Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar Donald Trump dhe James David Vance i për zgjedhjen e tyre si President dhe Zëvendës President i Shteteve të Bashkuara.
“SHBA mbetet partneri i palëkundur dhe aleati i domosdoshëm i Kosovës. Mezi pres të punoj me administratën e re për të thelluar më tej lidhjen tonë unike dhe aleancën strategjike”.
Rikujtojmë sërish se kandidati i republikanëve, Trump nuk është shpallur ende zyrtarisht si president.
Kosova njihet si një prej shteteve më proamerikane në botë.
SHBA-ja ka ndarë për këtë shtet mbi 2 miliardë dollarë prej vitit 1998.
Mbështetja amerikane ka qenë vendimtare për nisjen e bombardimeve të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) kundër caqeve të ushtrisë serbe, më 1999, dhe në rrugën e Kosovës drejt pavarësisë.
Uashingtoni ka qenë ndër të parët që e ka njohur shtetësinë e Kosovës, më 2008.
Udhëheqës shtetërorë kosovarë e përsërisin shpesh që Amerika është partnerja më e rëndësishme e Kosovës dhe se mbështetja e saj është jetike.