Kusari-Lila e konfirmon “ndëshkimin” për ish-deputetët e grupit të tyre: Ata nuk e përfaqësojnë…

Shefja e Grupit parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Mimoza Kusari-Lila ka konfirmuar largimin nga komisionet parlamentare të deputetëve: Drita Millaku, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.

Kjo, pasi, këta 3 deputetë kanë ndarë edhe zyrtarisht rrugën me partinë e Albin Kurtit.

Në një prononcim për Indeksonline-n, ajo ka thënë se është procedurë e rregullt që secili grup parlamentar të ketë  përfaqësuesit e vet në komisione.

“Në momentin që deputetët tregojnë se janë ndarë me GP-në, atëherë grupi propozon zëvendësimin e tyre. E njëjta gjë do të jetë edhe me zonjën Millaku.

Prandaj, ne vetëm kemi dorëzuar pranë kryesisë së kuvendit, informatën edhe për seancën e radhës të rregullt të bëhet zëvendësimi i deputetëve. Arsyeja pastaj shkon edhe në çështje të mbrojtjes së politikave të Grupit parlamentar. Deputetët në fjalë, nga Komision për buxhet, kanë politika tjera. Kanë treguar orientim tjetër në raport më vendimmarrjen dhe si i tillë nuk përfaqëson qëndrimin e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, ka thënë ajo.

Më tej, Kusari-Lila shtoi se deputetë janë informuar paraprakisht për vendimin.

“Për korrektësi i kemi informuar paraprakisht dhe kemi treguar këtë për shkak të lëvizjes së tyre jashtë grupit. Me dy deputetët, z. Rrahmani dhe z. Korenica ka pasur bisedë paraprake, janë informuar ndërsa në ndërkohë edhe ka ndodhur edhe largimi i zonjës Millaku në drejtim të LDK-së”, ka thënë ajo.

Kujtojmë se deputetët Eman Rrahmani e Visar Korenica i janë bashkuar koalicionit Lista për Familjen, të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë. Ndërsa, Drita Millaku është bërë pjesë e LDK-së së Lumir Abdixhikut.

Politikani serb paralajmëron vra*sje politike në veri, nga tetori deri në shkurt do të ndodhin incidente

Politikani serb, Boban Bogdanoviq, ka folur për rrahjen e ish-liderit të Listës Serbe, Goran Rakiq, ku tha se kjo është bërë me urdhër të terroristit Millan Radoiçiq.

Bogdanoviq tha se ka pasur emër dhe mbiemër të njeriut që ka marrë pjesë në rrahjen e Rakiqit, teksa tha se në të ardhmen e afërt mund të ketë edhe vrasje të tjera politike në veri, siç ishte ajo e Oliver Ivanoviqit.

Ka pasur emër dhe mbiemër të njeriut që ka marrë pjesë në rrahjen e Rakiqit. Kjo është e padiskutueshme dhe ka lidhje me Millan Radoiçiqin”.

“Radoiçiqi është shumë keqbërës, por nuk është budalla. Qëllimshëm e ka bërë në Kosovë që të fajësohen shqiptarët dhe frikësohem që do të ketë edhe vrasje politike të reja”, tha ai në Klan Kosova.

Më tej, Bogdanoviq paralajmëroi se në periudhën prej tetorit deri në shkurt në veri të vendit do të ndodhin incidente me urdhër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Jam i bindur se nga periudha prej tetorit deri në shkurt, me siguri që do të ndodhin incidente me urdhër të Vuçiqit dhe të ekzekutuesit Radoiçiq. Apeloj tek MPB-ja, në shërbimet e sigurisë që të tentojnë t’i parandalojnë incidentet e reja, që planifikohen në Beograd”, tha ai.

Specialja merr vendim për Thaçin dhe Veselin

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët akuzohen për krime lufte së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

Vendimet e ndara për dy të akuzuarit janë marrë më 14 tetor 2024 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në të dy vendimet, thuhet se nuk ka mjaftueshëm informacione që tregojnë se në rast që të akuzuarit lirohen nga paraburgimi, ata mund të arratisen nga drejtësia. Mirëpo, thuhet se ka rrezik që të pengojnë administrimin e drejtësisë dhe të kryejnë krime ndaj atyre që perceptohen kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe ndaj dëshmitarëve.

