Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Vjollca Shala, ka ngritur shqetësimin për largimin e mësimdhënësve dhe nxënësve nga shkollat e Kosovës, duke theksuar se emigrimi drejt vendeve evropiane po ndodh për shkak të kushteve më të mira të jetesës dhe pagesave më të larta.
Shala tha se shkollat rrezikojnë të mbesin pa staf arsimor dhe pa nxënës nëse trendi aktual vazhdon.
“Shumë shqetësuese janë informacionet që po i marrim nga terreni për largimin e nxënësve nga shkollat e Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe për largimin e mësimdhënësve nga shkollat e Kosovës. Shumica prej tyre po emigrojnë nëpër Evropë, ngase atje po gjejnë kushte më të mira për jetesë dhe pagesa më të mira për mësimdhënësit. Është shqetësuese një gjë e tillë, ngase shkollat e Kosovës po boshatisen si nga nxënësit ashtu edhe nga mësimdhënësit. Thjesht, mësimdhënësve po u duhet të mësojnë gjuhën e shtetit ku emigrojnë, pasi përvojën e punës tashmë e kanë. Është shqetësuese, sepse në një të ardhme, nëse vazhdon një ikje e tillë, shkollat tona do të mbesin edhe pa mësimdhënës. Duke analizuar edhe gjendjen politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, kjo po shkakton pasiguri si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit”, tha Shala tha për EO.
Ajo kritikoi institucionet shtetërore për moskrijimin e kushteve të duhura në arsim dhe për vonesat në funksionalizimin e Kuvendit të Kosovës.
“Duke mos pasur siguri në shkollat tona, duke pasur parasysh kushtet e punës dhe pagesat, atje (në vendet evropiane) po gjejnë pagesë më të mirë dhe vlerësim më të mirë. Në të njëjtën kohë, edhe nxënësit me familjet e tyre natyrisht po ikin, ngase po gjejnë kushte më të mira në vende të ndryshme të Evropës”, shtoi ajo.