Kurti shkon te familja e Adem Mikullovcit në katër vjetorin e vdekjes së aktorit të shquar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me bashkëpunëtorët e tij, ka shkuar sot tek familja e Adem Mikullovcit.

Këtë vizitë ai e ka bërë për ta kujtuar aktorin në katër vjetorin e shuarjes së tij.

“Intelektualët dhe artistët e mëdhenj si Ademi, në momentet e rëndësishme historike e kanë vendosur veten në ballë të popullit, pa marrë parasysh rrezikun. Adem Mikullovci pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare. Megjithatë ai kurrë nuk e la pas dore skenën dhe humorin, pasionet e tij jetësore. Në ato vite terri të thellë buzëqeshja e tij e mençur na sillte pakëz dritë dhe shpresë. Por edhe më vonë, gjatë lirisë që do ta kemi përgjithmonë”.

Postimi i plotë i Kurtit:

Sot vizituam familjen e Adem Mikullovcit, aktorit tonë të shquar, patriotit e veprimtar kombëtar, në katër vjetorin e vdekjes së tij. Na mikpriti ngrohtësisht bashkëshortja e tij, zonja Lumnije.

Intelektualët dhe artistët e mëdhenj si Ademi, në momentet e rëndësishme historike e kanë vendosur veten në ballë të popullit, pa marrë parasysh rrezikun. Adem Mikullovci pa u trembur prej përndjekjes nga regjimi mizor serb, ishte pjesëmarrës i Kuvendit që shpalli Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, dhe gjithnjë ishte me vepër e me zemër pranë çështjes kombëtare. Megjithatë ai kurrë nuk e la pas dore skenën dhe humorin, pasionet e tij jetësore. Në ato vite terri të thellë buzëqeshja e tij e mençur na sillte pakëz dritë dhe shpresë. Por edhe më vonë, gjatë lirisë që do ta kemi përgjithmonë

Adem Mikullovci diti të bëjë humor shpotitës dhe ironik me fenomene të ndryshme negative të shoqërisë sonë, e sidomos të kastës drejtuese. Injoranca e lakmia në pushtet, prapambetja, ishin dukuri që i jepnin një tis trishtimi buzëqeshjes së artistit tonë të madh. Megjithatë buzëqeshja në fund triumfonte. Kjo ishte mënyra e tij për të kritikuar dhe për të kontribuar në përparimin tonë shoqëror. Ai ka qenë kontribues i madh edhe në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, si veprimtar e deputet.

Për ne, po edhe gjerësisht për popullin e Kosovës, ai do të jetë i paharruar e i nderuar përgjithmonë.

“Hapja e urës së Ibrit u kundërshtua fort nga QUINT-i dhe KFOR-i”

Çështja e hapjes së Urës së Ibrit, çdo herë e më shumë po merr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.

Ngjashëm ndodhi edhe sot, ku Al Jazeera, i ka dedikuar një artikull kësaj ure, që siç thotë, për hapjen e saj po haset në kundërshti të forta.

”Institucionet e Kosovës vazhdojnë përpjekjet e tyre për të forcuar pushtetin në veri. Heqja e dinarit dhe mbyllja e institucioneve paralele në Serbi u prit me indinjatë nga vendet perëndimore.

Njoftimi për hapjen për trafik të urës kryesore në Mitrovicë shkaktoi edhe kundërshtime të forta nga vendet e Quint-it dhe KFOR-i”, thuhet ndër tjera.

Në material, mes të tjerash, ka edhe prononcime të qytetarëve që thonë se mezi presin të hapet Ura.

Ky është materiali i plotë i mediumit:

Punimet në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë, vetura bie në gropë

Një veturë ka rënë në gropën ku po zhvillohen punimet.

Rasti ka ndodhur në Fushë Kosovë, konkretisht në rrugën “Hajrullah Zymi”.

Nuk dihen shumë detaje rreth kësaj ngjarje, apo nëse ndonjë person ka pësuar lëndime.

Pamjet janë publikuar nga portali Fushë Kosova City.

Nuk i ndal ‘filmat’ Vuçiq, ja çfarë deklaron tani

Vuçiq: Serbët në Kosovë nuk jetojnë në kushtet që evropianët garantuan me nënshkrimet e tyre

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u ankua për “vuajtjet” e serbëve në Kosovë, ndërsa i priti në Beograd disa nxënës të shkollave fillore, mësues e kryetarë komunash nga Republika Srpska në Bosnjë dhe nga Mali i Zi.