“Paneli konkludon se në këtë moment nuk ka ende mjaftueshëm informacion që të justifikojë një gjetje se z. Thaçi (z.Veseli) mund të arratiset nga drejtësia nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi (z.Veseli) do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai mund të kryejë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimet ndaj tyre.

Ashtu si për Thaçin, edhe për Veselin, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se rreziqet përkatëse që mund të dalin nga dy të akuzuarit, mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit.

Gjithashtu, në këto vendime thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se sjellja e dy të akuzuarve paraqet rrezik të shtuar për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve lidhur me procesin gjyqësor.

“Sjellja e z. Thaçi tani paraqet një rrezik jashtëzakonisht të shtuar, aq sa edhe kufizimet dhe monitorimi standard i komunikimeve në Qendrën e Paraburgimit nuk janë të mjaftueshme. Prandaj, duke pasur parasysh zbulimin e vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve të lidhura me procedurat aktuale gjyqësore, rreziqet themelore vazhdojnë të ekzistojnë”, thuhet në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Thaçin, e ngjashëm edhe në atë për Veselin.

Si rrjedhojë, tek këto vendime, Paneli ka rikujtuar se arsyeshmëria për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve duhet të vlerësohet bazuar në fakte të secilit rast dhe veçorive specifike të tij.

Tek rasti i Thaçit, si veçori specifike përmendet ndikimi dhe autoriteti e të akuzuarit, mundësia për t’u përballur me një dënim të gjatë me burg, rreziku që i akuzuari të kryejë krime të tjera, e të tjera.

“Veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) ndikimin dhe autoritetin e z. Thaçi; (ii) njohurinë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe mundësinë e një dënimi të gjatë me burg; (iii) rrezikun që z. Thaçi të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara; (iv) rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës në kryerjen e krimeve të tjera; (v) faktin se masat kufizuese në rast lirimi nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) rëndësinë dhe kompleksitetin e akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) faktin se gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Thaçin.

Ndërsa, për Veselin, Paneli ka vlerësuar se ai akuzohet për dhjetë pika të krimeve ndërkombëtare, e në rast që shpallet fajtor mund të dënohet me një dënim të gjatë me burg.

“Sipas vlerësimit të Panelit, veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) z. Veseli është i akuzuar për dhjetë pika të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat ai dyshohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm; (ii) nëse shpallet fajtor, z. Veseli mund të përballet me një dënim të gjatë me burg; (iii) rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten me ndonjë kusht; (iv) çështja kundër z. Veseli është komplekse; dhe (v) fakti që gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin.

Si rrjedhojë, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për dy të akuzuarit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm kështu duke e urdhëruar vazhdimin e një mase të tillë.

Në fund të vendimeve, trupi gjykues ka urdhëruar edhe ZPS-në që të dorëzojnë parashtrimet e tyre mbi shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit deri më 22 nëntor 2024. ndërsa përgjigjet në këto parashtrime të dorëzohen sipas afateve të përcaktuara me Rregullore.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Sot nis sezoni i ngrohjes nga Termokos në kryeqytet

Sot ka nisur zyrtarisht sezoni ngrohës 2024/2025 në Prishtinë.

Kryetari i Prishtinës Përparim Rama së bashku me Kryeshefin Ekzekutiv të Termokos-it, Fisnik Osmani, Aksionarët dhe Bordin e Drejtorëve të ndërmarrjes kanë zhvilluat takim në këtë ndërmarrje.

Rama ka uruar një sezon të mbarë dhe të suksesshëm, duke falënderuar ekipin për punën e tyre të mrekullueshme.

“Nëpërmjet shërbimit të Termokos-it, po ndërtojmë një kryeqytet më të pastër dhe më miqësor për mjedisin. Ky rrjet ngrohjeje mbulon mbi 33 mijë njësi banesore, me rreth 25 mijë konsumatorë aktivë, që përfaqësojnë më shumë se 130 mijë banorë”, ka shkruar Rama në rrjetin social Facebook.

Sipas tij janë rreth 1 mijë objekte banesore të kyçura në rrjet, me një sipërfaqe totale prej rreth 2.800.000 m², nga të cilat rreth 2.200.000 m² janë aktualisht aktive.

