumë kjo”, tha dëshmitari.

Ai tha se personat që e cilësonin dikë kolaboracionist, sa i takon këtyre veprimeve ishin vëtë UÇK-ja.

Ndryshe, gjatë seancës u pranuan në prova materiale deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët për autoritetet e drejtësisë duke përfshirë edhe në një rast gjyqësor të EULEX-it si publike.

Ndërsa, disa pjesë të intervistës së dëshmitarit u klasifikuan si konfidenciale gjë për të cilën kërkoi sqarim, avokatja Nina Tavakoli.

Gërvalla dhe Gjuriq përplasen në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB

Kryediplomatët e Kosovës dhe Serbisë janë përplasur në takimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku po diskutohet për raportin gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për misionin e OKB-së në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se serbët e Kosovës po diskriminohen dhe po shtypen nga autoritetet e Kosovës. Por, këto akuza u hodhën poshtë nga kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla.

Gërvalla mbrojti veprimet e Qeverisë së Kosovës në veriun e banuar me shumicë serbe, që komuniteti ndërkombëtar i ka cilësuar si veprime të njëanshme.

Ajo tha se nuk duhet t’iu besohet pretendimeve të Gjuriqit se serbët në Kosovë nuk kanë qasje në shëndetësi, arsim dhe llogari bankare.

“Realiteti është i qartë. Përfundimisht qytetarët po marrin frymë lirshëm dhe pa frikë nga bandat kriminale”, tha ajo.

Gjuriq u ankua se serbët po përballen me diskriminim, dhunë dhe shtypje, duke përmendur disa nga vendimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, sikurse ndalimi i përdorimit të dinarit serb për pagesa me para të gatshme, mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe komunave që punonin sipas sistemit serb.

Ai tha se Serbia qëndron me serbët në Kosovë dhe kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar që të reagojë.

“Koha për veprime vendimtare është tani. Veprimet e Prishtinës vazhdon të minojë stabilitetin, shkelin të drejtat e njeriut dhe injorojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Na duhen pasoja të qarta. Duhen të vendosen sanksione ndaj administratës së [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit dhe duhet zero tolerancë ndaj veprimeve të tjera të njëanshme që nxisin konflikte dhe tensione”, tha ai.

Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Ziadeh, përmendi shqetësimin e shprehur nga sektori civil serb, banorët dhe partitë politike lidhur me vendimet për mbylljen e institucioneve në veri – që vepronin sipas sistemit serb – për ndikimin që kanë në jetën e tyre.

“Mbyllja e degëve të Postës së Serbisë dhe zyrave komunale që udhëhiqen nga ana e Serbisë kanë kufizuar qasjen e tyre në shërbime kyçe, në veçanti sa i përket komunitetit serb në Kosovë”, tha ajo.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, po ashtu kërkoi që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që tha se do të garantonte të drejtat e serbëve.

Gjuriq po ashtu tha se Kosova nuk do që ta themelojë këtë asociacion, që tha se nuk është opsion, por obligim nga dialogu i Brukselit.

Por, Gërvalla tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk është i interesuar që Asociacioni të lehtësojë jetën e serbëve të Kosovës.

“Për të Asociacioni nuk është vegël për të lehtësuar jetën e qytetarëve, është opsion për ta copëtuar një vend të territorit tonë. Sikurse [presidenti rus, Vladimir] Putin me Ukrainën, Vuçiqi nuk do asgjë më pak sesa zhdukjen e Kosovës”, tha ajo.

Gërvalla tha se Serbia nuk është e interesuar për dialog, duke e akuzuar Beogradin për bllokim të procesit.

Gërvalla po ashtu foli për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit.

Ajo tha se ky ishte vetëm tentimi i parë, siç tha, i Serbisë, ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se Vuçiqi “po përgatitet për më shumë”.

“Sulmi i Serbisë i 24 shtatorit të vitit të kaluar u planifikua si invazion ushtarak dhe aneksim i një shteti paqësor që ka mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë, ai ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit kundër një shteti me prani të NATO-s. Është test për Perëndimin, test për më shumë. Dhe Vuçiqi e Putini nuk po heqin dorë. Prandaj, fillimisht na duhet parandalim, e më pas dialog. Vetëm me parandalim, paqja dhe siguria mund të jenë të sigurt”, tha ajo.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin në Banjskë, por Beogradi mohon se ka gisht në të.

Përgjegjsëinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Ndaj tij dhe dhjetëra serbëve të tjerë, autoritetet në Kosovë kanë ngritur aktakuzë.