Vuçiq u ankua se serbët e Kosovës nuk jetojnë në kushtet që europianët i garantuan por nuk i përmbushën, siç shkuan agjencia serbe e lajmeve, Beta.

“Serbët nuk jetojnë në kushte që europianët dhe disa të tjerë janë mësuar, në kushte që po ata europianë dhe disa të tjerë i kanë garantuar me vula dhe nënshkrime, por nuk i kanë përmbushur”, tha Vuçiq.

Pas ankesave të zakonshme, Vuçiqi tha se “nuk ka pengesa që populli serb nuk mund t’i kapërcejë”.

“Kjo ditë le të jetë një kujtesë se forca jonë është në unitet dhe se si paraardhësit tanë në të kaluarën dhe në të ardhmen, ne do të ecim me kokën lart, të gatshëm për çdo sfidë”, citohet të ketë thënë ai para nxënësve dhe mësuesve serbë.

Atyre, Vuçiq raportohet se iu tha se “Serbia është shtëpia e të gjithëve”.

Deputeti i PDK-së: Kjo Qeveri nuk mund të ndërtojë një “kotec pule” e lëre më 160 çerdhe

Anëtari i Komisionit Parlamentar për Arsim, nga radhët e PDK-së, Ardian Kastrati ka folur për Front Online lidhur me premtimin e VV-së për ndërtimin e disa çerdheve.

Kastrati tha se ‘ata që ja kanë shkruar programin për arsim si çifti i Nagavcit janë mediokër’.

Sipas tij, pushteti aktual nuk janë të aftë për qeverisje.

“Mos realizimi i premtimit nuk është befasi pasi këta nuk kanë as edhe një ekspert të arsimit ndërsa ata që ja kanë shkruar programin për arsim si çifti i Nagavcit janë mediokër. Këta janë totalisht të paaftë në qeverisje e menaxhim’, theksoi Kastrati.

Deputeti Kastrati thotë se Qeveria Kurti nuk mund të ndërtojnë një kotec pule lëre më çerdhe.

“Një pjesë e madhe e tyre punën e parë e kanë deputet e ministër dhe s’kanë menaxhuar kurrë projekte. Kurti punën e parë me pagë e ka pasur pozitën e deputetit, pra si të tillë këta nuk mund të ndërtojnë një kotec pule se lëre më ndonjë çerdhe”, tha ai.

 

Rama paralajmëron bizneset për vitin tjetër: S’ka plazhe për restorantet, shezllone për hotelet vetëm për aq sa kanë dhoma

Nga viti tjetër turizmi shqiptar do jetë përballë ndryshimeve thelbësore. Kryeministri Edi Rama paralajmëroi bizneset private, restorantet dhe beach baret se nuk do të kenë më leje për të vendosur çadra në hapësirat e plazheve.

“Përveçse se ata kanë hotele nuk mund të jepen më leje plazhesh për të ardh një individ, një person juridik apo fizik, për të thënë dua këtë plazhin këtu do të vë beach bar e do të vë shezllone. Mund të vësh beach bar por nuk ke shezllone. Mund të kesh restorant por nuk ke shezllone. Plazhi duhet shijuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe shijimi i plazhit mes atyre krevateve të ngjitur me njëri tjetrin është e pamundur”.

Hotelet që do të vendosin shezllone, do të duhet të respektojnë disa rregulla.

“Nuk mund të kesh një hotel me 40 dhoma dhe të vësh 200 shezllone e të marrësh popull aty e ti detyrosh të paguajnë. Do të vësh shezllone për aq sa ke kapacitet! Natyrisht jo një për dhomë, dhe do të lësh distancë nga shezlloni në shezllon”.

Njësitë e pushtetit vendor do të kenë  rol kryesor në menaxhimin e sektorit turistik, me caktimin e hapësirave publike për qytetarët.

“Do ta fillojmë me bashkitë, që bashkitë të marrin hapësira e të vendosin bashkitë çadra. Aty ku është e arsyeshme e shezlloneve, por me çmim tavan të detyruar.  E kemi filluar prej disa vitesh, këtë vit e shtymë më përpara që bashkitë ta administrojnë”.

Duke u kthyer në një nga sektorët më potencialë për ekonominë e vendit, kryeministri ju bën thirrje bizneseve për të vlerësuar punonjësit dhe për të rritur pagat e tyre.

“Tani kam kuptuar që kur nuk ka njerëz, ti duhet të ngresh rrogën se nuk ke ku shkon. Do t’i konsiderosh ata njerëz që punojnë për ty, gjënë më të çmuar që ke.