Gurë mbi trasenë hekurudhore Prishtinë-Pejë, shmanget fatkeqësia

Ndërmarrja Infrakos ka njoftuar se janë hasur gurë të hedhur mbi trasenë hekurudhore në linjën Prishtinë-Pejë, në dalje të stacionit Cerrovikë.

Në njoftim thuhet se falë makinistëve të trenit është shmangur një fatkeqësi, raporton teve1.info

Infrakosi e ka dënuar aktin duke e quajtur të papranueshëm dhe që ka cenuar sigurinë e vendit.

“Në linjën hekurudhore Prishtinë-Pejë ka ndodhur një akt i ulët nga individë të papërgjegjshëm, të cilët kanë hedhur gurë mbi trasenë hekurudhore, në dalje të stacionit Cerrovikë, respektivisht në kilometrin 37+500. Falë vigjilencës dhe profesionalizmit të makinistëve të trenit (Trasa 761), është shmangur një fatkeqësi e mundshme, duke mbrojtur jetën e qindra udhëtarëve që po përdornin këtë linjë për udhëtim. Infrakos dhe Trainkos dënojnë ashpër këtë akt të papranueshëm, i cili ka cenuar sigurinë e vendit dhe ka vënë në rrezik serioz jetën e shumë qytetarëve të pranishëm në trenin e linjës”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, kjo pengesë ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat.

“Vendosja e pengesës në një lokacion të përzgjedhur siç është rrezja e kthesës me kufizim të dukshmërisë në pamje ka rrezikuar daljen e trenit nga shinat, andaj na bën të besojmë se ky nuk është një akt i thjeshtë, por një veprim që duhet të vëjë në lëvizje organet e rendit”, thuhet në njoftim.

Infrakosi e Trainkosi kanë bërë thirrje për hetim dhe zbardhje të rastit, që autorët të marrin dënimin e merituar.

Pas disa ditëve alarmuese për mungesë të shujtave për ushtarët, Ministria e Mbrojtjes ndërrmer këtë hap të papritur

Ministria e Mbrojtjes para pak çastesh ka publikuar një konkurs pune, ku kërkojnë kuzhinierë.

Kjo kërkesë nga ministria vjen pas debateve të shumta për ushqimin e Forcaës së Sigurisë së Kosovës, përcjell IndeksOnline.

Kujtojmë, se dje ka pasur seancë të jashtëzakonshme nga opozita në lidhje me këtë tematikë, ku LVV-ja nuk ka marrë pjesë.

Ndryshe, zëvendësministri, Shemsi Syla, dje ka deklaruar se “ushqimi është në rregull” dhe “cilësor”, ndërsa akuzoi mediat dhe opozitën se po “zmadhojnë këtë punë”.

Petrit Zogaj propozon: Diasporës së Kosovës duhet t’i hiqet e drejta e votës

Analisti Petrit Zogaj ka propozuar që diasporës së Kosovës duhet t’i hiqet e drejta e votës.

Ai ka thënë se është e pamoralshme që një qytetar që jeton në Londër, Berlin apo Paris, t’ia përcaktojë pushtetin qytetarit në Prishtinë.

Postimi:

Diaspores se Kosoves duhet t’i hiqet e drejta e votes. Kushdo qe e merr nje iniciative te tile do te duhej me u perkrah para se gjithash nga qytetaret qe jetojne ne Kosove.

Eshte interes kombetar qe ky debat te fillohet ne Kosove dhe ate sa me shpejt qe eshte e mundur.

E drejta e votes per diaspores eshte e pamoralshme, e padrejte per qytetaret brenda Kosoves dhe thellesisht hipokrite.

Eshte e padrejte qe nje qytetar qe jeton ne Londer, Berlim e Paris t’i’a percaktoje pushtetin politik nje qytetari qe jeton ne Prishtine.

Eshte hipokrite qe njerezit qe jetojne jashte Kosoves, ku jane pjese e sistemit politik, ekonomik e social, t’i’a percaktoje qytetarit brenda Kosoves se cfare sistemi politik, ekonomik e social do te duhej te jetoje.

