div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="wp-singular post-template-default single single-post postid-32611 single-format-aside custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog">
LDK e quan të paplotë rezolutën për Specialen

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar sot lidhur me rezolutën e miratuar mbrëmë në Kuvendi i Republikës së Kosovës, e cila ka të bëjë me angazhimin dhe respektimin e ligjit dhe të drejtës ndërkombëtare nga Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Në deklaratën e saj, LDK theksoi se Kuvendi ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm për drejtësinë dhe jo përmes rezolutave që, sipas tyre, mbeten të pjesshme dhe selektive.

Sipas LDK-së, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar dhe duhet të vlejë për të gjithë.

“Lidhja Demokratike e Kosovës beson se Kuvendi i Republikës së Kosovës ka detyrim historik dhe politik të flasë me një zë të përgjegjshëm, të plotë dhe të drejtë për drejtësinë, jo me rezoluta të pjesshme dhe selektive.

LDK e mbështet fuqishëm parimin e gjykimit të drejtë, të paanshëm dhe në përputhje me standardet më të larta kushtetuese e ndërkombëtare për çdo qytetar të Kosovës. Kjo është vlerë themelore e shtetit ligjor dhe e orientimit euro-atlantik të Republikës sonë.
Megjithatë, drejtësia nuk mund të trajtohet si koncept i fragmentuar. Ajo ose vlen për të gjithë, ose rrezikon të humbasë legjitimitetin e saj. Për këtë arsye, deputetët e LDK-së kërkuan që Rezoluta të përfshinte qartë dhe pa ekuivoke edhe obligimin institucional për zbardhjen e të gjitha vrasjeve të pazbardhura pas luftës, përfshirë vrasjet politike. Ky është borxh ndaj viktimave, ndaj shoqërisë dhe ndaj vetë shtetit të Kosovës.
Refuzimi për ta përfshirë këtë kërkesë e bëri Rezolutën të paplotë në thelb dhe të mangët në mesazh. Përballë kësaj, Grupi Parlamentar i LDK-së nuk pranon të legjitimojë një qasje të njëanshme ndaj drejtësisë.
Ky qëndrim është aktiv dhe parimor. LDK nuk shmanget nga përgjegjësia, por e ushtron atë. Nuk hesht për drejtësinë, por kërkon që ajo të jetë e plotë. Nuk relativizon historinë, por refuzon instrumentalizimin e saj politik.
Lidhja Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të kërkojë: drejtësi për të gjithë viktimat; procese të drejta dhe të paanshme; dhe një shtet që ka guximin të përballet me të vërtetën, jo ta përzgjedhë atë”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Rezoluta e paraqitur nga Partia Demokratike e Kosovës u miratua mbrëmë me 90 vota për dhe një kundër. Dokumenti përmban shtatë pika dhe synon të kërkojë nga institucionet e drejtësisë në Hagë respektimin e standardeve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe garantimin e transparencës dhe llogaridhënies.

Vota e vetme kundër rezolutës u dha nga deputeti i Lëvizja Vetëvendosje, Fato Geci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *