‘Dorëzohet’ Vuciq jep lajmin e papritur

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi më 30 nëntor se nga e marta rafineria e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) në Pançevë nuk do të funksionojë më dhe se Serbia do të duhet të “gjejë mënyra të ndryshme për të menaxhuar” situatën, raporton Beta.

Vuçiq u tha qytetarëve se duhet të jenë të qetë, sepse shteti do të ketë “mjaft zgjidhje dhe mjaft para”.

Ai paralajmëroi se sot do të përpiqet të zhvillojë bisedime shtesë me amerikanët, por se nuk beson që ata do ta ndryshojnë vendimin. Vuçiq tha tashmë nuk pret që do të marrë licencë nga SHBA-ja dhe se rafineria duhet të mbyllet të martën.

Gjithashtu, ai tha se nesër ka një takim të rëndësishëm në të cilin duhet të adresohen këto probleme dhe se Serbinë e pret “një betejë e vështirë”.

Vuçiq tha për TV Informer se “nuk e kupton logjikën dhe taktikën” e SHBA-së lidhur me NIS-in, as pse kësaj kompanie nuk i zgjatet leja e punës, megjithëse shteti serb ka dhënë garanci se deri në afatin e vendosur nga SHBA-ja do të ndryshohet pronësia në atë kompani, e cila është nën sanksionet amerikane për shkak të pronësisë ruse.

Serbia më herët kishte kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të miratojnë licencën e punës për NIS-in, ndërkohë që po zhvillohen negociatat për ndryshimin e pronësisë në këtë ndërmarrje që është nën sanksionet e SHBA-së.

Ai theksoi se i kanë transmetuar SHBA-së se i respektojnë sanksionet e tyre dhe se kanë kuptuar se është e nevojshme të ndryshohet pronësia në NIS, si dhe se kjo do të ndodhë brenda 50 ditësh, dhe se shteti serb jep garanci që kjo do të ndodhë pas skadimit të atij afati.

Vuçiq u shpreh se nga SHBA-ja u ka thënë që sanksionet i kanë paralajmëruar që para tetë-nëntë muajsh.

Sanksionet amerikane ndaj NIS-it hynë në fuqi më 9 tetor dhe janë pjesë e një përpjekjeje të administratës amerikane për të penguar Rusinë që të përdorë të ardhurat nga energjia për luftën në Ukrainë. Këto sanksione ishin shtyrë më parë tetë herë.

Vuçiq përsëriti se Serbia nuk është pronarja kryesore e kompanisë dhe se ajo nuk mund të vendosë në emër të rusëve se çfarë do të bëjë me të.

Ai kujtoi se Serbia kishte vetëm të drejtën e përparësisë për blerje si aksionere minoritare e NIS-it dhe se e ka hequr dorë nga kjo e drejtë për t’u lënë rusëve mundësinë që ta bëjnë “sipas dëshirës së tyre”, sepse kjo është “e drejtë” kur dikush duhet të shesë nën presion, dhe sanksionet janë vendosur nga jashtë.

NIS është kryesisht në pronësinë e kompanive ruse, ndërsa Serbia ka 29.87 për qind të aksioneve, dhe pjesa tjetër është në duart e hisedarëve më të vegjël.

Vuçiq tha se është pothuajse i sigurt se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk i di detajet, por se ato i dinë shumë zyrtarë të lartë në Departamentin e Shtetit dhe se kjo dukshëm është politika që ata mbështesin.

Udhëheqësi serb tha se kishte përpjekur dhe ishte i sigurt se amerikanët do të merrnin një vendim pozitiv pas Ditës së Falënderimeve, e cila ishte të enjten, por kjo nuk ndodhi, dhe tani nuk e pret më këtë.

“Tani duhet të përgatitemi dhe të bëjmë punën tonë, për të siguruar vendin. Këtu do të na tërheqin të gjithë dhe do të kërkojnë që të jemi në kampin e tyre, askush nuk do të na lejojë të jemi neutralë dhe të merremi me punët tona”, tha Vuçiq.

Ai shtoi se te rusët “nuk ka shumë nxitim – për ta më e rëndësishme është që pronësia e tyre të qëndrojë sa më gjatë të jetë e mundur” dhe shtoi se Serbia është në “një situatë shumë të vështirë”, por se do ta “zgjidhë problemin”.

Ai përmendi gjithashtu se Serbia ka një marrëveshje për gaz me Rusinë deri më 1 janar dhe se do të përpiqet të diskutojë edhe një herë për zgjatjen e saj me rusët, “dhe nëse kjo nuk bëhet, do të shkojmë te të tjerët”.

