24.4 C
Pristina
E premte, 1 Gusht, 2025

“Me çlirimtarët, për drejtësi”, Memli Krasniqi fton qytetarët të bashkohen në protestën e 7 gushtit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me zvarritjen e procesit gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë.

Ai ka shprehur shqetësimin e tij për kohëzgjatjen e paraburgimit dhe për, siç thotë ai, përdorimin e provave të fabrikuara nga strukturat shtetërore të Serbisë.

“Prej më shumë se katër vjetësh e gjysmë, udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në paraburgim në Dhomat e Specializuara, ende pa një vendim përfundimtar”, shkruan Krasniqi.

Ai kritikon qasjen e gjykatës dhe thotë se “zvarritja e këtij procesi dhe shmangia nga standardet e pritura të drejtësisë kanë ngritur shqetësime serioze, jo vetëm për të drejtat e të akuzuarve, por edhe për besimin e qytetarëve në vetë drejtësinë”.

Krasniqi përmend raportimet për përdorim të provave të fabrikuara, duke thënë se ato “kanë thelluar edhe më tej shqetësimet për drejtësinë e këtij procesi”.

Ai deklaron mbështetje të plotë për protestën që do të organizohet më 7 gusht, në orën 17:00, në sheshin “Skënderbeu”, duke e konsideruar atë si një “shprehje demokratike e qëndrimit qytetar, por edhe si bindje për pafajësinë e të akuzuarve”.

Në fund të njoftimit, ai bën thirrje për pjesëmarrje masive:

“Ftoj të gjithë qytetarët që besojnë në drejtësinë e luftës sonë për liri, në dinjitetin dhe të ardhmen e Republikës së Kosovës, që t’i bashkohen kësaj proteste”.

“Me çlirimtarët. Për drejtësi. Për Kosovën.”

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here