Mediat serbe raportojnë për sulm ndaj ushtarëve serbë në kufi, reagon Policia e Kosovës

Policia e Kosovës tha se të dielën ka arrestuar katër gjuetarë, shtetas të Serbisë, për kalim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje.

Në një reagim për media të hënën, Policia i hodhi poshtë pretendimet e mediave të regjimit serb të cilat raportuan të dielën për gjoja një sulm të armatosur nga një grup shqiptarësh “drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës ‘Debela Glava’”, në afërsi të Bujanovcit.

Sipas raportimit të mediave serbe, ngjarja ka ndodhur në Zonën e Sigurisë Tokësore, në afërsi të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

Por, Policia e Kosovës i quajti “dezinformata” pretendimet serbe.

“Policia e Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se pretendimet e publikuara në disa media të Serbisë, sipas të cilave një ‘grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar (ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur Debela Glava’, janë dezinformata, të pabazuara dhe nuk korrespondojnë me asnjë informacion zyrtar apo ngjarje të verifikuar nga autoritetet në territorin e Republikës së Kosovës”, tha Policia.

Policia tha se nuk është regjistruar asnjë incident i karakterit të pretenduar.

“Publikimi i informacioneve të tilla të pasakta kontribuon në krijimin e perceptimeve të rreme dhe rritjen e tensioneve të panevojshme në zonat kufitare”, tha Policia.

Tutje, Policia njoftoi se të dielën ka arrestuar katër gjuetarë nga Serbia gjatë patrullave në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësitë policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar (gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës”, tha Policia.

Armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore, sipas Policisë.