“Ne do të luftojmë dhe do të përpiqemi të ruajmë aty ku mund marrëdhënie miqësore, dhe aty ku mundet, marrëdhënie partneriteti”, theksoi ai.

Prej dekadash, Serbia varet nga gazi rus nga i cili siguron më shumë se 80 për qind të nevojave të saj energjetike, por shteti nuk ka një kontratë afatgjatë me Rusinë për furnizim me gaz.

A do të qarkullojnë autobusët nesër? Trafiku Urban jep njoftimin zyrtar
Autobusët e kryeqytetit, nuk do t’i kthehen punës as nesër. Greva e punëtorëve të Trafiku Urban do të vazhdojë nga ora 10.00.

Kështu ka konfirmuar për Radio Kosovën, kryetari i Sindikatës së Trafikut Urban, Ilmi Gashi, duke thënë se greva do të vazhdojë deri në momentin që Komuna e Prishtinës ta shlyejë borxhin që ka ndaj operatorëve publikë dhe atyre privat.

Duke filluar nga ora 10.00 e mëngjesit deri në orën 12.00, Trafiku Urban do të bllokojë rrugët nga Qeveria e Kosovës deri te Komuna e Prishtinës, në shenjë proteste për mosmarrjen e pagave dhe mos alokimin e borxhit nga Komuna e Prishtinës. Kryetari i sindikatës së Trafikut Urban në Prishtinë, Ilmi Gashi, duke folur për Radio Kosovën tha se sigurimi i fondeve të nevojshme për pagesa dhe stabiliteti i shërbimeve të transportit urban, janë dy kërkesat bazike të kësaj greve.

“Nesër fillon greva në orën 10.00 deri në orën 12.00, me autobus do të dalim për bartjen e punëtorëve tanë deri të objekti i Komunës. Greva do të vazhdojë deri në momentin e alokimit të mjeteve në xhirollogarinë e Trafikut Urban. Vendimi që është marr të premten, ende nuk ka arritur për vërtetim në Ministrinë e Financave dhe atje e kemi premtimin që në momentin e verifikimit ato të alokohen në Komunën e Prishtinës dhe më pas komuna do të bëjë shpërndarjen sipas obligimeve që detyrohet. Nëse nuk alohohen, greva vazhdon në ditët me radhë, varësisht nga kushtet që do të kemi”, tha ai.

Gashi ka shprehur keqardhjen për vështirësitë që janë shkaktuar nga pezullimi i transportit publik, por ka thënë se në momentin që mjetet alokohen, shërbimi i transportit publik do të rikthehet pa asnjë vonesë.

“Ky vendim ka mundur të merret edhe muaj më parë, por pse ka ndodh kështu, e dinë ata vet. Sigurisht kanë pritë protestë me bë. Është njollë e keqe me prit protestë për ta marr një vendim. Shpresojmë shumë që të mos vjen në këtë gjendje më, qyteti i Prishtinës”, shtoi ai.

Zyrtarë të Trafikut Urban kanë theksuar se të gjitha biletat mujore të paguara, do të kompensohen ditët në të cilat shfrytëzuesit nuk kanë mundur të përdorin shërbimin e transportit.

Greva e Trafikut Urban ka nisur nga e hëna, duke u pezulluar të gjitha linjat. 3 milionë e 220 mijë euro janë borxhet që Komuna ia ka Trafikut Urban, ndërsa 1 milion e 600 mijë euro, Trafiku Urban ua ka borxh furnitorëve për derivate, tha krye-sindikalisti, Ilmi Gashi./rtk/

Policia arreston pesë persona në Veri – kjo është arsyeja

Policia në kuadër të aktiviteteve të rregullta në fshatin Berberishte të Leposaviqit ka hasur në pesë persona me gjashtë armë, pushkë gjuetie për të cilat nuk kanë pasur leje apo autorizimet e nevojshme.

Personat janë shoqëruar ne Stacion policor Leposaviq, janë intervistuar ne praninë e avokatëve dhe më pas janë liruar ne procedure te rregullt.

Në lidhje me rastin është njoftuar Prokurori i shtetit, armët janë sekuestruar dhe ndaj tyre është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim te paautorizuar te armës”.