Gërvalla tha se Kosova kërkon ekstradimin e Radoçiqit nga Serbia. /REL/

E dhimbshme: Nesër varroset i riu që u gjet pa shenja jete

Djali 27-vjeçar i familjes Podrimqaku nga Vitomirica e Pejës, Laurant Podrimqaku që po kërkohej qe disa ditë, u gjet pa shenja jete dje. Ky rast tronditi gjithë familjen, që s’dinin gjë për fatin e tij, nga mesdita e së shtunës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se i riu është gjetur i vdekur në fshatin Gllaviçicë në Pejë, jo shumë larg veturës me të cilën kishte dalë nga shtëpia.

Bazuar në informacionet e para, 27-vjeçari dyshohet se i ka dhënë fund jetës.

Sot familjarët kanë bërë të ditur se Lauranti do të varroset nesër nga ora 14:00 në varrezat e fshatit, Dubovë e Madhe.

Kujtojmë se viktima, djali i një zyrtari të SHKK-së dhe vëllai i një zyrtari policor, ishte larguar nga shtëpia të shtunën pasi ishte kthyer nga Hungaria.

Për rastin ka raportuar Sinjali gjatë ditës së djeshme, pasi Policia nisi hetimin, kur babai i viktimës raportoi për dyshimet se i biri ia kishte marrë armën zyrtare.

Zgjedhjet në SHBA/ Trump rekord në sondazhe, ky është rezultati

Teksa vetëm pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale në SHBA, sondazhet vijojnë të bëjnë punën e tyre për të parë se kush është favoriti kryesor për të fituar.

Në sondazhin e krijuar nga portali i njohur “Polymarket”, Donald Trump vijon të udhëheqë dhe tashmë më bindshëm se kurrë.

Republikani udhëheq me 66.4%, një rekord që nga nisja e këtij sondazhi, teksa Harris deri më tani ka vetëm 33.7%.

Trump gjithashtu po udhëheq në shtetet e lëkundura, teksa Miçigani është e vetmja që është e ndarë në mënyrë të barabartë.

Në disa shtete, votimet kanë nisur, teksa presidenti i ardhshëm i SHBA-së do të mësohet pas datës 5 nëntor.

 

 

 

Qeveria mban mbledhjen e radhës, merr vendimin e rëndësishëm

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës sot është miratuar buxheti për vitin 2025 me vlerë prej 3.6 miliardë euro.

I pari i Qeverisë të martën në një konferencë për media ka premtuar se nga janari i vitit 2025 do të ketë rritje prej 55 euro të pagës, për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

“Pagat do të rriten për të gjithë të punësuarit…”, thotë Hekuran Murati

Kurti, të martën deklaroi se punëtorëve të sektorit publik nga korriku do të ketë ngritje page prej 110 euro.

Ndryshe, këto deklarata Kurti i ka thënë në mbledhjen e Qeverisë, që pikë të vetme të rendit të ditës e ka shqyrtimin e Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025.

“55 euro më shumë nga janari, 110 nga korriku”, Rritja e pagave për këto kategori

 

E dhimbshme: Viktima në aksidentin në Llozicë është i mitur, rreth 16-vjeçar

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të mërkurën në fshatin Llozicë të Malishevës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti me motoçikletë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar se personi që mbeti i vdekur në këtë vetaksident është një i mitur i moshës rreth 16-vjeçare.

Sipas informacioneve të para, përveç viktimës, nga ky aksident një person ka pësuar lëndime dhe i njëjti është dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, e po ashtu ekipet emergjente, me ç’rast këta të fundit kanë konstatuar vdekjen e viktimës.

Lajmin për Sinjalin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 13:40, në rrugën Pejë-Prishtinë, në fshatin Llozicë, është raportuar një aksident i rëndë trafiku. Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia dhe ekipi i emergjencës kanë dalë në vendngjarje, ku personeli mjekësorë ka konstatuar vdekjen e një personi mashkull, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Sipas të dhënave të para, në aksident është përfshirë një motoçikletë. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i shtetit, ndërsa Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor është duke trajtuar rastin”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Spanja po përballet me katastrofën më të keqe, numër i madh i viktimave

Shpallen tre ditë zie kombëtare në Spanjë, pas përmbytjeve shkatërruese.

Numri i viktimave shkon në 72. Qeveria spanjolle e bëri njoftimin ndërsa vendi po përballet me “katastrofën më të keqe natyrore në 50 vjet”. Këto janë përmbytjet më të këqijat që kanë goditur Spanjën në tre dekada.

Përmbytjet e papritura ngritën automjetet nga asfalti dhe kthyen komunitete të tëra në lumenj e liqene pas shirave e breshrit që goditën kombin evropian.

Stuhia përfshinte gjithashtu një vërshim breshëri që shpoi vrima në xhamat e makinave dhe dëshmitarët thanë se kishin parë një tornado të formohej, që nuk ka ndodhur kurrë në vend

Masakra në Shkodër: Rritet numri i të vdekurve

(E plotësuar) Policia e Shkodrës ka dhënë njoftim zyrtar në lidhje me atentatin e ndodhur në zonën e Dobraçit, mesditën e së mërkurës.

