Nuk u kandidua për deputet, reagon Agim Veliu

LDK ka publikuar listën e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Në këtë listë mungoi emri i Agim Veliut.

Pas kësaj reagoi vet Veliu me anë të një shkrimi në “Facebook”.

Reagimi i plotë:

Të dashur qëndrestarë, anëtarë e simpatizantë!

Dua të falënderoj me respekt të gjithë ata qytetarë, aktivistë dhe anëtarë të partisë që kanë kërkuar me zë të lartë përfshirjen time në listën e kandidatëve, me qëllim të fuqizimit dhe unifikimit të degës në Podujevë dhe LDK-së në tërësi.

Edhe pse nuk kam humbur asnjë garë në jetën time politike, sot po shoh një padrejtësi të pashembullt brenda vetë partisë sime.

Përjashtimi im nga lista e kandidatëve nuk është vendim politik !
Është manovër e ulët, e mbështjellë me frikë dhe kalkulime të vogla të individëve që e kanë harruar kush e ka mbajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës fituese për vite me radhë.

Unë nuk jam bërë barrë për askënd, por duket se dikush është trembur nga fuqia ime elektorale dhe integriteti që e kam dëshmuar me punë e me votë, e jo me pazaret e zyrave të mbyllura! Ky vendim nuk më nëpërkëmb mua por fyen drejtpërdrejt votuesin që gjithmonë më ka mbështetur.

Le ta dinë të gjithë: nuk do të hesht, nuk do të tërhiqem dhe nuk do të lejoj që intrigat e disa zyrtarëve të frikësuar e pa integritet ta zhbëjnë punën time shumëvjeçare.

Transparenca dhe drejtësia do të kërkohen deri në fund.

Ky është vetëm fillimi..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *