“Rritja e pagave nga Qeveria është e jashtligjshme, nuk mund të realizohet”

Njohësi i çështjeve ekonomike, Mehdi Hashani, ka thënë që vendimi i kryeministrit Albin Kurti për rritjen e pagave është i jashtëligjshëm.

“Fillimisht vendimi që është marrë sot nga ana e kryeministrit Kurti [për rritjen e pagave] është një vendim i jashtëligjshëm dhe nuk mundet me u realizu”, ka thënë Hashani në Rubikon të Klan Kosovës.

“Nuk mund të realizohet për arsye se njësinë e koeficientit mundet me e rritë vetëm Kuvendi i Kosovës, ndërsa Qeveria e ka të drejtën me e rritë vlerën e koeficientit”.

“Ky është një vendim që është i jashtëligjshëm”, ka ritheksuar ai.

“Nuk duhet të ketë pagë nën 1 mijë euro”, thotë Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me vendimin e Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave në sektorin publik.

Kreu i AAK-së e ka quajtur rritjen e pagave si të “turpshme” dhe ka theksuar se pagat në vend nuk duhet të jenë më të ulëta se 1,000 euro.

“E turpshme me vepru kështu. Besoj që shumë të punësuar në sektor publik do të dinë më ia kthy të njëjtin poshtrim që ky ua bën më këto. Pastaj shikoni si mashtrimi i tij, thotë 55 euro tani, në janar edhe thotë 11- euro në Korrik, në fakt nuk është 110 euro por edhe 55 euro të tjera. Rritja e pagave duhet të ndodh në sektorin publik, duhet të jetë kredibile. Koeficienti duhet të rritet i tillë, pra që mos me mbetet pagë nën 1 mijë euro. S’mund të vazhdojmë më një qasje që me kursye tek të punësuarit”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.

Kritika e Haradinajt vjen pas vendimit të kryeministrit Albin Kurti, i cili njoftoi se rritja e pagave do të jetë 55 euro që nga janari i vitit 2025.

Ai ka shtuar se rritja e dytë e pagave për 55 euro të tjera do të bëhet edhe verën e ardhshme.

Kryeministri ia rrit pagën vetës, Presidentes dhe kolegëve të tij

Ministri Murati njoftoi se rritja nga viti i ardhshëm për tërë sektorin publik do të jetë nga 110 euro, e ndarë në dy faza. 55 euro nga janari dhe 55 të tjera nga korriku.

Ai dha një arsyetim të çuditshëm në një shkrim sqarues për rritjen e pagave për tërë sektorin publik, ku tha se përzgjodhi policët, zjarrfikësit, infermierët, mësuesit dhe ushtarët vetëm sa për krahasim.

 

 

Pra pagat rriten për të gjithë shërbyesit publikë, e jo vetëm për pozitat që i shfaqëm në tabelë gjatë konferencës. Tabela e shfaqur ishte vetëm për të ilustruar se si do dukej rritja për disa prej pozitave në sektorin publik“, deklaroi ai.

Por, rritjes së pagës hairin do t’ia shohin edhe kryeministri, presidentja, ministrat e deputetët. Sa do t’iu bëhet paga atyre? Insajderi iu sjell më poshtë një përllogaritje bazuar në premisën e rritjes së pagës për sektorin publik nga viti i ardhshëm:

Presidentja – Aktualisht paguhet 1980 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 2090 euro

 

 

Kryeministri – Aktualisht paguhet 1870 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1980 euro

Zëvendëskryeministri – Aktualisht paguhet 1815 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1925 euro

 

 

Ministri – Aktualisht paguhet 1804 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1914 euro

Deputeti – Aktualisht paguhet 1804 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1914 euro

 

 

Zëvendësministri – Aktualisht paguhet 1628 euro, vitin e ardhshëm do të paguhet 1738 euro.

Deklarimet e Kurtit kundër rritjes së pagave në prag të zgjedhjeve

Qeveria Kurti vendosi t’i rrisë pagat pak para zgjedhjeve parlamentare, data për të cilën është caktuar 9 shkurti i vitit të ardhshëm.

Kjo praktikë nga shefi aktual i Qeverisë kritikohej zëshëm. Ai e quante si “dëshirë për pushtet” rritjen e pagave në kohë zgjedhjesh.

