Deputetët e larguar dhe ata të pakënaqur me VV-në, tregojnë nëse do të marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

Para katër viteve kishin bashkuar forcat me Lëvizjen “Vetëvendosje”, me ç’rast kjo e fundit fitoi më shumë se 50 për qind të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Pas ardhjes në krye të Qeverisë të Albin Kurtit, liderit të Vetëvendosjes, disa prej tyre e kanë braktisur subjektin me të cilin kishin garuar në zgjedhjet e fundit parlamentare, e disa të tjerë në vazhdimësi kanë shprehur pakënaqësi me Kurtin dhe partinë që e udhëheq për shkak të projektligjeve të ndryshme.

Tashmë kur presidentja Vjosa Osmani ka shpallur 9 shkurtin e vitit 2025 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare në Kosovë, disa nga deputetët e larguar nga subjekti më i madh politik në vend tregojnë se nëse janë angazhuar politikisht, ndërsa ata të pakënaqurit tregojnë nëse do të vazhdojnë të qëndrojnë në Lëvizjen “Vetëvendosje”.

Në Qeverinë Kurti 1, Haki Abazi ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës, ndërsa në mandatin e Qeverisë “Kurti 2” ka udhëhequr për disa vite Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme.

Ndërsa në muajin maj të 2023-tes, grupi Parlamentar i LVV-së pati vendosur për përjashtimin e deputetit Haki Abazi.

Përjashtimi i tij ka ardhur një ditë pasi deputeti Abazi ka pretenduar që atij i është orkestruar një përplasje fizike me deputetin Salih Zyba me urdhër të kryeministrit Kurti e shefes së deputetëve të VV-së, Mimoza Kusarit.

Tashmë si deputet i pavarur Haki Abazi ende nuk ka vendosur se cili do të jetë qëndrimi i tij politik në zgjedhjet e ardhshme, të paktën kështu është shprehur ai.

“Nuk kam vendosur ende asgjë”, u shpreh shkurt Abazi për Front Online.

Në mars të 2023, Lëvizja Vetëvendosje mbeti me një deputet më pak. Bëhej fjalë për deputetin Fatmir Humolli. Ai u largua nga VV-ja për shkak të mos plotësimit të kushteve që ai i ka prezantuar në momentin kur ka hyrë në listë zgjedhore të kësaj partie.

I pyetur se cili do të jetë qëndrimi i tij partiak në zgjedhjet e ardhshme, deputeti i pavarur, Fatmir Humolli thotë se me asnjë parti aktuale s’do të bëjë pjesë.

Humolli ka bërë të ditur se është në proces të një formimi të një grupi të ri.“Me asnjë parti aktuale çfarë janë nuk do të jem pjesë e zgjedhjeve. Në qoftëse krijohen mundësitë për të hyrë vetë me një grup shokësh që jemi duke punuar mirë që s’krijohen mundësitë asgjë askujt”, u shpreh Humolli.

Ish-deputeti i VV-së thotë se me këtë parti nuk i eci bashkëpunimi pasi sipas tij, këta të fundit nuk e mbajtën fjalën.

“Me VV i kemi bashkuar energjitë për një mision nuk ka eci se nuk e mbajtën fjalën. Duhet të fuqizohem si grupacion kështu mendojmë unë dhe disa aktivistë të hershëm politik që janë”, deklaroi Humolli.

Njëri ndër deputetët që ka qenë kundër disa projektligjeve, të cilat i ka përkrahur partia ku bënë pjesë ai (Lëvizja “Vetëvendosje”), është deputeti i VV-së, Gramos Agusholli.

Agusholli ka njoftuar se ende nuk ka vendosur për vazhdimin e angazhimit të tij politik.

Ai thotë se ose vazhdon të jetë me Vetëvendosjen ose largohet nga politika.“Për momentin jam në VV, nuk kam vendosur akoma se a do ta vazhdoj aktivitetin tim politik, me gjasë po. Ose vazhdoj këtu ku jam ose e lë krejt”, u shpreh Agusholli.

“Mitrovicë a i pe dy trima…”, Ganimete Musliu i kushton poezi Sveçlës e Krasniqit

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu iu ka kushtuar një poezi ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla dhe ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Musliu në një postim në Facebook, me ironi i ka quajtur Sveçlën e Krasniqin “heronj”.