Diaspora mund te kete mendim se cfare po ndodh ne Kosove dhe se si po qeveriset ajo, por jo edhe te kete fuqine e votes qe te ndikoje direkt ne sistemin politik brenda. Kjo mase do te zvogelonte kete manipulimin emocional qe po ndodh per nje kohe te gjate me diasporen per qellime te pastra pushteti.

E dhimbshme: Ky është burri që vdiq në QKUK pasi ishte goditur nga një furgon

Një aksident i rëndë trafiku kishte ndodhur më 18 gusht në Fushticë të Drenasit, ku një furgon kishte goditur një këmbësor dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore, si pasojë e të cilave viktima ka ndërruar jetë dje. I ndjeri vdiq pasdite teksa po trajtohej në QKUK, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali nga burimet brenda QKUK-së personi që nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve është Zeqir Bahtiari, 83-vjeçar.

I moshuari po trajtohej në Klinikën e Mjekimit Intensiv, ku edhe u konstatua vdekja e tij nga ekipi mjekësor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi është tërhequr dhe dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

“Më 14.10.2024 në QKUK ka ndërruar jetë viktima mashkull kosovar pas aksidentit të ndodhur me 16.08.2024. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Kujtojmë se numri i madh i aksidenteve në trafik po vazhdon të jetë shqetësues.

Çdo ditë raportohet për aksidente të shumta në komunikacion dhe në të shumtën e rasteve shkaktohen si pasojë e pakujdesisë së shoferëve gjatë vozitjes, duke rrezikuar kështu jetën e tyre dhe të pjesëmarrësve tjerë në trafik

Ish-komandanti i FSK-së: Ushtarët duhet të përgatiten për luftë, jo për të gatuar ushqim

Gjeneral Kadri Kastrati, ish-komandant i Forca e Sigurisë së Kosovës ka folur në lidhje me problemin me furnizimin me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në një lidhje me Skype për emisionin “Ballkan Upadate”, ai e ka konsideruar një sjellje të turpshme nga kryeministri Albin Kurti, për të cilën është ndjerë jashtëzakonisht i turpëruar.

Sipas Kastratit, ushtarët duhet të përgatiten për luftë, jo për të gatuar ushqim.

“Të them të drejtën e kam ndjerë veten jashtëzakonisht keq, sepse jam një ndër njerëzit që Forcat e Armatosura të Kosovës i ka përcjellë që nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kam qenë në strukturat komanduese të kësaj ushtrie. Këto ditët e kaluara, duke marrë lajmin që ushtria ka probleme me furnizimin me ushqim, unë si ish-komandant jam ndjerë jashtëzakonisht i turpëruar, jam ndjerë shumë keq. Sepse ne ushtarët gjatë luftës kur nuk kemi pasur institucione qendrore apo lokale, kur nuk kemi pasur përkrahje, ushtarët i kemi furnizuar me ushqim. Lërë tani kur e kemi shtetin, e kemi qeverinë. Ushtarët apo oficerët e Kosovës të vuajnë për ushqim, kjo është një marri, një turp i madh për shtetin e Kosovës, për institucionet e Kosovës.

Unë e kam përcjell në vazhdimësi dhe kjo tani mundohet që ta citojnë dhe ministri dhe komandanti dhe sekretari i mbrojtjes, i kësaj ministrie dhe unë të them të drejtën fajin e lë te të gjithë, sepse të gjithë janë bashkëpërgjegjës që ka ardhur deri te kjo situatë, të gjithëve iu mungon një eksperiencë planifikuese, që u është dashur bërë më herët.

Ushtarët nuk duhet të përgatiten për kuzhina, ushtarët duhet të përgatiten për misione shumë më të avancuara dhe për luftë”, u shpreh ai.

Policia i gjen armë e një xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe, arrestohet i dyshuari kosovar

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në Banjskë të Zveçanit është arrestuar një person pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me 9 fishekë dhe një xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe.

Policia njofton se i njëjti pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.

“ARMËMBAJTJE PA LEJE

Fshati Bajskë, Zveqan / 14.10.2024 – 14:45. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë gjuetie me 9 fishekë dhe një xhaketë me emblemë të ushtrisë serbe. I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftimin 24 orësh të Policisë së Kosovës.