Dëshmitë të cilat janë gjetur dhe janë sekuestruar janë:

1. Pesë ( 5 ) pushke Gjuetie
2. Një pushke e llojit Karabine
3. Gjashtëdhjetë e nëntë ( 69 ) fishek te kalibrit 12 mm te pushkëve te gjuetisë
4. Shtatëmbëdhjetë ( 17 ) fishek te kalibrit 7.64mm te pushkës Karabine
5. Katër rrethatore- mbajtëse te fishekëve
6. Dy flete arme te RSFJ-se dhe një leje e gjuetisë te shtetit te Serbisë.

Policia mbetet e përkushtuar ne zbatushemërinë e ligjit dhe apelon për te gjithë qytetaret që mos të dalin në gjueti pa poseduar lejen adekuate.

Granit Plava tregon si u planifikua vrasja e Liridona Ademajt minutë pas minute

Të shtunën u mbushën dy vjet nga vrasja tronditëse e Liridona Ademajt, ngjarje që goditi gjithë opinionin publik.

Ajo u vra para syve të fëmijëve të saj, në natën e errët të 29 nëntorit 2023, një krim që vazhdon të lërë plagë të hapura në familjen Ademaj.

Për këtë vrasje të rëndë, në bankën e të akuzuarve qëndrojnë ish-bashkëshorti i saj, Naim Murseli, së bashku me Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën. Familja Ademaj ka qenë e prerë në kërkesën e saj: burgim të përjetshëm për të tre.

Dokumenti i Forenzikës Psikiatrike, të cilin e ka siguruar Klankosova.tv, zbulon se krimi nuk ishte i rastit, përkundrazi, ishte planifikuar me kujdes makabër.

Sipas dëshmisë së Granit Plavës, del qartë se vetë Naim Murseli e kishte përgatitur armën me 5 fishekë, duke e kthyer natën e 29 nëntorit në një skenë të paramenduar.

“Dy ditë më herët, nëpërmjet Kushtrimit, unë u pata taku me Naimin, patëm dalë natën edhe patëm pi. Ditën kritike unë u zgjova në mëngjes, edhe Naimi kah ora 9:30 – 10:00 ka ardhë më ka marrë edhe jena nis për në Prishtinë. Ai ka ec përpara me kerr, unë përmas. Jemi ndal të pompa … edhe aty ma ka lonë allatin e 5 fishekë në shanzher dhe 15 fishekë të tjera. Tani jemi nis për në Prishtinë, ndërkohë ma ka qitë ni kafe edhe mu më ka ardhë qajo energjia madhe”, ka thënë Granit Plava në dëshminë e tij.

“E kom përcjellë ato deri te shpija e vet edhe e kena pa venin, tani une kom dalë në rrugë e kom njek përmas Naimin, se ai ka pasë mi marrë grunë edhe fmin edhe me dalë në darkë. Une gjithë jom konë përmas, po mas tina u shku teposhtë ka pas ni aksident të trafikut, une i rashë ni rrugës tjetër se u tuta që po më nxen policia e kisha pi marihuanë. Ma ka shkru Naimi edhe ma ka vet ku je, tani ma ka qu lokacionin me ka prit te shitorja, une tani e kom nxon rrugës”.

Akoma më i rëndë bëhet i gjithë rasti kur, sipas kësaj dëshmie tronditëse, zbulohet se në momentet vendimtare Naimi i kishte thënë Granitit: “gjuj, gjuj”.

“Kur kemi mri te kafja në Graçanicë ai ka hi me familjen e vet, une kom nejt aty në kafe edhe i pritsha instruksionet, tani me ka shkru Naimi me ka thanë ‘po qohmi?’. Kur kanë dalë prej kafes une jom kan mas tyne, kom mri, jena mri te veni ngat shpise së Naimit, une e kom kan kerrin, edhe kur ai u nal i kom dalë përpara, ate e kan qel xhamin pak edhe kom unë e kom qellu në drejtim të asaj grusë. Naimi thojke “gjuj gjuj” po une u nisa drejt teposhtë edhe me kerr kom mri në shpi. Mas nja ni ore kom mri në shpi kom ra kom flejt, të nesërmen kom marrë vesh që ajo ka dek. Mas dy ditëve ka ardhë policia edhe më kanë arrestu”, kishte thënë Plava.

“Nuk po mundem me besu hala…” – Babai i Granit Plavës rrëfen për herë të parë pas vrasjes së Liridona Ademajt

Babai i Granit Plavës, njërit nga të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt, ende nuk mund ta besojë veprën që ka kryer djali i tij.

Në dokumentin e Forenzikës Psikiatrike, të siguruar Klan Kosovsa, babai i Granitit ka treguar se djali i tij ishte fëmijë me zhvillim normal, pa probleme dhe pak mendjelehtë.

