Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësim serioz për largimin masiv të ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë dy vjetëve të fundit. Sipas postimit të tij në Facebook, mbi 11% e ushtarëve kanë lëshuar FSK-në vetëm në vitet 2023 dhe 2024.
Ish-kryeministri i Kosovës theksoi se vetëm në vitin 2023, 257 pjesëtarë kanë lëshuar FSK-në, ndërsa në vitin 2024, numri i largimeve ka kaluar 200. Haradinaj vuri në dukje se shumica e ushtarëve që largohen përmendim kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme si arsye kryesore.
“Jam i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që qeveria po i bën ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018,” tha lideri i AAK-së. Ai shtoi se edhe pas katër vjetëve të qeverisjes aktuale, numri i pjesëtarëve të uniformuar mbetet nën 4,000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është neglizhuar pothuajse plotësisht.
Duke ftuar rininë t’i bashkohet FSK-së dhe duke inkurajuar pjesëtarët aktualë të qëndrojnë, Haradinaj premtoi përmirësim urgjent të gjendjes financiare dhe kushteve elementare të punës për ushtarët. “Qysh në muajt e parë të qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro”, u zotua politikani kosovar.