Paga minimale rritet në 425 euro nga muaji i ardhshëm – bizneset e quajnë vendim të ngutshëm
Nga muaji i ardhshëm paga minimale në Kosovë pritet të rritet nga 350 në 425 euro bruto, vendim ky i bërë i ditur sot nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Megjithatë, nga komuniteti i biznesit ky vendim po konsiderohet politik, si dhe i ngutshëm, pasi që sipas tyre, është marrë pa konsultim dhe pa analizë të thelluar.
Ndërkaq, sipas njohëseve të ekonomisë ky vendim për pagën minimale mund të ndikojë në rritje të informalitetit sa i përket deklarimit të pagave për punëtorë.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna vlerëson se vendimi për pagën minimale është marrë me procedurë të shpejtuar dhe pa analizat e nevojshme.
Është shqetësim tek bizneset që po merren vendimet kaq shpejtë, pa konsultim, thekson Rafuna.
“Ka qenë një ftesë shumë e shpejtë, që brenda 24 orëve të takohemi dhe të vendosim për pragun e pagës minimale nga ana e ish-ministrit të Financave të cilën e kemi refuzuar për arsyeje se është çështje që kërkon studim dhe hapësirë më të madhe. E keqja më e madhe e kësaj qeverie ka qenë që gjitha vendimet që janë marrë që kanë prek biznesin janë marrë pa një studim të hollësishëm dhe konsultim me sektorin privat, mirëpo gjithmonë biznesi është befasuar. Nuk jemi kundër rritjes së pagës minimale, jemi për të bërë një studim, dhe t’i, japim hapësirë biznesit që me ardhur me një qëndrim ose vendim konkret me propozim se sa duhet të jetë paga minimale…Nuk po themi që paga minimale e propozuar që është e lartë apo e ulet, mendojmë se nëse do të jepnin hapësirë dhe kohë të analizojmë dhe të shkojmë me një propozim konkret tek qeveria sa i përket pagës minimale ndoshta kish me qenë edhe me e lartë se kaq. Është shqetësim tek bizneset që po merren vendimet kaq shpejtë, pa konsultim”, thotë Rafuna.
Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DHTIK), Kushtrim Ahmeti, e cilëson këtë proces si pjesë të fushatës zgjedhore.
“Është plotësisht fushata dhe ne kemi qenë kundër, kemi marrë pjesë në takim dhe jemi plotësisht kundër. Kemi kërkuar që qeveria duhet me qenë funskionale e plotë, për të dalë një vendim i tillë, e jo të merret në këtë periudhë, ku edhe qeveria është qeveri në detyre, ministrat shumica prej tyre janë bërë deputet, nuk ka asnjë logjike… Periudha kur po merret ky vendim është kohë që po behet puro për fushatë politike”, thotë Ahmeti.
Njohësi i ekonomisë, Naim Huruglica thotë se ndikimi real i pagës minimale në treg është i kufizuar, pasi shumica e punëdhënësve tashmë paguajnë më tepër, porse sipas tij ekziston rreziku që mund të rritet informaliteti.
“Me folë në realitet nga gjendja në tregun e punës, mund të them se shumica e sektorëve industrial ose sektorët ku kosovaret punojnë tani pagë minimale nuk ka nër 500 euro, pagë reale. Mirëpo, nëse rritja vërtetë është bërë në momentin e fundit mund të interpretohet pse është prit të bëhet tash, por nuk është bërë më herët…Paga minimale edhe kur caktohet në mënyrë ligjore, nuk do të thotë që ka me pas një ndikim direkt në përcaktimin e çmimit të tregut të punës, sepse çmimi i punës veç ka ik më lartë seç është ai. Ekziston vetëm një rrezik, nëse ka diku që paguhen njerëzit më pak mund t’i fus në informalitet”, thekson Huruglica.
Kryetari i Sindikatës se Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi thotë se paga minimale e propozuar nuk e përballon koston reale të jetesës.
“Në një takim që e kemi mbajtur së fundi si këshill ekonomiko social me ministrin Murati, kërkesa ime ka qenë që paga minimale duhet të jetë 600 euro, por ai ka dalë me propozimin e tij që duhet të jetë 500 euro dhe me këtë propozim ka shkuar në qeveri të Kosovës…Sot paga minimale nëse marrim koston e shpenzimeve për katër anëtar të një familje, atëherë çdo gjë që mbetet nën 800 euro paga minimale nuk i mbulon shpenzimet…Kemi telashe, sepse edhe në të kaluarën, kur u mor vendim që paga minimale të jetë 350 euro ajo edhe sot nuk po zbatohet”, thotë Azemi.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti bëri të ditur sot se paga minimale nga muaji i ardhshëm do të bëhet 425 euro bruto nga 350 euro sa është tash.
Kurti përmes një postimi në Facebook tha se nga 1 korriku fillon zbatimi i fazës së dytë ku paga minimale do të bëhet 500 euro.
Ai tha se nga rritja e pagës minimale do të përfitojnë 150 mijë punëtorë të sektorit privat.
Kurti thotë se para qeverisjes së tij paga minimale ishte 130/170 euro që ishte e pandryshuar për më shumë se një dekadë.
Me 31 tetor Qeveria në detyrë mori vendim për rritjen e pagës minimale për vitin 2026. Paga minimale u tha se do të rritet në dy faza: nga 1 janari i vitit 2026 paga minimale do të jetë 425 euro, ndërkaq nga korriku i vitit 2026 paga minimale do të bëhet 500 euro.
Aktualisht paga minimale në vendin tonë është 350 euro bruto. Kjo rritje u bë në gusht të vitit të kaluar, disa ditë pasi hyri në fuqi Ligji për pagën minimale, i cili parashihte një rritje të pagës minimale në 264 euro bruto. Deri në fuqizimin e Ligjit të ri, paga minimale në Kosovë ishte 130 euro për punëtorët nën 35 vjeç dhe 170 euro për punëtorët deri në 65 vjeç.