“Graniti është djali i imi, ka qenë fëmijë me zhvillim normal, nuk ka bo probleme, o konë pak mendjelehtë, e ka pasë një aksident me motor në Skenderaj edhe tani e kanë bo operacion në Mitrovicë. Pas atij aksidenti, kanihere u ankoje që po i dhemb krytë, po probleme diçka nuk ka bo, mirë ka shku me gruan dhe me neve, ka punu me mu edhe nëpër firma, më së shumti në ndërtimtari. Nuk po mundem me besu hala çka ka ndodh”, lexohet në dëshminë e tij.

Në të njëjtin dokument, Granit Plava ka treguar se Naim Murseli ia kishte siguruar armën me plot 20 fishekë për të vrarë Liridona Ademajn më 29 nëntor 2023.

Ai ka shtuar gjithashtu se, në natën kritike, Naimi hapi xhamin e veturës, ndërsa Graniti qëlloi dhe më pas iku nga vendi i ngjarjes.

Përleshje mes tifozëve kroatë e serbë tronditën Vukovarin

Kroatët nuk durojnë provokimet e tifozëve famëkeq “Delije”.

“Përplasje midis tifozëve të Dinamos dhe Cërvena Zvezdës në Vukovar”, shkruan media boshnjake “Sportsport”.

“Dihet se ka pasur armiqësi të madhe midis tifozëve të Dinamos dhe Zvezdës për dekada, dhe kjo është vërtetuar në Vukovar”, shkruan më tej.

“Në fillim, u raportua me një rezervë se “Bad Blue Boys – BBB” e Dinamos dhe ‘Delije” u përleshën në Vukovar, por ky informacion u verifikua shpejt.

Mediat serbe njoftuan se ishin konfirmuar se përleshja në Vukovar ishte me të vërtetë midis tifozëve të klubeve nga Zagrebi dhe Beogradi”, shkruan media boshnjake.

Nuk dihet nëse ka pasur të lënduar në përleshjen që tronditi Vukovarin, por edhe të gjithë rajonin.

Serbia e arreston dhe më pas e liron ish-policin e Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës konfirmon se në orët e para të mëngjesit të sotëm, Nexhat Pireva, shtetas i Republikës së Kosovës nga Kamenica dhe ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës për rreth 14 vite, është arrestuar nga autoritetet serbe në pikën kufitare të Dheut të Bardhë.

Ai po udhëtonte drejt Bujanocit së bashku me bashkëshorten dhe fëmijët e tyre.

Pas marrjes në pyetje për rreth katër orë, z. Pireva është liruar dhe aktualisht ndodhet në liri.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dënon veprimet e vazhdueshme të autoriteteve serbe, të cilat përbëjnë keqtrajtim të shtetasve të Republikës së Kosovës dhe janë në kundërshtim me marrëveshjet e nënshkruara mes dy shteteve.

MPJD u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin përmes territorit të Serbisë deri në informacione të mëtejshme, për të siguruar mbrojtjen e tyre. /IndeksOnline/

 

Gjyqi i madh drejt finales, ja kur pritet të merret vendimi

Pas më shumë se 5 vjet proces gjyqësor ndaj katërshes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duket se është afruar fundi. Tashmë kur në fillim të muajit shkurt janë caktuar seancat për fjalët përfundimtare në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, muaji prill dhe fillimi i muajit maj 2026 po shihen si afate optimale që trupi gjykues të nxjerr aktgjykimin e shkallës së parë.

Monitorues të këtij procesi gjyqësor vlerësojnë se gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve ka qenë proces i gjatë dhe i përcjell me mungesë transparence për shkak të numri të madh të dëshmitarëve të ZPS-së që u dëgjuan në seanca të redaktuara apo edhe të mbyllura për publikun, raporton KosovaPress.

Monitoruesi nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Amer Alija, beson që fillimi i majit 2026 do të sjellë një aktgjykim për katërshen e UÇK-së, të cilët janë në paraburgim në Hagë që nga viti 2020.

