11 C
Pristina
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Nis verifikimi nëse ka fëmijë që nuk jetojnë në Kosovë e i marrin shtesat

Proces verifikues për prindër që përfitojnë nga shtesa për fëmijë, ka nisur Ministria e Financave. Në njoftimin nga ky institucion thuhet se ky verifikim shtesë kërkohet për të vërtetuar që përfituesit jetojnë në Kosovë. Përgjegjësia për administrimin e dokumenteve të nevojshme u është bartur Qendrave për Punë Sociale. E në këto institucione ankohen se nuk kanë mjaftueshëm staf për këto përgjegjësi.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur një proces verifikues për disa nga përfituesit e shtesave për fëmijë.

Në emailin që Ministria ua ka dërguar disa prindërve thuhet se përkohësisht pezullohet pagesa e shtesave për fëmijë, deri kur në Qendrën për Punë Sociale (QPS) të komunës ku jetojnë të dërgojnë dokumente për verifikim.

Ministria ka kërkuar nga përfituesit që në QPS të dërgojnë këto dokumente: kopjen e letërnjoftimit, një faturë të shërbimeve publike, si dhe për fëmijët nga mosha 0-6 vjeç librezën e vaksinimit, e për ata mbi 6 vjet vërtetimin nga shkolla.

“Programi i spër fëmijë është i dedikuar për të gjithë fëmijët që janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe jetojnë në Kosovë. Bazuar në të dhënat që posedon sistemi ynë, rezulton se llogaria juaj ka nevojë për verifikim shtesë, për të siguruar që ju dhe fëmijët jetoni në Kosovë”, thuhet në e-mailin e Ministrisë.

Ministria e drejtuar nga Hekuran Murati nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS se sa prindërve iu ka shkuar ky email, për cilat arsye dhe a ka dyshime që këto beneficione po keqpërdoren edhe nga persona që e kanë nënshtetësinë, por që nuk jetojnë në Kosovë.

Përgjegjësia për t’i pranuar këto dokumentacione u është bartur Qendrave për Punë Sociale, gjë që ka hutuar edhe udhëheqësit e këtyre institucioneve por edhe qytetarët.

Abaz Xhigoli, drejtor i QPS-së në Fushë-Kosovë, ka thënë se si qendër përballen me volum të lartë të punës dhe me staf të pamjaftueshëm.

Xhigoli tha se disa prindër nuk po mund ta kalojnë procesin e verifikimit.

“Kemi situata kur ka familjarë të cilët nuk kanë arritur t’i regjistrojnë fëmijët që kanë sëmundje të natyrave të ndryshme, sepse shkollat nuk e kanë pranuar një fëmijë 6-vjeçar, edhe për këtë duhet një shkresë, sepse atij nuk iu ka mundësuar ta vazhdojë mësimin”, theksoi Xhigoli.

E një prind që të mërkurën u paraqit në njërën nga qendrat për punë sociale në kryeqytet, në kushte anonimiteti, u ankua për procedurën të cilën tha se do të mund ta kryenin në mënyrë elektronike.

“Stafi nuk ishin të njoftuar me këtë proces dhe si rezultat kanë kërkuar që të gjithë prindërit prezentë të kthehen mbrapa dhe të paraqiten në QPS javën e ardhshme, me shpresën që deri atëherë sqarohen me MFPT-në”, ka thënë ai.

E profesori i ekonomisë, Artan Nimani, tha se nga pakujdesia institucionale po keqpërdoret paraja publike edhe përmes skemave të tjera.

“Edhe për libra, kam mjaft informacione që qytetarë kanë aplikuar, i kanë marrë mjetet, por nuk janë shfrytëzuar për qëllimin që janë ndarë. Sepse ka raste kur sistemi ka lejuar mundësinë që të përfitojnë edhe prindër që nuk i kanë fare fëmijët e regjistruar në sistemin arsimor në Kosovë”, ka thënë Nimani.
Qeveria e Kosovës ndan 20 euro në muaj për fëmijë deri në 16 vjet.

Në rast se prindi ka 3 fëmijë e më shumë, atëherë pagesa për secilin është nga 30 euro në muaj.

Sipas Ministrisë së Financave nga kjo skemë përfitojnë 400 mijë fëmijë.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here