Këtë vit Shqipëria u vizitua nga 7.2 milionë turistë vetëm në tetë muaj, duke pësuar rritje me 60 përqind krahasuar me vitin e kaluar.

Këtë vit kam dëgjuar nga disa që kanë marrë njerëz që janë kthyer nga Greqia dhe më thonë që kemi interesim nga ata që janë në Greqi. Nuk ka më asnjë krahasim, të punosh kamerier në Greqi dhe Shqipëri, ke më shumë përfitime në Shqipëri”.

Katër vjet nga vdekja e aktorit, Adem Mikullovci

Sot, më 15 shtator janë bërë katër vjet që nga vdekja e aktorit të mirënjohur, Adem Mikullovcit.

Në karrierën e tij, Mikullovci luajti në shumë shfaqje dhe ishte regjisor i shumë filmave.

Ndër filmat më të fuqishëm është filmi ‘Një pallto për babain tim në burg’, i realizuar nën regjinë e Mikullovcit. Ky film, më mirë se çdo gjë tjetër, shpalos tmerrin që shqiptarët përjetuan nga regjimi serb.

Mikullovci ishte dhe deputet i Kuvendit të Kosovës.

Bien temperaturat, parashikimi i motit për javën e ardhshme

Në Kosovë për pesë ditët e ardhshme do të mbajë mot me diell, vranësira të shpërndara dhe riga lokale shiu.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës bën të ditur se minimalja do të jetë nga gjashtë gradë  Celsius, kurse maksimalja do të jetë 23 gradë Celsius.

Më poshtë e keni motin e plotë për të gjitha ditët:

E hënë- Mot  me diell dhe vranësira të shpërndara. Vranësirat gjatë ditës vende-vende mund të sjellin riga të dobëta shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-18 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i veriperëndimit e lehtë deri mesatare.

E martë- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 15-21 gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s.

E mërkurë- Do të mbajë mot i vranët dhe me intervale të shkurta me diell. Vranësirat gjatë ditës parashihen që vende-vende të sjellin riga shiu. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 16-20 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi    1-6/m/s.

E enjte- Do të mbajë mot me diell dhe vranësira të pakta. Vranësirat gjatë ditës vende-vende parashihen  të sjellin riga  shiu . Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 8-11gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-21gradë Celsius. Do të fryjë erë kryesisht nga veriperëndimi e lehtë  deri mesatare.

E premte- Mot me diell dhe vranësira të shpërndara .Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-10gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-23gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperëndimit  me shpejtësi    1-5m/s.

Kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike do të jenë të mira, kur kemi parasysh cilësinë e ajrit dhe  përgatitjen e tokave për mbjelljen e kulturave vjeshtore.

Kurti i pranishëm në takimin e grave të Vetëvendosjes
Po mbahet mbledhja e katërt e Këshillit të Përgjithshëm të organizatës Gratë për Vetëvendosje.

Organizimi po mbahet në Modelariumin e Fakultetit të Arkitekturës.

Të pranishëm janë edhe kryeministri, Albin Kurti dhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Tematika e kësaj mbledhjeje është “Roli dhe rëndësia e grave në shoqëri, si dhe puna e ministrisë për gratë gjatë këtij mandati”.

LVV kërkon miratimin e Projektligjit për konfiskim të pasurisë, opozita e quan të pamundur

Pushteti e opozita kanë qëndrime të ndara sa i përket projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Lëvizja Vetëvendosje konsideron se nuk ka asnjë arsye që ky projektligj të mos përkrahet nga partitë opozitare.

Ndërkaq, PDK e LDK thonë se pushteti po e shfrytëzon për lojë politike e fushatë elektorale, për çka kërkojnë sërish interpretimin e Komisionit të Venecias. Po ashtu, konsiderojnë se çdo nismë që vjen tani e tutje në parlament, e ka proceduralisht të pamundur të miratohet.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi thotë se ky projektligj ka qenë gjithmonë një nga prioritetet e qeverisë.

“Shumë shpejt në radhë të parë si Komision për Legjislacion ditëve të ardhshme, nëse jo, javën e ardhshme do ta trajtojmë në parim në komision dhe do ta rekomandojmë për seancë për shqyrtim dhe miratim në lexim të parë. Ndërkohë, personalisht mendoj se duhet ta trajtojmë me procedura të përshpejtuara në kuptimin që duke qenë se bëhet fjalë vetëm për tre nene, nuk ka asnjë arsye që të trajtohet në procedura të rregullta për të humbur kohë. Edhe ashtu është sesioni i fundit i legjislaturës. Unë besoj shumë që brenda këtij sesioni do të miratohet përfundimisht para se të hyjë në fuqi, në kuptimin e themelimit të byrosë dhe fillimit të punës”, deklaron Rrustemi për KosovaPress.

