Vdes në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i Shqipërisë

Ka vdekur në moshën 44-vjeçare ish-deputeti i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani. Radio Televizioni Shqiptar raporton se ai ka pësuar arrest kardiak.

Gerti Bogdani (lindur më 7 korrik 1980 në Tiranë), ka kontribuuar në Partinë Demokratike për 8 vjet, duke qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë.

Karrierën politike Bogdani e filloi në vitin 2007, ku kandidoi me Partinë Demokratike për kryetar të Njësisë Bashkiake nr. 10 Tiranë, garë të cilën e fitoi. Gjate kësaj kohe vazhdoi edhe aktivitetin si zëdhënës politik i PD. Në vitin 2009, Gerti Bogdani, kandidoi në Zgjedhjet Parlamentare të 28 qershorit 2009, dhe u zgjodh deputeti më i ri në Kuvendin e Shqipërisë. Nga viti 2009 e në vijim, ai vazhdoi aktivitetin e tij si Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

Në vitin 2011 Bogdani u zgjodh zv/president i Bashkimit Ndërkombëtar të të Rinjve Demokratë (International Young Democrat Union – IYDU) e më pas, në janar të vitit 2012, nënkryetar.

Në shtator të vitit 2015 Bogdani u zgjodh Kryetar i IYDU, ne Kongresin e zhvilluar në Lisbonë të Portugalisë, duke u bërë kështu politikani i parë shqiptar që mbajti një post kaq të lartë në një organizatë ndërkombëtare.

E konfirmon Policia: Një person i vdekur si pasojë e aksidentit të rëndë

Para një ore ka ndodhur një aksident i rëndë trafiku mes një kamioni dhe një veture në fshatin Doberllukë të Vushtrrisë, raporton Sinjali.

Nga pamjet që ka siguruar Sinjali shihet se është një aksident shumë i rëndë, ku dyshohet se ka humbur jetën një person.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, i cili tha se aksidenti ka ndodhur në fshatin Doberllukë dhe se një person ka vdekur.

“Rreth orës 12:00 ka ndodhur një aksident trafiku mes një kamioni dhe një veture. Si pasojë e aksidentit, shoferi i veturës ka vdekur në vend”, tha Zahiti.

Drejtori i Komunës së Prishtinës fejohet me këngëtaren e njohur

Drejtori i Shërbimeve Publike, Bekim Brestovci është fejuar me këngëtaren, Anxhelina Shalën, e cila e njohur për publikun kosovar u bë në vitin 2017 pas aferës që kishte me deputetin e Nismës, Haxhi Shala i cili tani ndodhet në Hagë.

Se janë fejuar e ka konfirmuar vet këngëtarja Shala duke publikuar fotografi në rrjetin social “Instagram”.

Fotografia është publikuar me 26 gusht të tij viti.

Përveç kësaj ajo në profilin e saj mban edhe inicialet e biznesmenit nga Lipjani.

Shiko foton:

“Rrëshqiti në tualet”, vdes aksidentalisht vogëlushi kosovar!

Një vogëlush nga Malisheva ndërroi jetë aksidentalisht mëngjesin e sotëm.

Bëhet fjalë për rrëshqitje aksidentale në tualet, mëson Indeksonline

12-vjeçari nga Tërpeza e Poshtme, Bleart Krasniqi, pritet të varroset sot në orën 16:00 në varrezat e fshatit.

Rritja e pagës minimale, INPO apelon për rishikim të kontratave të prokurimit publik

Iniciativa për Progres (INPO) ka analizuar pasojat e vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagës minimale, duke u fokusuar në zbatimin e kontratave të prokurimit publik.

Ndërsa INPO përkrah rritjen e pagës minimale dhe përmirësimin e kushteve të jetesës, organizata thekson se ky vendim mund të ketë ndikim të madh në veprimtarinë e operatorëve ekonomikë që kanë lidhur kontrata me autoritetet shtetërore.

“Ndryshimi i papritur i pagës minimale mund të sjellë një diferencë të konsiderueshme të kostos operative dhe të rris barrën financiare në ekzekutimin e kontratave”, thuhet në njoftimin e INPO.

Organizata vë në dukje se bizneset që kanë paraqitur oferta bazuar në pagën minimale të mëparshme tani përballen me kosto shtesë të pa planifikuara.

Nga diskutimet me operatorë ekonomikë, INPO ka mësuar se shumë prej tyre kanë shprehur shqetësime për mungesën e dispozitave të qarta në legjislacionin e prokurimit publik për situata të tilla.

“Operatorët kanë paraqitur kërkesa për ndryshime në kontrata, por deri më tani nuk ka udhëzime nga Qeveria për këtë çështje”, thekson INPO.

Organizata apelon për një shqyrtim të situatës dhe për masa që të adresojnë ndikimet negative në qëndrueshmërinë e kontratave.

