Sveçla: 23 heronjtë e rënë në detyrë janë pjesa më e lavdishme e Policisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka thënë se pas sakrificash të gjata e të mundimshme të popullit për liri, 25 vjet më parë erdhi dita që të themelohej edhe shërbimi policor i Kosovës, për të cilin tha se ishte domosdoshmëri e kohës dhe e vendit.

Sveçla përmendi heroin e parë të Policisë së Kosovës, Lazim Rexhepin, i cili ra në krye të detyrës më 11 shtator të vitit 2001.

“Dy vite pas themelimit të saj, në përpjekjet e pareshtura për avancim dhe në shërbim të çdo qytetari, policia u ballafaqua me humbjen e pjesëtarit të parë të saj në krye të detyrës. Më 11 shtator 2001, tashmë heroi Lazim Rexhepi do të vritej nga një grup plaçkitësish të maskuar duke u bërë heroi i parë që bie në krye të detyrës”.

“23 vite më vonë, që nga ky rast e 25 vite nga themelimi i Policisë së Kosovës, vendi ynë shënon në historinë e tij 23 pjesëtarë policorë të rënë në krye të detyrës. Sot, kur në sallë përveç familjarëve, kemi shumë prej kolegëve të heronjve të rënë në krye të detyrës, shprehi admirimin më të lartë për ta, për qëndresën e tyre e për vazhdimin në shërbim përkundër këtyre sfidave”, tha Sveçla.

Tutje, ai tha se 23 heronjtë, janë pjesa më e lavdishme e Policisë së Kosovës, e ku sipas tij, prej heroit Lazim Rexhepi deri te heroi Afrim Bunjaku, dëshmuan se e mbrojnë betimin e dhënë, e mbrojnë jetën dhe pronën e qytetarëve, integritetin dhe sovranitetin territorial të Kosovës, qoftë edhe me jetën e tyre.

“Në pothuajse 4 vite të mandatit tonë, policia ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme, si në goditje të grupeve kriminale, rrjeteve e laboratorëve të drogës, terrorizmit, kontrabandës, korrupsionit e më e rëndësishmja, ka mbrojtur me çdo çmim integritetin tonë territorial dhe shtrirjen e sovranitetit, veçanërisht në veri të vendit”.

“Ajo zonë e vendit tonë, ku jeta e zyrtarëve tonë policorë, pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve por edhe qytetarëve, është rrezikua nga grupe kriminale e terroriste të dirigjuara nga Serbia, po i kthehet çdo ditë e më shumë normalitetit të munguar prej një çerekshekulli. Këtë muaj bëhen një vit prej sulmit terrorist në Banjskë, ku në pritën e organizuar nga një grup terrorist, me minë kundër këmbësorisë u vra rreshteri Afrim Bunjaku”.

“Ky sulm terrorist shfaqi aspiratat e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit tonë dhe parandaloi realizimin e skenarit të saj për aneksimin e veriut të vendit. Drejtësia për Afrim Bunjakun dhe llogaridhënia e Serbisë për organizimin e këtij sulmi janë të domosdoshme”, tha tutje Sveçla.

Më tej, i pari i MPB-së shprehu mirënjohje edhe për partnerët e Kosovës, që sipas tij, në këto 25 vite kanë kontribuar në forma të ndryshme që Policia e Kosovës të jetë në nivelet më të larta të detyrës.

“Për fatin e mirë të vendit tonë, në historinë e saj, policia shënon plot 60 gjenerata me zyrtarë policorë, që shumë prej tyre nga të parat janë ende në shërbim, e më vjen keq që sot s’mund ta takojmë secilin individualisht që t’i shprehim mirënjohjen tonë për shërbimin e tyre”.

“Qofshi shembulli më i mirë i fëmijëve që ëndërrojnë uniformën tuaj dhe së bashku qofshim shtylla e fortë për të ardhmen e tyre të sigurt dhe prosperuese”, tha ai.

Sot për herë të parë në historinë e Policisë së Kosovës është intonuar edhe himni zyrtar i tyre.

Publikohet një video e Thaçit të vitit 99 kur e inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi, ka publikuar një video të vitit 1999 kur atëherë kryeministër i Kosovës Hashim Thaçi inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërrua në Polici të Kosovës.

“Në qershor të vitit 1999, Hashim Thaçi me shokët e tij u kthye fitimtar nga frontet e luftës për çlirimin e Kosovës. I vetëdijshëm se pas lirisë, rruga për ngritjen e shtetit sapo kishte filluar, me 6 shtator të po atij viti, Hashim Thaçi, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, inauguroi shkollën e Shërbimit Policor të Kosovës, që pas pavarësisë së vendit u shndërrua në Polici të Kosovës”, ka shkruar Krasniqi.

Që nga ajo ditë, sipas tij, me dhjetëra-mijëra qytetarë të Kosovës kanë shërbyer në uniformën e vendit të tyre, duke garantuar sigurinë, paqen dhe stabilitetin në vend.

“Prandaj, sot, në 25 vjetorin e themelimit të Policisë sonë, u shpreh mirënjohjen më të thellë grave dhe burrave që ndër vite kanë shërbyer me nder, përgjegjësi dhe krenari. Kosova, si një histori e bukur suksesi, përveç lidershipit të saj të duhur politik në momentet më të rëndësishme, është meritë edhe e policisë së mrekullueshme të vendit tonë. Urime të gjithë policëve tanë. Jemi me ju dhe krah jush në çdo hap!”, ka shkruar Krasniqi.

Këtu mund ta shikoni videon

Bllokadat e paralajmëruara në veri, Elshani: Gjithçka në rregull, kurrë më mirë s’ka qenë

Zëvendësdrejtori për rajonin e veriut, Veton Elshani është shprehur se gjithçka është nën kontroll në pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, ku janë paralajmëruar bllokada nga ana e serbëve, të cilët duan që të tërhiqet Policia e Kosovës nga veriu, dhe KFOR-i ta merr në mbikëqyrje.

Ndër të tjera, Elshani tha se nëse protestuesit tentojnë të hyjnë në Kosovë, policia është e gatshme për veprimet e mëtutjeshme.

“Nuk kemi informacion për numrin e protestuesve, për neve nuk është me rëndësi se sa persona janë, munden me qenë me mijëra por janë në pjesën e tyre, nëse tentojnë të hyjnë në anën tonë, ne jemi këtu. Nuk parashihet se do të ketë probleme në veri, e në bazë të bllokadës dhe do të veprojmë”, u shpreh zëvendësdrejtori.

Po ashtu, Elshani tha se nuk janë të nevojshme të shtohen forcat e KFOR-it, pasi sipas tij gjithçka është në rregull, e kurrë më mirë s’ka qenë.

“Nuk ka nevojë për forca të shtuara të KFOR-it pasi asgjë nuk do të ndodh në veri, nëse tentojnë të vijnë në veri ne këtë punë kemi, të sigurohemi që nuk kallet pika kufitare, dhe i marrim masat e duhura. Gjithçka është në rregull, kurrë më mirë s’ka qenë”, tha Elshani në Kosova Today të Klan Kosova.

Sinani fton me urgjencë bashkësinë ndërkombëtare që t’i parandalojë veprimet e serbëve për bllokim të kufijve

Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, pas paralajmërimeve të serbëve për bllokim të kufijve me Kosovën ka thënë se këto veprime përbëjnë rrezik real dhe mund të shkaktojnë probleme.

Sinani tha se këto veprime e rëndojmë edhe më tepër pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Kjo situatë vetëm sa rëndon më tej pozitën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke ndikuar negativisht në jetën e përditshme dhe duke i shtuar ndjenjën e izolimit një komuniteti që tashmë përballet me sfida të mëdha ekonomike dhe shoqërore”, ka shkruar ajo në Facebook.

Tutje, ajo i ta bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të reagojnë dhe të ndërmarrin hapa për të parandaluar përshkallëzimin e situatës.