Sipas tij, pasuria e zyrtarëve të lartë shtetërorë duhet të verifikohet, për çka konsideron se nuk ka arsye që të mos ndodhë miratimi i këtij projektligji.

“Nuk ka asnjë arsye për ta mos votuar, në kuptimin as profesional e as politik, përveç atyre natyrisht që janë kundër konfiskimit të pasurisë të pajustifikueshme. Këtë bindje dhe këtë interes nuk mund të ju heqësh atyre që veç e kanë. Në të shkuarën e ka votuar LDK, tash me adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese do të duhej ta votonin të gjithë.

Por, është në interes të gjithë qytetarëve të Kosovës, shtetit të Kosovës, luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, e adreson një nga plagët e vazhdueshme të zyrtarëve të lartë publikë dhe të shpërdorimit të pasurisë publike, në kuptimin e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë. Duke u bërë milioner pa pasur asnjë angazhim tjetër, përveç se duke qenë zyrtarë të lartë të shtetit dhe kjo nënkupton keqpërdorim të pasurisë së shtetit”, tha kryetari i Komisionit për Legjislacion.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj konsideron se veprimet e partisë në pushtet janë kryesisht për fushatë elektorale.

“Kjo qeveri ka treguar që në krejt mandatin e vet nuk e ka interes këtë, nuk e ka pasur qëllim dhe nuk ka pasur idenë e qartë se a duhet të bëhet Kosova apo jo. Por, krejt këtë e ka pasur në funksion të qëllimeve populiste elektorale, për të thënë që ne jemi të interesuar për ta bërë këtë. Po të ishin të interesuar për ta bërë këtë do ta dëgjonin me përpikëri Komisionin e Venecias. Këta qëllimshëm nuk e kanë dëgjuar Komisionin e Venecias dhe prandaj në fund Gjykata Kushtetuese e rrëzoi.

Prandaj, duke e parë tani, e rikthyen edhe një herë, e shoh në funksion të interesit përsëri për qëllime të ngushta elektorale por jo për qëllime për ta realizuar idenë e kamotshme që të shihet mundësia e konfiskimit të pasurisë që njerëzit e kanë marrë në mënyrë të pabazë. Ne si LDK e shohim lojë politike, e cila nuk e ka për qëllim sikurse nuk e ka pasur asnjëherë qëllimin që vërtetë të vendoset një sistem i konfiskimit të pasurisë së pabazë në Kosovë”, shprehet Selmanaj.

Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se drafti i ri duhet të dërgohet sërish për interpretim në Komisionin e Venecias.

“Ne si LDK do ta lexojmë me kujdes edhe draftin e ri që ka ardhur, por jam i bindur që përsëri ky duhet të shkojë në Komisionin e Venecias, sepse Komisioni i Venecias ka dhënë mendim dhe rekomandim për këtë çështje dhe tash nëse kemi një draft tjetër duhet ta konfirmojmë edhe një herë për të parë Komisioni i Venecias se a është në përputhje me standardet ndërkombëtare, sidomos në kontekst të lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hajdar Beqa konsideron se është e pamundur teknikisht që të procedohet ky projektligj në këtë legjislaturë.

“Çdo nismë që tani e tutje vjen në Kuvendin e Kosovës, proceduralisht e ka të pamundur të kalojë, sepse i duhet një kohë të kalojë në lexim të parë, që të kaluar në grupe punuese, në trupa të kuvendit, komisione, që të dëgjohen palët e interesit dhe të ketë një transparencë se çka duam të arrijmë me këtë ligj.

Kjo i bie që qeveria në shkuarje këtë propozim sikur e ka pasur në fillim në fushatë vetëm për sy e faqe, ose sa për të marrë vota të qytetarëve. Prapë e ka vetëm për fushatë, sepse nuk e ka qëllimin që të ketë një ligj të tillë. Për këtë ligj dhe për ligjet tjera të cilat nuk kanë kaluar në këtë legjislacion dhe nuk kanë ardhur ende në këtë kuvend mund të flasim në legjislaturën e ardhshme, qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga zotëri Hamza”, deklaron Beqa.

Javën e kaluar, ekzekutivi ka miratuar projektligjin e ri për byronë, ku sipas ekzekutivit, janë adresuar vetëm katër nenet që janë rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese./KP