Postimi i plotë:

Mitrovicë a i pe dy trima
Mitrovicë a të rroku shungullima
A i pe oj në pritë
Në luftën qe su ndanë
Nënë plumbat e armikut
Sveçla e Elberti
këta dy trima partizan
Mitrovicë a ndieve moj
Dy trima dy heroj
Me ty o flamurtar
Nën yllin çlirimtar

Ky është postimi i deputetës së PDK-së

Matematika e Kurtit i jep pak ‘material’, Besnik Tahiri thotë se kjo Qeveri e amaterëve e ka çuar çdo ditë kot

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, duke ironizuar me kryeministrin Albin Kurti pasi gaboi në një ekuacion matematikor, ka thënë se kjo qeveri është “qeveri amaterash”.

Tahiri përmes një postimi në Facebook të mërkurën, ka thënë se kjo qeveri e ka çuar çdo ditë kot.

“Ne në Kuvend e kemi pa që për 48 muaj, kjo qeveri amaterësh, çdo ditë, e ka quar kot”, ka thënë Tahiri.

Postimi i plotë i Tahirit:

Ne në Kuvend e kemi pa që për 48 muaj, kjo qeveri amaterësh, çdo ditë, e ka quar kot. Matematikisht kështu duket qeverisja e tij.

48 – 48 + X x (365 – 365) = 0

0 + X x 0 = 0

0 = 0

Dhe mos të harrojmë, për populizmin e X kemi (- ∞. ∞)

A keni nevojë për kalkulator?

Njoftim i rëndësishëm për mërgimtarët që kalojnë tranzit nga Serbia

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës, përfshirë pjesëtarët e mërgatës, që kanë planifikuar apo janë duke planifikuar kalimin tranzit përmes territorit të Serbisë, të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet në vendkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo thirrje vjen pas paralajmërimeve të të ashtuquajturit “Këshill Organizativ për Bllokada” në Serbi, i cili ka bërë të ditur se më 6 shtator 2024 planifikohen bllokada të rrugëve që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Republikën e Kosovës.

MPJD u bën thirrje të gjithë qytetarëve dhe pjesëtarëve të mërgatës që të ndjekin me kujdes zhvillimet dhe paralajmërimet e reja lidhur me situatën dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare të institucioneve të Republikës së Kosovës, për të shmangur dezinformatat dhe lajmet e rreme.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do të vazhdojë t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri.

“Ura s’është e mbyllur, Kurti po don me e hapë me gjyks, s’po e len KFOR-i”/ Debat mes Mirenes e Ramabajes

Analistët Ilir Mirena dhe Sadri Ramabaja diskutuan në Pressing në T7 për çëeshtjen e “hapjes së urës së Ibrit”.

“Kjo urë ka mujtë me u çelë pa zhurmë të madhe…Ura nuk është e mbyllur, kjo veç për kerre është e mbyllur. Albin Kurtui po don triumfalisht me thanë unë e hapa me dhunë me gjoksin tim edhe nuk po të len KFOR-i me hap, edhe s’ka me të lanë pa u koordinu”, tha Mirena në Pressing.

“Pamjet tregojnë që s’ki sovranitet atje”, u shpreh Mirena.

“Policia fatkeqësisht është shndërru në instrument të kësaj qeverie që s’ka ndodhë kurrë”, tha Mirena në Pressing.

“Kurrë Policia e Kosovës nuk ka qenë profesionalisht më e përgatitur”, tha Ramabaja në Pressing.

”Po don te militantat me thanë këqyre çka rezistova unë, e çela urën i çova gjipat atje, e çova policinë…”, shtoi Mirena.

“Albini digitron”/ Valon Syla shkakton të qeshura me komentet e tij për gabimin e Kurtit

Analisti Valon Syla ka ironizuar me gabimin që kryeministri Kurti e bëri teksa po zgjidhte një ekuacion matematikor. Ai shkaktoi të qeshura në Pressing në T7, duke e quajtur Kurtin “digitron shqiptar”.

“Miti më i madh që Albini më i mençuri, digitron shqiptar mat madh….Ma i madh se Faik Konica, më popullor se Fishta…”, tha ai.

Sipas Sylës, kryeministri Kurti është sistem që “kur e ka marrë notën 8 në provim, ka thënë hy në provim prap me marrë 10”.

“Ky tash tri herë e zgjidh detyrën e matematikës derisa ta merr 10-she”, tha Syla

“Tash i pash militantat që i kish lëshu shpirti, qysh s’ia qëlloi detyrës”, tha ai, duke shkaktuar të qeshura.

