“Na bëj hallall oj hallë”, postimi prekës i nipit pas vdekjes së gruas nga zjarri në Malishevë
Një zjarr që ka përfshirë një shtëpi në fshatin Goriq të Malishevës i ka marrë jetën një gruaje rreth 53-vjeçare. Rasti i rëndë ka ndodhur rreth orës 22:30 të së martës, ndërsa vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes.
Incidenti tragjik është konfirmuar nga Policia për media, ndërkohë që pas ngjarjes kanë reaguar edhe familjarët e së ndjerës.
Nipi i viktimës, nga familja Mazreku, ka ndarë një reagim tejet prekës në rrjetet sociale, duke shprehur dhimbjen për humbjen e hallës së tij. Ai ka shkruar se, pavarësisht përpjekjeve, nuk kanë arritur ta shpëtojnë.
“Sot në orët e mbrëmjes e përfshiu zjarri njërën prej shtëpive në oborrin tonë. Pas gjitha përpjekjeve, fatkeqësisht nuk arritëm ta shpëtojmë hallën tonë me aftësi të kufizuara.
Na bëj hallall oj hallë. Kom mendu që për ty jemi në gjendje me bo gjithçka, po ja që nuk arritëm t’i përballojmë flakës. Allahu ta past mëshiru shpirtin e bardhë. Falemnderit prej të gjithëve që i kishim afër e u munduan drejt qëllimit të mirë”, thuhet në postimin e tij.
