Mirena pas votës së diasporës: Kush e mbështeti Kurtin, le të kthehet në Kosovë
Analisti Ilir Mirena ka reaguar ashpër dhe pa doreza ndaj mërgimtarëve, menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit, ku diaspora u angazhua në numër të madh për të votuar, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e votave për Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti.
Përmes një reagimi publik, Mirena u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë vendit të kthehen përfundimisht në Kosovë dhe të përfitojnë nga institucionet dhe politikat e Qeverisë Kurti, duke theksuar se tashmë “nuk kanë më arsye të ankohen”.
“Hajde diaspora – bjerini fëmijët në shkollat tona që nga shtatori, ejani të kërkoni punë këtu; ju që jeni në skema sociale atje, ejani të merrni ndihmat sociale nga Qeveria Kurti; ju të bizneseve, sillni firmat këtu. Tash s’keni arsye mos me u kthy në KS. Mos t’ju ni kah ankoheni mo”, ka deklaruar Mirena.
Sipas tij, pjesëmarrja masive e diasporës në procesin zgjedhor dhe mbështetja e hapur për Kurtin dhe Vetëvendosjen duhet të shoqërohet me veprime konkrete, duke e kthyer këtë mbështetje politike në angazhim real për jetën dhe zhvillimin e Kosovës.