Berisha: Kurti manipulon duke shumëfishuar rezultatet për të mbuluar dështimin e Qeverisë

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për manipulimin e rezultateve të qeverisë duke i shumëfishuar ato për të fshehur dështimet e tij.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, teksa ka komentuar gabimin e kryeministrit Albin Kurti me zgjidhjen e ekuacionit, ka thënë se ai kështu e manipulon popullin me rezultatet në qeverisjen e tij që i shumëfishon.

“Nuk duhet të befasohen nxënësit e as qytetarët që e ka bërë X-në në vlerën 5 e ka shumëfishuar e jo zero sepse edhe rezultate e qeverisë që janë krejt zero ky i ka shumëfishuar. Kjo është pjesë e propagandës së tij për të mbuluar dështimin total e falimentimin total në këtë qeverisje”, ka deklaruar ai në Debat Plus.

Çitaku: Nuk bëhet fjalë për Asociacion më, por për autonomi territoriale

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se kryeministri Albin Kurti, me pranimin e marrëveshjes së Ohrit, Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe e ka shndërruar në “autonomi territoriale politike”.

Çitaku ka thënë se më nuk mund të flasim për Asociacion.

“Nëse e lexoni marrëveshjen e Ohrit që e ka pranuar kryeministri Kurti, nuk bëhet fjalë më për Asociacion, por flasim për një autonomi territoriale dhe politike. Pra, nuk ka të bëjë kjo me asociacion. Mirëpo, në mënyrë të vazhdueshme, kryeministri Kurti e ka reduktuar idenë e sovranitetit në simbolika”, tha Çitaku në Klan Kosova.

“Nuk ka më institucione ilegale në veri”

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka komentuar mbylljen e institucioneve paralele serbe në veri të vendit, duke thënë se këto institucione apo struktura paralele serbe janë mbyllur nga Policia e Kosovës pas kërkesës së ministrisë që ai drejton.

Megjithatë, ai tha, se objektet e liruara do të shfrytëzohen për kërkesat e qytetarëve atje e po ashtu për nevojat që ata do t‘i kenë.

“Tashmë janë mbyllur këto 5 institucione ilegale në veri dhe u bashkohen edhe shtatë të tjerave të cilat janë mbyllur më herët me një veprim të përbashkët të institucioneve të Kosovës”, tha Krasniqi në RTK.

Tutje ka thënë ai se tashmë ato institucione ilegale nuk funksionojnë në Kosovë, sepse kanë vepruar jashtë kornizës ligjore dhe kushtetuese të Kosovës dhe nuk kanë më hapësirë të veprojnë në Kosovë.

Krasniqi tha se objektet e liruara janë kryesisht në pronësi të komunave të Kosovës dhe tashmë kanë institucionin që do të veprojë në objektin e liruar dhe aty do të veproj Qendra Rajonale e trajnimeve për Patentshoferë.

“Tashmë jemi duke punuar në nivel lokal dhe qendror që kërkesave të qytetarëve tu jemi sa më afër edhe me objekte të liruara në mënyrë që tu përgjigjemi sa më mirë qytetarëve atje”, tha Krasniqi.

Fitore Pacolli: Nuk ka më arsye të kemi ushtarë të KFOR-it në Urën e Ibrit

Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, deklaroi se ushtarët e KFOR-it nuk kanë më arsye të rrinë mbi urën e lumit Ibër.

Sipas saj, siguria në veri është e kënaqshme dhe nuk ka arsye për praninë e ushtarëve.

“Nuk ka arsye që ura të mbetet e mbyllur për vetura dhe nuk ka më arsye të kemi ushtarë të KFOR-it në urë, përderisa siguria në atë pjesë të territorit të Kosovës është e kënaqshme, si dhe Policia e Kosovës ka treguar që është e gatshme të mbrojë atë pjesë të territorit të Kosovës nga krimet që mund të ndodhin nga aktet e dhunshme si dhe t’i mbrojë qytetarët nga sulmet, vjedhjet e rëndomta…”, tha ajo në Tëvë1.

Ndërkohë, nuk ceki datë se kur ura mund të jetë e hapur, por tha që janë duke punuar intensivisht.

“Ne kemi thënë që do të punojmë intensivisht në hapjen e urës dhe këtë po e bëjmë. Tani janë kryer të gjitha punët teknike që kanë të bëjnë me urën dhe në ndërkohë jemi në konsultime të vazhdueshme me komunitetin ndërkombëtar që ta hapim urën”, deklaroi ajo.