Raportohet për alarm për bombë në një shkollë në Fushë Kosovë, nxënësit detyrohen të dalin jashtë

Një alarm për bombë raportohet të ketë ndodhur para pak çastesh në Shkollën Fillore të Mesme të Ulta “Daut Bogujevci” në Fushë Kosovë.

Siç raporton Periskopi, nxënësit janë detyruar të largohen nga klasët mësimore.

 

Ushtari nga Kosova që u dërgua në Britani për t’i trajnuar ukrainasit mohon akuzat për dhunim dhe sulm seksual
Një ushtar kosovar që ndihmon në stërvitjen e personelit të ushtrisë ukrainase është përballur me tre akuza për vepra seksuale, të cilat i ka mohuar.

Bali Hoxha, 28 vjeç, nga Kampi West Tofts në Thetford, Norfolk, akuzohet për përdhunim dhe dy akuza për sulm seksual ndaj një gruaje.

Sulmi i pretenduar ka ndodhur pranë një shtegu këmbësor mes rrugës Prince of Wales dhe Riverside Retail Park rreth orës 23:30 më 17 shtator.

Hoxha është dërguar në paraburgim nga Gjykata e Kurorës në këtë qytet deri në fillimin e gjyqit më 7 prill, i cili pritet të zgjasë pesë ditë, raporton BBC.

Hoxha është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, por është kontraktuar për të trajnuar ushtarë ukrainas në terrenin stërvitor të Ushtrisë Britanike pranë Thetfordit, në bazë të një kontrate me Ministrinë e Mbrojtjes.

Ai konfirmoi vetëm emrin gjatë paraqitjes në gjykatë, por avokati mbrojtës Jonathan Goodman ka thënë se, ndonëse anglishtja e tij ishte e mjaftueshme për seancën e pranimit të fajësisë, do të kërkohej një përkthyes në gjuhën shqipe për gjyqin dhe për çdo seancë ndërmjetëse.

Gjithashtu, tre dëshmitarë, që janë po ashtu pjesëtarë të FSK-së, do të kenë nevojë për përkthyes kur do të mbahen seancat.

Gjykatës iu tha se ka gjasa që ata dëshmitarë të jenë të angazhuar në Kosovë në kohën e gjyqit, por FSK-ja do t’i lirojë për të marrë pjesë në seancë.

Një person ia drejton armën dy policëve, lëndohet njëri nga ta

Sot rreth orës 13:15 në rrugën “Nëna Terezë” apo “Tregu i Gjelbër” në Istog, policia ka arrestuar një person.

Fillimisht dy zyrtarë policorë të cilët ishin të angazhuar në një operacion, kanë hasur në një veturë në të cilën kanë qenë dy persona.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka bërë të ditur për Reporteri.net, se me të kërkuar policia nga ta që të dilnin jashtë veturës, njëri nga të dyshuarit(pasagjeri) ka tentuar që të arratiset, duke nxjerrë edhe armën në drejtim të dy zyrtarëve.

Policia ka arrestuar të dyshuarin, ndërsa personi tjetër i cili ka qenë në veturë (shoferi) është shoqëruar në stacion policor.

“Rreth orës 13:15 dy zyrtarë policorë të cilët ishin të angazhuar në implementim të një misioni operativ në rrugën Nëna Terezë në Istog , te Tregu i Gjelber, kanë vërejtur dy persona në një veturë dhe janë afruar afër, me tu afruar kanë kërkuar nga ta të dilnin jashtë: Një nga personat e dyshuar, i cili ka qenë ulur si pasagjer menjëherë ka dalë nga vetura dhe vrullshëm ka filluar të arratiset dhe ne atë moment e ka nxjerr armën dhe e ka drejtuar në drejtim të zyrtarëve policorë”.

“Policia i ka perdorur metodat e veta, komandat, dhe kanë arrit pas pak që ta arrestojnë të dyshuarin. Gjatë arrestimit një zyrtar policor ka pësuar lëndime në dorë. I dyshuari është arrestuar, edhe tjetri që ka qenë në veturë është shoqëruar në stacion”, tha Gashi për Reporteri.net.

Procesohen 80% e votave në Mitrovicë, ja kush po prin aktualisht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka procesuar deri tani 80% të votave në komunën e Mitrovicës së Jugut, në kuadër të raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune.

Sipas të dhënave preliminare të publikuara nga KQZ-ja, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, aktualisht prin me 52.63% të votave, që përkthehet në 14,276 vota

Pas tij renditet kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, me 47.37%, ose 12,851 vota të numëruara deri më tani.

Procesi i verifikimit dhe përpunimit të rezultateve po vazhdon në Qendrën Komunale të Numërimit të Mitrovicës së Jugut, ndërsa pritet që gjatë ditës të përditësohen të dhënat përfundimtare nga KQZ./Gazeta Infokus

 

Konjufca mandatar për qeverinë e re – kush pritet të jenë ministrat e tij?

Mandatari për formimin e qeverisë, Glauk Konjufca pritet t’i propozojë emrat e njëjtë për kabinetin qeveritar, siç i kishte propozuar Albin Kurti në seancën e 26 tetorit.

Burime të IndeksOnlinet bëjnë me dije se tani për tani nuk ka ndonjë ndryshim të emrat e propozuar për ministra.

I vetmi ndryshim do të jetë numri 1 dhe 2 do t’i ndryshojnë pozicionet e tyre.

Konjufca është mandatar për kryeministër, ndërsa Kurti është propozuar në postin e kryediplomatit.

Seanca për formimin e qeverisë duhet të thirrët më së largu deri më 18 nëntor.

PDK, LDK, AAK e NISMA kanë deklaruar se nuk kanë votë për Konjufcën si kryeministër.

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit: Rozeta Hajdari rrezikon të dënohet deri në 13 vjet burg

Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala tha se ministrja në detyrë e tregtisë Rozetë Hajdari, rrezikon të dënohet deri në 13 vjet burgim në rast se prokuroria dëshmon se Hajdari ka kryer veprat penale si keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe zbulimi i sekreteve shtetërore.

Shala tha se veprat për të cilat akuzohet Hajdari dhe zyrtarët e tjerë janë serioze.

“Veprat janë jashtëzakonisht serioze. Neni 414 paragrafi 2, për shkak se kemi vlerë të madhe të dëmit, sepse dëmi që dyshohet se i është shkaktuar buxhetit është 3 milionë euro parashihet dënimi deri në 10 vjet burg. Ndërsa zbulimi i sekretit shtetëror deri në 3 vjet burg. Shala gjithashtu foli edhe për mundësinë, që për rastin e njëjte të ketë aktakuzë edhe për kryeministrin në detyrë Kurti. Ka informacione se çdo gjë që u bë në këtë lëndë ka qenë i informuar edhe kryeministri. Dhe sipas informacioneve të tilla ekziston mundësia që një ditë mund të ketë aktakuzë edhe ndaj tij si bashkëpjesëmarrës në këtë vepër penale…”, tha ai.

Ndërkohë, Shala ka theksuar se të gjithë personat e përmendur në aktakuzë prezumohen si të pafajshëm deri në një vendim tjetër të gjykatës. /RTV21

Përfundon procesi i verifikimit të votave në Mitrovicë

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut ka përfunduar procesi i verifikimit dhe numërimit të fletëvotimeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës

Procesi është zhvilluar gjatë ditës së sotme nën mbikëqyrjen e përfaqësuesve të subjekteve politike dhe dy hetuesve policorë të caktuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, pas vendimit për rifillimin e numërimit të ndërprerë të hënën për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.

Një burrë i vdekur dhe një grua e lënduar – detajet e fundit për aksidentin e rëndë mes një veture dhe kamioni
Një 58 vjeçar ka vdekur derisa bashkëshortja e tij ka pësuar lëndime të rënda trupore si pasojë e një aksidenti në fshatin Dobërdelan të Suharekës.

Në aksident ishin të përfshirë një automjet dhe një kamion.

Lidhur me ngjarjen e rëndë, detaje ka dhënë zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

Bytyqi tha se e lënduara është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

“Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion. Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”.

“Menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse, të cilat kanë siguruar perimetrin, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ndodhja e aksidentit. Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve”, deklaroi ai.

Vendos Supremja: Kjo komunë në rinumërim

Gjykata Supreme ka aprovuar ankesën e kandidatit për asamblist të Kuvendit Komunal në Komunën e Istogut nga radhët e AAK’së, Avni Gashi dhe ka parë si të domosdoshëm rinumërimin në disa vendvotime të raundit të parë të zgjedhjeve në këtë komunë.

“Gjykata Supreme vlerëson se në rastin konkret, PZAP ka vendosur refuzimin e ankesës së parashtruar nga kandidati për kuvend komunal, por nuk ka dhënë arsye të qëndrueshme dhe bindëse në raport me pretendimet ankimore”.

“Për pasojë, Gjykata Supreme vlerëson se rinumërimi i votave në vendvotimet e identifikuara në ankesë është i domosdoshëm për të vërtetuar rezultatin e saktë të zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor, në përputhje me parimin e besueshmërisë së zgjedhjeve të sanksionuar në nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas parashtruesit të ankesës në rezultatet përfundimtare për kuvend komunale në Istog, kandidati nga radhët e subjektit politik AAK, me numër rendor 5, rezulton të ketë marrë 97 vota. Ndërsa sipas gjendjes faktike që është paraqitur në rezultatet e shpallura nga KQZ, si rezultate përfundimtare për kuvend komunal në Istog, rezulton që në disa qendra votimi dhe vendvotime, i njëjti ka më pak vota edhe pse votuesit e tij kanë deklaruar me shkrim që kanë votuar në këto vendvotime dhe se në bazë të deklaratave të tyre, numri i votave do të duhej të ishte më i madh.

Në Qendrën e votimit Shkolla Fillore “Hysni Zajmi” në Vrellë: Vendvotimi 0606/03 sipas rezultateve të KQZ janë të publikuara gjithsej 21 vota, kurse i njëjti posedon 26 deklarata të votuesve të cilët pohojnë se kanë votuar numrin 5“, thuhet në vendimin e Supremes.

 

Vendim i rëndësishëm në Hagë: Caktohet gjyqtari që do ta gjykojë Hashim Thaçin
Pas njoftimit se më 12 nëntor 2025, dosja gjyqësore do i kalojë trupit gjykues për gjykim në rastin ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, është caktuar edhe gjyqtari i vetëm për këtë rast.

Sipas vendimit të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, Ekaterina Trendafilova, gjyqtari i caktuar është Christopher Gosnell, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gosnell do të jetë gjyqtari i vetëm në këtë rast për shkak se akuzat në këtë rast nuk klasifikohen si krime të rënda.

Ndryshe, më 11 nëntor 2025 gjyqtarja e procedurës paraprake, Marijorie Masselot njoftoi që dosja gjyqësore t’i dorëzohet trupit gjykues më 12 nëntor 2025.

“Pasi ka përfunduar të gjitha hapat e nevojshëm brenda juridiksionit të saj në çështjen e Prokurorit të Specializuar kundër Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, Gjyqtarja e Procedurës Paraprake konfirmon se dosja e plotë e çështjes, në përputhje me Rregullën 98 të Rregullave, do të jetë gati për t’iu përcjellë Panelit Gjyqësor të Mërkurën, më 12 nëntor 2025, dhe e njofton për këtë Kryetaren e Dhomave të Specializuara m”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.