Me premtime elektorale janë përpjekur të rrisin pagat, por ekonomia nuk funksionon asisoj. Mund të funksionojnë dëshirat për pushtet, por ekonomia nuk funksionon me rritje pagash në fushata elektorale siç është bërë në të kaluarën”, deklaronte para tri vitesh Kurti.

Deklaratë të ngjashme por me qëllim të njëjtë bëri Kurti edhe sot në konferencën për media.

Përderisa në të kaluarën pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit dhe atë vetëm në fushatë, me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji”, deklaroi Kurti sot në konferencë.

Rritja e pagave në këtë periudhë është interpretuar si politikë para zgjedhjeve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti njofton rritjen e pagave – 55 euro më shumë nga janari, 110 nga korriku

Kica-Xhelili thotë se Qeveria i ofendoi qytetarët me rritjen e “pagës me këste”, një para dhe një pas zgjedhjeve

Deputetja e LDK-së Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar pasi pushteti paralajmëroi rritjen e pagave në sekotorin publik nga muaji janar. Deputetja e LDK-së Kica-Xhelili, tha se Qeveria Kurti pagën e sektorit publik po e trajton si lloj “favori” me dy këste, kësti i parë para zgjedhjeve e kësti i dytë pas.

Tutje, deputetja pohon se kjo rritje është ofendim për punonjësit sepse sipas saj “ofendohen që iu vodh ajo që iu takonte qe 4 vite”.

Ajo paralajmëron se me zgjedhjet e reja “ndryshimi po vjen”.

Postimi i saj i plotë:

Të gjitha kategoritë po reagojnë për “rritjen” e pagës. Natyrisht, sepse ajo nuk është rritje, por ofendim.

Së pari, ofendohen që iu vodh ajo që iu takonte qe 4 vite.

Së dyti, ofendohen që rritja nuk e mbulon as afërsisht vlerën e inflacionit prej 22%.

Së treti, ofendohen që kjo Qeveri, pagën e sektorit publik po e trajton si lloj “favori” me dy këste. Kësti i parë para zgjedhjeve e kësti i dytë pas.

Kjo Qeveri po ua përplasë hundësh paratë që i takojnë, fytyrës, por s’po ua jep prap se prap, fiks para zgjedhjeve, përmes proceseve të kundërligjshme, në vlera mjeruese, e po prisni të mos ketë reagime?

Ndryshimi po vjen!

“Pagat do të rriten për të gjithë të punësuarit…”, thotë Hekuran Murati

Ministri i Financave, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Albin Kurti, njoftoi se nga janari do të ketë rritje të pagave për sektorin publik.

Rritja u tha se do të jetë nga 110 për secilin punonjës të sektorit publik.

Mirëpo, në opinion duket se pati paqartësi pas publikimit të një tabele që sqarohej rritja për pozita të caktuara.

E ministri Hekuran Murati theksoi se rritja e pagave do të vlejë për të gjithë të punësuarit.

“Pagat rriten për të gjithë shërbyesit publikë, e jo vetëm për pozitat që i shfaqëm në tabelë gjatë konferencës. Tabela e shfaqur ishte vetëm për të ilustruar se si do dukej rritja për disa prej pozitave në sektorin publik”, shkroi Murati.

Ai sqaroi edhe një herë se rritja e pagave do të ndahet në dy faza – në janar do të rriten për 55 euro, ndërkaq faza e dytë prej korrikut 2025, kur rritja, sipas tij, bëhet 110 euro.

Tensionet e përshkallëzuara me Perëndimin, Putin merr vendimin e papritur

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar të martën stërvitje masive të forcave bërthamore të shtetit, duke përfshirë aty edhe lëshueset e raketave, teksa vazhdon të përshkallëzojë tensionet me Perëndimin, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë.

Duke folur me liderët ushtarakë përmes video-lidhjes, Putin ka thënë se stërvitjet do të simulojnë veprimet e zyrtarëve më të lartë për përdorim të armëve bërthamore, dhe do të përfshijnë lëshim praktik të raketave me kapacitet bërthamor, dhe atyre lundruese.

Putin, i cili e ka përmendur vazhdimisht forcën bërthamore, sa herë që Perëndimi e ka rritur mbështetjen për Ukrainën, ka theksuar të martën se arsenali bërthamor i Rusisë vazhdon të jetë “garantues stabil i sovranitetit dhe sigurisë së shtetit”.

