Ngjarjet në Venezuelë, reagon Kurti

Kosova e mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, ka deklaruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka theksuar se mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.

Ai ka shtuar gjithashtu se është e nevojshme të rritet vëmendja ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, “të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake”.

Shtetet e Bashkuara sot kanë kryer sulme ajrore në Venezuelë, të cilat pasuan me arrestimin e presidentit të vendit, Nicolas Maduro.

Postimi i plotë:

Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.

Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë.

Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *