Trupi Gjykues në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” ka caktuar datën 16 korrik 2025 për ta bërë publik vendimin e tyre në lidhje me Mocionin e përbashkët të ekipeve mbrojtëse për të rrëzuar pjesë të caktuara të Aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mbrojtja e kishte dorëzuar këtë Mocion më 12 qershor ndërkaq kundërpërgjigja e Zyrës së Prokurorit të Specializuar ka shkuar në adresë të Gjykatës më 7 korrik.
Seanca për vendimin më të rëndësishëm pas përfundimit të paraqitjes së provave dhe dëshmitarëve nga Prokuroria, do të fillojë nga ora 9 e mëngjesit dhe pritet që gjatë ditës të vazhdohet tutje me procesin, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve ekspertë të Zyrës së Mbrojtësit të Viktimave.
Gjyqtarët kanë urdhëruar MV-në t’i bëjë gati ekspertët pavarësisht vendimit për Mocionin, ngaqë sipas Charles Smith, natyra e këtij Mocioni kundërshtues është i limituar andaj gjykimi do të kalojë në fazën tjetër.
Më shumë detaje nga ky vendim dhe të rejat e fundit nga proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara mund t’i ndiqni sot në emisionin Info Magazine.