“Duke marrë parasysh rritjen e tensioneve gjeopolitike dhe kërcënimet e reja, është e rëndësishme për ne që të kemi forca strategjike moderne që janë gjithmonë gati për luftë”, ka thënë ai, duke rikonfirmuar se armët bërthamore të Rusisë i sheh si “masën më ekstreme për ruajtje të sigurisë”.

Putin ka thënë se Moska do të vazhdojë të modernizojë forcën bërthamore, do të pozicionojë raketa të reja me precizitet më të lartë, me shpejtësi më të madhe në nisje, dhe me kapacitete të rritura për t’i tejkaluar mbrojtjet raketore.

 

 

Muajin e kaluar, lideri rus ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s, që lejimi i Ukrainës për të përdorur armë perëndimore me rreze të gjatë për të sulmuar thellë në Rusi, do të fuste NATO-n në luftë me shtetin e vet.

Ai e ka përforcuar mesazhin e tij duke e prezantuar një version të ri të doktrinës bërthamore që e konsideron sulmin konvencional ndaj Rusisë nga një shtet jobërthamor që mbështetet prej një force bërthamore, si sulm të përbashkët të të dyjave ndaj shtetit të vet – një paralajmërim i qartë për SHBA-në dhe aleatët e Kievit.

Putin, po ashtu, e ka përmendur që në doktrinën e re parashihet edhe përdorimi i armëve bërthamore në rast të një sulmi masiv, raporton REL.

Manovrat e së martës janë vazhdimësi e një serie të stërvitjeve tjera të forcave bërthamore të Rusisë.

Më herët gjatë vitit, ushtria ruse ka zhvilluar stërvitje të përbashkëta ushtarake me aleaten e Moskës, Bjellorusinë, në territorin e së cilës janë pozicionuar disa armë bërthamore taktike të Rusisë.

Kurti: Me Qeverinë tonë pagat rriten çdo fillim vit, më herët vetëm në fushata

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se më herët pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë.

Në një postim në Facebook, ai ka deklaruar se Qeverinë Kurti rritja e pagave po bëhet në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave

“Nga janari i vitit të ardhshëm zyrtarët publikë do të kenë paga më të larta.  Më herët pagat rriteshin vetëm një herë brenda mandatit, dhe atë vetëm në fushatë. Me qeverisjen tonë të mirë e demokratike po rriten në secilin vit që nga hyrja në fuqi e ligjit të pagave, ashtu siç e parasheh edhe ligji. Vitin e ardhshëm pagat për punonjësit e sektorit publik do të rriten për 110 euro”.

“Rritja do të bëhet në dy faza. Faza e parë fillon në janar të vitit të ardhshëm dhe parasheh një rritje prej 55 euro, kurse faza e dytë hyn në fuqi nga korriku i vitit 2025, për të plotësuar totalin prej 110 euro rritje, apo një njësi më lartë të koeficientit të pagës bazë”, ka thënë Kurti.

Më tej, Kurti ka shtuar se rritja buxhetore është shpërndarë mbi-proporcionalisht tek ata që kanë pagat më të ulëta, “duke zvogëluar kësisoj edhe më tej hendekun në mes të pagës më të lartë dhe asaj më të ulët”.

” Pra, për mësuesin, policin, ushtarin, infermierin, zjarrfikësin, rritja në përqindje do të jetë rreth 18-20%, kurse për pozitat më të larta rritja në përqindje do të jetë 6-7%. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritjeje do të jetë rreth 120 milionë euro, e që bashkë me rritjen që kemi bërë për pensionet dhe për shtesat për fëmijë, e sjell totalin në 280 milionë euro më shumë para në xhepat e qytetarëve vetëm nga këto tre masa”.

NATO rriti praninë e trupave në Kosovë, kjo është arsyeja

Gjenerali Enrico Barduani, komandanti i ri i KFOR-it në Kosovë, ka diskutuar prioritetet e tij kryesore dhe përkushtimin ndaj stabilitetit në Kosovë.

Duke vlerësuar përvojën e tij të kaluar në Kosovë, Barduani theksoi rritjen e forcave ushtarake të KFOR-it si përgjigje ndaj sfidave në rritje të sigurisë globale dhe rajonale.