“Ftojmë me urgjencë ambasadat e SH.B.A.-së, shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, dhe bashkësinë ndërkombëtare që të reagojnë dhe të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të parandaluar përshkallëzimin e kësaj situate. Duhet të angazhohemi për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon, duke respektuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve për lëvizje të lirë dhe jetesë të qetë”, ka shkruar ajo mes tjerash.

Sot, është paralajmëruar bllokimi i pikave kufitare të cilat lidhin Serbinë me Kosovës, thirrje kjo e lëshuar nga e ashtuquajtura “Organizata për bllokada në Serb”.

Kjo organizatë i ka bërë thirrje qytetarëve serbë t’iu përgjigjen ftesës pozitivisht për të protestuar të premten në ora 18:00, e cila sipas tyre do të vazhdoj deri në largimin e njësive speciale nga veriu

Bislimi pas takimit me Lajçakun: Ura e Ibrit duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme

Zëvedëskryeministri Besnik Bislimi është deklaruar pas takimit që pati në Qeveri me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak – me të cilin kanë folur për dialogun, si dhe për çështjen e Urës së Ibrit.

Bislimi tha se ia ka bërë të qartë emisarit Lajçak, se Ura e Ibrit duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme ashtu siç është rënë dakord në Bruksel.

 

 

“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”.

Emisari Lajçak ka thënë se qëndrimi i BE-së është që ura të hapet, por në koordinim me partnerët ndërkombëtarë.

Vuçiq: Serbia është në rrugën evropiane, por nuk do të heqë dorë nga miqtë tradicionalë Rusia e Kina

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se ai do të marrë vendimin lidhur me ftesën e presidentit rus, Vladimir Putin, për takimin e BRICS-it më 10 apo 15 tetor.

Vuçiq u tha gazetarëve se ai nuk dëshiron që ta refuzojë apo të pranojë çdo gjë.

“Nuk ka dyshim se është ftesë e rëndësishme, siç keni organizuar më herët vizita të rëndësishme”, tha ai, duke shuar se nuk mund të tregojë se për çfarë vizite bëhet fjalë, por të gjithë do ta shohin se ishte e rëndësishme.

Serbia është në rrugën evropiane, por ka politikën e saj dhe nuk do të heqë dorë nga miqtë e saj tradicionalë, përfshirë Kinën dhe Rusinë. Ne duam të ruajmë këto miqësi, teksa zotohemi për një të ardhme ndryshe”, shtoi Vuçiq.

Kurtit i ndodhë e papritura gjatë fjalimit për Policinë e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ishte i pranishëm sot në ceremoninë e shënimit të 25 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.

Kurti nisi fjalimin e tij me falënderime ndaj të pranishmeve.

Derisa filloi të flasë për Policinë e Kosovës, Kurtit i ndodhi e papritura.

Në sallën ku po zhvillohet ceremonia u ndalën dritat, mikofronët dhe çdo lidhje tjetër me energjinë elektrike.

Kurti e mori me shaka dhe nisi të qesh në momentin kur atij iu ndal mikroni, derisa priste që të rregullohej.

Nuk dihet se si erdhi deri tek ky problem teknik, por kjo ndodhi pasi të tjerët përfunduan fjalimet dhe nisi të flasë i pari i Qeverisë.

“Policia e Kosovës, ditë e natë në shërbim”- Intonohet për herë të parë Himni i Policisë së Kosovës

Në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës sot për herë të parë është intonuar himni i Policisë së Kosovës.

Në kuadër të përvjetorit të themelimit, zyrtarë të shumtë policorë, zyrtarë të institucioneve e figura të rëndësishme të vendit janë mbledhur sot në një vend.

Himni është prezantuar si fillim nga drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.

Ndërkohë, himni i Policisë së Kosovës flet për krenarinë dhe ndjenjën e mirë të shërbimit ndaj shtetit të Kosovës

Marshin dhe himnin e Policisë së Kosovës e kompozoi Valton Beqiri.