“Ka qenë një gjykim maratonik që ka zgjatur 5 vjet. Gjatë këtyre viteve ka pasur edhe sfidat dhe ka qenë periudha e COVID-it. Ky proces ka pasur edhe shumë seanca të redaktuara për publikun, rreth 50 për qind e dëshmitarëve kanë qenë dëshmitarë të mbrojtur të Prokurorisë. Shqyrtimet gjyqësore kur janë dëgjuar këta dëshmitarë kanë qenë pjesërisht apo kryesisht të mbyllura për publikun dhe kjo ka ndikuar te cenimi i transparencës dhe publicitetit…Tani rasti ka ardhur në përfundim të procedurës, deri më 17 janar nëse nuk gaboj janë procedurat ku mbrojtja dhe palët tjerat duhet të paraqesin dosjet përfundimtare, më pastaj më 9 deri 13 shkurt 2026 janë caktuar të mbahen fjalët përfundimtare dhe pasi të përfundojë kjo procedurë, me fjalën përfundimtare trupi gjykues brenda 3 muajsh duhet ta shpallë aktgjykimin. Sigurisht, diku kah fillimi i muajit maj 2026 pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë në rastin Thaçi dhe të tjerët”, tha ai.

Por, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, koha e shpalljes së aktgjykimit për rastin Thaçi dhe të tjerët po afrohet.

Ai thotë se muajt mars dhe prill mund të shënojnë momentin kur Gjykata Speciale do të zbardhë vendimin e saj të parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

“Me vetë faktin që gjatë muajit shkurt është paraparë fjalët mbrojtjes qoftë të prokurorisë, avokatëve mbrojtës unë besoj që muaji mars, prill mund të jenë afate kohore kur gjykata mund të dal me një vendim për rastin në fjalë, po flas për shkallë të parë“, thotë Miftaraj.

Në shqyrtimin gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi i cili nisi në prill 2023 në gjithsej 227 seanca gjyqësore u dëgjuan 125 dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ndërkaq 117 të tjerë dorëzuan dëshmitë e tyre me shkrim dhe dy dëshmitarë të mbrojtjes së viktimave.

Ndërkaq, në fillim të muajit shtator nisi dëgjimi i shtatë dëshmitarëve të mbrojtjes, të cilit ishin zyrtarë të lartë perëndimorë me njohuri të drejtpërdrejtë të zhvillimeve nga koha e luftës. Në mesin e tyre ishte edhe ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, gjenerali amerikan në pension, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999.

Lidhur me dëshminë e kësaj dysheje të rëndësishme, por edhe të tjerëve që u dëgjuan, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë vlerëson se dëshmitë e mbrojtjes kanë peshë të madhe.

“Mbrojtja përmes këtyre deklaratave, të cilat do të kenë një peshë të madhe tek vlerësimi i kredibilitetit nga trupi gjykues kanë dashur të tregojnë të kundërtën nga çka ato që kanë pretenduar prokuroria…Deklaratat e këtyre dëshmitarëve të cilët kanë qenë të kyçur drejtpërdrejtë me zhvillime gjatë viteve 98’, 99’ sigurisht që do të kenë peshë, dhe njohuritë dhe deklaratat e tyre lidhur me organizimin e UÇK-së lidhur me përgjegjësitë dhe jo përgjegjësitë e Hashim Thaçit dhe të tjerëve do të vlerësohen nga trupi gjykues”, deklaron Alija.

Ndërsa, Ehat Miftaraj nga IKD thotë se këto dëshmi e shkatërruan narrativen e Zyrës së Prokurorit të Specializuar që kishin ndërtuar për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Fatkeqësisht, është evidente që kjo gjykatë nuk ka pasur transparencë të plotë pasi një numër i madh i seancave kanë qenë të mbyllura për publikun dhe shoqërinë civile… Ajo çka thash në fund të procesit kur edhe mbrojtja, prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave i kanë dhënë deklaratat e fundit të procesit, mund të themi me kompetencë dhe pa ndërhyrë në proces, është fakti që Prokuroria mund të themi se ka ngritur një aktakuzë jashtëzakonisht shumë-shumë të dobët. Ka pasur një përfaqësim të aktakuzës shumë të dobët e cila pastaj në raste të caktuara kualiteti i dobët i aktakuzës është munduar të kompensohet me një qasje agresive nga ana e prokurorëve. Kualiteti, integriteti, kredibiliteti i dëshmitarëve të ZPS ka qenë i nivelit shumë të ulët në raport me kredibilitetin, integritetin e dëshmitarëve të mbrojtjes…Dëshmitarët e mbrojtjes e shkatërruan narrativen që ka ndërtuar Prokuroria Speciale lidhur me atë se kush e ka udhëhequr UÇK-në, në këtë rast Prokuroria e ka quajtur Hashim Thaçin si komandant të UÇK-së”, theksoi ai.