“KFOR-i është misioni më i gjatë dhe më i madh i NATO-s, me një kontribut nga 29 vende aleate dhe partnere. Përkushtimi ynë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit mbetet i palëkundur,” u shpreh Barduani në një intervistë për Radio KFOR-in.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke nënvizuar se misioni i KFOR-it mbetet një nga elementët kyç të stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Duke folur për prioritetet e tij, Barduani deklaroi se do të sigurohet që KFOR-i të vazhdojë të garantojë një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në Kosovë.

Ai theksoi rolin e KFOR-it në mbështetje të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it dhe siguroi për një reagim të koordinuar ndaj çdo sfide të sigurisë që mund të shfaqet në rajon.

Motoja e zgjedhur nga Barduani për mandatin e tij njëvjeçar është “Unitas Omnia Vinciť” – “Uniteti fiton mbi të gjitha”.

Ai tha se suksesi i KFOR-it mund të arrihet përmes kohezionit dhe unitetit jo vetëm brenda misionit, por edhe me komunitetet lokale dhe ndërkombëtare.

Në përfundim, Barduani përshëndeti dhe vlerësoi punën e përkushtuar të bashkëluftëtarëve të tij dhe kujtoi sakrificat e ushtarëve të rënë të KFOR-it, duke theksuar kontributin e tyre për paqen dhe stabilitetin në Kosovë.

Intervista e plotë KËTU.

Rritja e pagave për 55 euro, i duken të pamjaftueshme Rrahman Jasharajt

I pari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, thotë se ka thënë se kanë kërkuar ngritje të pagës qysh në shtator dhe se ngritja e paralajmëruar për në janar është e papranueshme.

Jasharaj ka thënë se do të insistojnë për ngritje së paku 30% duke e pasur parasysh ngritjen e çmimeve.

“Sa i takon rritjes, ne nuk kemi kurrgjë zyrtare, mirëpo kemi insistuar nga zotëri Kurti dhe Murati që ngritja të jetë në shtatorin që iku, të jetë së paku në këtë tetor dhe të jetë së paku 30%. Sepse ngritjet që u bënë në fillim të këtij viti nga 105-110 ishin ironike, ngase në arsimin parauniversitar siguruan një rritje 28 euro dhe unë po them njeriu turpnohet me i kallëzu një shteti fqinj sepse një pjesë të shteteve nuk i kemi fort miq. E çka don me i thanë dikujt na e rriti shteti 28 euro pagën, kur në shtetet tjera ka arrit te 900 e te 1 mijëshi. Kjo rritja në janar e ato janë sikur në Pejë që janë do fjalë “a po m’i jep do sende veresi”. Në janar çkado që bëhet është fushatë dhe një ngritje e tillë tash me shku me 50 euro me 20 euro është jo e pranueshme për ne”, tha Jasharaj.

Jasharj thotë se kryeministri është dashur ta bëjë ngritjen e pagave që nga tetori.

“Mungon dialogu dhe komunikimi, zonja Nagavci është dashtë të komunikojë me ne drejtpërdrejt sepse ne jemi ata që në emër të anëtarësisë e kemi dorëzuar draftin e Kontratës. Deklarata e saj se s’ka kontratë, matematikisht i bie që shumë lehtë mund të ketë veprime sindikale dhe fajtore do të jetë zonja Nagavci”, tha Jasharaj.

Kujtojmë se kryeministri Albin Kurti tha para medieve sot se një zyrtar publik që aktualisht e ka koeficientin e pagës 5.6, në janar do t’i bëhet 6.1 e në korrik 6.6.

“Të gjithë të punësuarve në sektorin publik pagat do të rriten 55 euro nga janari dhe 110 euro nga korriku. Kostoja e plotë vjetore e kësaj rritje do të jetë 120 milionë euro”, ka deklaruar Kurti.

Fillon dëshminë dëshmitari i 100-të i Speciales në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 100-të i cili mban kodin W04809 në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ky dëshmitar është i pranishëm përmes video-lidhjes si dhe është duke dëshmuar në seancë private.

Dëshmitari është i përfaqësuar nga një përfaqësues e cila parashihet sipas rregullës 107.

Vlen të theksohet se dëshmitari i 99-të ka përfunduar dëshminë e tij e cila ishte e gjitha në sesion privat.