Sipas informacioneve paraprake të policisë ngjarja ndodhi rreth orës 15:50, në aksin rrugor “Shkodër-Koplik”, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti tip ‘Benz”, në lëvizje, me të cilin qarkullonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën Hamza Lici dhe është plagosur rëndë Arlind Bushati.

Automjeti që udhëtonin Lici dhe Bushati, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka përplasur një motoçikletë që udhëtonte çifti i bashkëshortëve, Bashkim dhe Flutura Basha. Kjo e fundit ka ndërruar jetë, ndërsa Bashkim Basha ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Në vendngjarje kanë shkuar shërbime të shumta të Policisë dhe Forca Kombëtare e Sigurisë Njësia Shkodër, si dhe janë nisur në ndihmë 2 grupe të Repartit Special “RENEA”.

Viktimat ishin shënjestrat e atentatit. Ata ndodheshin bashkë në një automjet tip “Benz” dhe janë qëlluar në lëvizje, raporton A2 CNN.

“Atentat me dy të vrarë në afërsi të ish-‘5 Heronjve’. Dy persona dyshohet se janë plagosur në mënyrë aksidentale, ndërsa atentati ka pasur për objektiv dy persona të tjerë që kanë qenë në një automjet. Kanë filluar të gjuajnë me armë zjarri në drejtim të mjetit në lëvizje”, raporton gazetari i A2 CNN.

Forca të shumta policie  dhe disa ambulanca ndodhen në vendngjarje dhe grupi hetimor ka nisur hetimet për të zbardhur atentatin me 2 të vdekur.

Më herët mediat në Shqipëria kanë raportuar se në sulmin e armatosur janë vrarë katër persona dhe një i plagosur.

E rëndë në Shqipëri: Dy të vrarë, dhe dy të plagosur

(E PLOTËSUAR) Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e kësaj të mërkure në Shkodër, ku raportohet për dy të vdekur  dhe dy të plagosur.

Të shtënat me armë zjarri janë shënuar në zonën e njohur si “5 Heronjtë e Vigut”, në lagjen e Dobraçit, ndërkohë që autoritetet janë mobilizuar menjëherë për të hetuar rrethanat e incidentit.

Sipas informacioneve paraprake, kemi të bëjmë me një atentat, ku automjeti me të cilin lëviznin 4 personat u qëllua me breshëri plumbash nga një tjetër automjet në lëvizje.

Raportohet se edhe personi i plagosur është në gjendje të rëndë shëndetësiore. Ai është transportuar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Policia ka ngritur disa postblloqe në qytetin e Shkodrës dhe po vijon punën për kapjen e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes. /EuronewsAlbania/

Rritja e pagave në sektorin publik – kaq do të paguhen Osmani, Kurti e Konjufca nga viti i ardhshëm

Qeveria e Kosovës të martën paralajmëroi rritjen e pagave për sektorin publik nga janari i vitit të ardhshëm.

Rritja do të jetë 110 euro në total, ku fillimisht në muajin janar do të ketë rritje prej 55 euro, kurse edhe 55 euro të tjera do tu shtohen në muajin korrik.

Sipas një tabele që ka realizuar Radio Evropa e Lirë, presidentja Vjosa Osmani e cila aktualisht ka pagën 1 mijë e 980 euro, me rritjen e proklamuar nga Qeveria në janar të 2025-ës ajo do ta ketë 2 mijë e 35 euro, kurse në korrik paga e saj do të arrij në 2 mijë e 90 euro.

Kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca të cilët aktualisht kanë pagë mujore prej 1 mijë e 870 euro, në janar do të marrin 1 mijë e 925 euro, kurse në korrik 1 mijë e 980 euro.

Deputetët dhe ministrat që aktualisht paguhen me nga 1 mijë e 804 euro,  nga janari do të paguhen 1 mijë e 859 euro, kurse në korrik paga e tyre do të arrij në 1 mijë e 914 euro.

Komandanti i FSK-së, Bashkim Jashari aktualisht ka pagë prej 1 mijë e 650 euro, kurse në janar paga e tij do të arrij në 1 mijë e 705 euro ndërsa në korrik 1 mijë e 760 euro.

Drejtoi i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha aktualisht paguhet 1 mijë e 595 euro, në janar ai do të marr 1 mijë e 650 euro, kurse në korrik 1 mijë e 705 euro.

Pagat do të rriten edhe për ushtarët, policët, zjarrfikësit, mësuesit, mjekët, infermierët dhe kategoritë e tjera të sektorit publik. /Telegrafi/