Strategjia e mbrojtjes ishte të argumentonte se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese, dhe se roli i ish-presidentit Hashim Thaçi ishte politik, por pa autoritet mbi operacionet ushtarake.

Ish-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, James Rubin gjatë dëshmisë së tij më 16 shtator tha se UÇK-ja ishte pa “kontroll dhe komandë efektive”.

Edhe gjenerali amerikan, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, në dëshminë e tij, më 17 tetor, UÇK-në e përshkroi si grupe të pavarura, por pa zinxhir komandues.

Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Hagë nga viti 2020. Ata janë deklaruar të pafajshëm mbi akuzat që i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar. Sipas aktakuzës, Thaçi, Veseli, Krasniq dhe Selimi akuzohen për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Policia arreston dy persona në veri, penguan zyrtarët në detyrë duke e bllokuar rrugën me kamion

Një incident i pazakontë është raportuar të shtunën në mbrëmje në komunën e Zubin Potokut, ku dy persona, një burrë dhe një grua dyshohen se kanë penguar lëvizjen e automjeteve duke vendosur një kamion në mes të rrugës, njofton Mitropol.

Sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 29 nëntor 2025, rreth orës 18:30, kur njësitë policore janë njoftuar për bllokim të qëllimshëm të qarkullimit. Pas arritjes në vendngjarje, policia ka identifikuar dy të dyshuarit dhe i ka shoqëruar për intervistim lidhur me veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, pasi veprimet e tyre dyshohen se kanë penguar ushtrimin e detyrës së organeve të rendit.

Të dy personat janë marrë në pyetje në stacion, ndërsa hetuesit kanë njoftuar prokurorin e rastit për procedurën e mëtejshme. Sipas vendimit të prokurorit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa rasti vazhdon të hetohet për të sqaruar motivet dhe rrethanat e plotë të ngjarjes.

Rasti mbetet nën hetim nga Policia e Kosovës.

Bekim Jashari – Hedh dritë mbi origjinën e fotografive të Adem Jasharit dhe familjarëve të tij

Në një reagim publik, Bekim Jashari, djali i heroit Hamez Jashari, ka bërë një sqarim të rëndësishëm lidhur me një prej momentëve më të njohura të historisë së luftës për lirinë e Kosovës.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij për disa keqkuptime që kanë qarkulluar lidhur me fotografitë ikonike të Komandantit Legjendar Adem Jashari, babës Shaban dhe të babait të tij në uniforma ushtarake, të cilat janë publikuar kohët e fundit në kronikën e Klan Kosovës nga Foto Kabashi.

Sipas Bekim Jasharit, këto fotografi janë realizuar nga vetë Adem Jashari dhe grupi i tij, të cilët i bënë këto imazhe me njohjen se mund të mos kishin mundësinë t’i shihnin kurrë, por që ato do të shiheshin më vonë nga bota e gjithë. Ai theksoi se ky akt kishte si qëllim dokumentimin e historisë së luftës dhe lirisë, të cilën ata po luftonin ta realizonin, dhe për këtë arsye, këto fotografi janë një dëshmi e rëndësishme për brezat që erdhën pas luftës.

“Ata i realizuan fotografitë të vetëdijshëm se ndoshta nuk do t’i shihnin kurrë, por ato do t’i shihte më vonë e gjitha bota,” ka thënë Bekim Jashari, duke nënvizuar rëndësinë e këtyre imazheve për kujtesën historike të Kosovës.

Po ashtu, ai ka bërë të ditur se filmat dhe pamjet që përfshijnë këto fotografi janë dërguar në Gjermani te Rifat Jashari, dhe janë transportuar nga Mujë Sejdiu dhe Tahir Jashari, dy emra të njohur nga zona e Prekazit dhe Lubavcit.

Në reagimin e tij, Bekim Jashari ka theksuar se ky sqarim nuk është një akuzë apo sulm ndaj askujt, por një mundësi për të ruajtur dhe pasqyruar të vërtetën. Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e nderimit të kontributit të çdo individi që ka luajtur një rol në luftën për lirinë e Kosovës, pa shtrembëruar historinë e saj.

“Secili shqiptar ka meritat e veta për rrugën tonë drejt lirisë e pavarësisë, nuk kemi nevojë të shtrembërojmë të vërtetën e historisë sonë të lavdishme,” ka shtuar ai, duke u fokusuar në rëndësinë e unitetit dhe njohjes së merituar të të gjithëve që dhanë kontributin e tyre në këtë luftë të lavdishme.