“Është e nevojshme një dialog i hapur për rishikimin e politikave të prokurimit për të evituar ndikimet e paparashikueshme”, përfundon njoftimi i INPO.

Sveçla: Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt pas bisedave me KFOR-in dhe atyre në Bruksel

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili po qëndron në Gjermani për takime në kuadër të Procesit të Berlinit ka thënë se Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt.

Sipas tij, kjo do të ndodhë pas koordinimit me KFOR dhe bisedave në Bruksel.

“Ura e Ibrit do të hapet shumë shpejt”.

“Unë jam i bindur se pas bisedimeve dhe koordinimit me KFOR-in që është prezent aty, por edhe bisedave në Bruksel shumë shpejt do të kemi një situatë tjetër”, ka thënë Sveçla në një prononcim për Deutsche Welle në gjuhën shqipe.

Tema e urës është diskutuar dje në Bruksel gjatë takimeve të ndara të emisarit Mirosllav Lajçak me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë.

Musliu: PDK-ja në katër vitet e ardhshme do të qeverisë me Kosovën, s’përjashtohen koalicionet

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova ka thënë se partia e saj në katër vitet e ardhshme do të qeverisë me Kosovën.

Ajo është shprehur se nuk përjashtohen as koalicionet, por siç tha varet me kë.

“Unë mund të them sot që Partia Demokratike në katër vitet e ardhshme do të qeverisë me Kosovën. Nuk përjashtohen koalicionet, varet me kë”.

“Unë mendoj që Partia Demokratike e Kosovës duhet të jetë serioze me ofertën e saj ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës, siç ka qenë deri më tani”, është shprehur ajo.

Haxhiu: Ura do të hapet dhe për këtë jemi në koordinim me partnerët tanë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk merret me deklaratat e presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, i cili kërkoi kthimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

E rëndësishme, sipas saj, është që të respektohet Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.

Haxhiu potencoi se e rëndësishme gjithashtu është që Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokuroria të deklarohen se pse nuk kanë vepruar në raport me dorëheqjet.

“Nuk ka asnjë rast kur një gjyqtar ka thënë dorëheqje dhe nuk i është pranuar dorëheqja. Por kjo ka ndodh me gjyqtarët dhe prokurorët serbë. Prandaj është e rëndësishme që të kuptohet qartë se përse Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial nuk e kanë adresuar këtë”, deklaroi ministrja e Drejtësisë për RTK-në.

Mes tjerash, ajo tha se nëse do të pranohej rikthimi i këtyre prokurorëve dhe gjyqtarëve të dorëhequr serbë në institucionet e Kosovës, përveç se do të ishte në shpërputhje me legjislacionin, dyshuese është nëse qytetarët mund të besojnë më tek sistemi i drejtësisë.

Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo tha se në Kosovë nuk do të ketë Asociacion me kompetenca ekzekutive, e që do ta “bosnjëzojë” Kosovën.

Mes tjerash, ministrja Haxhiu e ritheksoi se ura mbi lumin Ibër do të hapet dhe se kjo çështje ka qenë temë e diskutimeve me partnerët e Kosovës, përfshirë edhe KFOR-in. Ajo tha se për urën është diskutuar edhe sot në Bruksel dhe se edhe për BE-në është e qartë se hapja e urës nuk ka alternativë.

“Ura do të hapet dhe për këtë jemi në koordinim apo në diskutim e sipër me partnerët  tanë”, tha Haxhiu.

Sot i jepet lamtumira e fundit të riut nga Klina që u gjet i vdekur në një shtëpi në Lipjan

Melos Krasniqi, djali i ri nga Klina, i cili u gjet i vdekur në një shtëpi në Banullë të Lipjanit do të varroset sot.

Ceremonia e lamtumirës së fundit ndaj të riut që kishte diplomuar vetë disa ditë më parë, do të zhvillohet në ora 17:00, në varrezat e vjetra të fshatit Zajm.

Rasti për vdekjen e Melos Krasniqit është raportuar dje në mëngjes, ndërsa atje menjëherë kanë shkuar Policia bashkë me Ambulancën.

Siç mësohet, i riu klinas është gjetur i shtrirë pas shenja jete në një dhomë. Vdekjen e tij e kanë konstatuar mjekët në vend të ngjarjes.

Trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa rasti është iniciuar si “hetim i vdekjes”.

E rëndë: Djali e gjen babain e tij të vdekur në tavanin e shtëpisë

Një burrë ka njoftuar policinë se në tavanin e shtëpisë ka gjetur pa shenja jetë prindin e tij.

Rasti ka ndodhur të martën në Lipjan.

Sipas raportit të policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Policia ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë është dërguar në IML për obduksion.

“Lipjan 17.09.2024-NN. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se në tavanin e shtëpisë ka gjetur pa shenja jete prindin e tij viktimën mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jetë dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në raport.