Himni i Policisë:

Kurti: Policia e Kosovës e gatshme të mbrojë Kosovën edhe me jetë

“Policia jo vetëm që ruan qytetarët e jep siguri, por ata janë të gatshëm dhe të japin jetën për Kosovën”.

Kështu tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë për 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. Pas përpjekjeve të mëdha të popullit të Kosovës për liri, policia u bë institucioni  i parë që me fisnikëri e besueshmëri i shërbeu qytetarëve të vendit, e që në mes dhimbjeve të madha dhe humbjeve nga lufta, sytë i kishte nga rimëkëmbja. Veprimet e policisë sonë në sulmet e një pas njëshme në tri vitet e fundit, nga grupet kriminale të dirigjuara nga Serbia, e veçanërisht në sulmin terrorist të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveqanit, dëshmojnë me profesionalizëm dhe pasion arrihen rezultate për sundim të ligjit. Banjska ka risjell në vëmendjen e secilit prej nesh, se pavarësisht çfarëdo aspirate të shfrenuar të kujtdo çoftë mbi Republikën tonë të dashur, territori ynë do të mbrohet edhe me jetë”, tha Kurti.

25 vjet Polici, presidentja kujton Afrim Bunjakun e të rënët në krye të detyrës – falënderon fuqishëm edhe aleatët

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në ceremoninë zyrtare të 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, i ka uruar të gjithë për këtë ditë të cilën ajo e ka quajtur të veçantë.

Ajo tha se Policia përgjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë njëri nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë, njofton Klankosova.tv.

“Urime të gjithëve 25-vjetori i Policisë së Kosovës. 6 shtatori shënon një moment tejet të rëndësishëm në ditën e themelimit të Policisë sonë. Sot jemi këtu për ta kremtuar 25-vjetorin e Policisë, ditë kjo e cila nuk është thjesht një festë e një institucioni, por një nderim për përkushtimin dhe sakrificën e grave dhe burrave që kanë shërbyer e vazhdojnë të shërbejnë si gardianë të rendit dhe sigurisë. Policia e Kosovës gjatë këtij çerek shekulli vazhdon të jetë një nga institucionet më të besuara dhe më të respektuara të vendit tonë. Forcat policore kanë qenë në krye të mbrojtjes së qytetarëve tanë, që rrugët, shtëpitë dhe gjithë qytetarët në çdo cep të Kosovës të jenë të sigurtë”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Gjatë fjalimit të saj, e para e shtetit kujtoi heroin Afrim Bunjakun i cili u vra vitin e kaluar gjatë sulmit që ndodhi në Banjskë.

“Nuk mund të flasim për Policinë pa nderuar heronjtë që dhanë jetën në krye të detyrës. I fundit është Afrim Bunjaku, trimëria dhe sakrifica e të cilit vazhdojnë të na frymëzojnë të gjithëve. Afrimi bashkë me shumë të tjerë, bëri sakrificën më të madhe për ta mbrojtur atdheun tonë dhe për të siguruar një mjedis të qetë për gjithë qytetarët. Në këtë përvjetor shpreh mirënjohje për secilin pjesëtar të Policisë që para gjithçkaje kanë vendosur interesin shtetëror dhe atë të qytetarëve”, tha presidentja.

Osmani falënderoi fuqishëm edhe aleatët e Kosovës.

“Për 25 vjet rresht që nga dita e parë e deri më sot i kemi pasur në krah aleatët tanë, prandaj i falënderoj edhe një herë në emër të Kosovës jo vetëm për eskpertizën dhe trajtimet, për pajisjet e armatimin, por për gjithë përkrahjen e pashoq mbi të gjitha për besimin e tyre në Policinë e Kosovës dhe për gjithçka tjetër”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Në fund, ajo falënderim pati edhe për gratë e Policisë së Kosovës për shërbimin profesional e mbi të gjitha për shembullin që japin për çdo vajzë që synon t’i bashkohet misionit për ta mbajtur Kosovën e sigurt.