div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-352 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Burim Vatovci flet për takimin me Gjestin: E përqafova, i thashë që të më llogaritë si vëlla të vogël

Ish-banori i Big Brother Vip Kosova, Burim Vatovci në “Weekend” në Klan Kosova ka folur për takimin e tij emocional me Gjestin, në varrimin e të vëllait.

Vatovci tha se Gjesti ishte në një gjendje shumë të rëndë emocionale, duke shtuar se rasti tronditës i ka shokuar të gjithë.

“Gjesti ishte në shumë gjendje të rëndë dhe është shumë e kuptueshme sepse është një rast tronditës që na ka shokuar të gjithëve. Gjesti me të vërtetë ishte i prekur. Shpresoj që me ndihmën e zotit, t’i çoj sabër familjes”, tha Vatovci.

Ai tregoi edhe për përqafimin emocional që ndau me Gjestin, duke e përshkruar si një moment vëllazëror.

“Kuptova që kishte një gjendje jo të mirë, i dorëzum prej jetës, sa e pashë. Me ngushëllu e ngushëllova, edhe e përqafova shumë si me përqafu një vëlla temin, sepse e kam pas një kohë me të, e njoh pak a shumë. Më është dhimtë shumë, dhe i thashë në vesh, ‘llogarit si vëlla të vogël ki mem pasë gjithë’”, vijoi tutje ai. /Klankosova.tv

Ekskluzive | Ky është 28 vjeçari që humbi jetën në aksidentin tragjik mes një veture dhe autobusi

Një aksident trafiku me pasojë fatale ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën Prizren–Prishtinë, në segmentin e njohur si Qafa e Duhles në Suharekë, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Nga përplasja mes një veture të tipit BMW 318i, që drejtohej nga Florim Tahiri rreth 35-vjeçar dhe një autobusi Neoplan, ka humbur jetën në vendngjarje pasagjeri Erik Ferati rreth 28-vjeçar.

Përveç viktimës, tre persona të tjerë kanë mbetur të lënduar: Altin Hajredini rreth 25-vjeçar – me lëndime të rënda, ndodhet në Spitalin e Prizrenit. Erion Ferati rreth 25-vjeçar – me lëndime të lehta. Florim Tahiri rreth 35-vjeçar– shoferi i veturës, me lëndime të rënda, është transferuar për trajtim në QKUK, Prishtinë.

Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar ndalimin e shoferit të dyshuar për 48 orë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi.

Burimet bëjnë me dije se në veturën e aksidentuar janë gjetur shishe birre, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit.
Kongresisti amerikan: Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në zhvillim dhe demokraci

Kongresisti amerikan, George Latimer, ka folur pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Latimer ka shkruar në Facebook se Kosova, si një shtet i ri, ka bërë hapa të rëndësishëm në përmirësimin e standardeve të jetesës dhe se roli i saj si aleat i Amerikës është kyç për të ruajtur paqen, prosperitetin dhe demokracinë, jo vetëm në rajon, por edhe në arenën ndërkombëtare.

Kongresisti shtoi se forcimi i lidhjeve midis SHBA-së dhe Kosovës përbën një strategji të rëndësishme për stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

 

Kurti për pezullimin e Dialogut të planifikuar Strategjik me SHBA-në: S’mund të bëj kompromise me sundimin e ligjit në veri

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara tha se arsyeja pse Uashingtoni ka pezulluar Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovës ka të bëjë me mbylljen e strukturave serbe në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

I pyetur gjatë një bashkëbisedimi të sqaronte arsyen e vendimit të kumtuar nga SHBA-ja më 12 shtator, Kurti tha se ai nuk mund të bëjë kompromise me sundimin e ligjit.

“[Arsyeja e pezullimit të Dialogut të planifikuar Strategjik] është për shkak të sundimit të ligjit në veri të Kosovës, i cili rezultoi të ishte kundër strukturave ilegale serbe dhe këtu nuk mund të bëj kompromise. Nuk mund t’ia lë këtë problem brezit tuaj. Mendoj që brezi im është ai që duhet ta përfundojë këtë”, tha Kurti.

Kurti tha se raporti Kosovë-SHBA është tridimensional: mbrojtje, zhvillim dhe diplomaci. Përderisa në dy shtyllat e para tha se nuk ka probleme, sa i përket diplomacisë, sipas tij, ka “pengesa”.

“Aty ku kemi disa pengesa është në diplomaci, sepse sipas meje, SHBA-ja e konsideron shumë të rëndësishme që ta tërheqë Serbinë nga hemisfera lindore sepse Serbia është e lidhur ngushtë me Moskën dhe ne, duke qenë të palëkundur në sundimin e ligjit, demokracinë, sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial, disa politikanë dhe diplomatë në SHBA vlerësojnë se ne nuk po e ndihmojmë SHBA-në që ta shkëpusë Serbinë nga Federata Ruse. Por, sinqerisht, ky nuk duhet të jetë problemi im”, tha Kurti, duke shtuar se ai përfaqëson interesat e Kosovës.

Më 12 shtator, Ambasada amerikane e arsyetoi vendimin për pezullimin e Dialogut me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve dhe paqëndrueshmërisë në vend.

Përmes një njoftimi, Ambasada amerikane në Kosovës tha se veprimet e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kanë “rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën mbi prioritetet e përbashkëta”.

“Fatkeqësisht, veprimet dhe deklaratat e fundit të kryeministrit në detyrë Kurti kanë paraqitur sfida për progresin e arritur ndër vite”, tha ajo, pa shpjeguar se për çfarë deklaratash dhe veprimesh bëhet fjalë saktësisht.

Kurti në SHBA tha se ai nuk është kryeministër që i thotë Policisë së Kosovës të mos e arrestojë një kriminel serb të kapur në flagrancë, “sepse ky veprim mund të dënohet nga Brukseli dhe Uashingtoni”.

“Dhe unë u dukem atyre shumë ndryshe nga paraardhësit e mi. Ky është mallkim nga pasardhësit e mi, të cilët kanë qenë të butë. Unë jam normal, por dukem ekstrem. Kjo është për shkak të paraardhësve të mi të cilët nuk kanë qenë normalë”, u shpreh Kurti.

Kurti tha se mes Kosovës dhe SHBA-së ka dallime kur bëhet fjalë “në taktika dhe veprime” e jo në vlera, interesa dhe parime.

Më 19 shtator, kryeministri në detyrë i Kosovës deklaroi se mes dy vendeve ka dallime, por Kurti shtoi se “nuk jemi prishur me Amerikën”.

Vitin e kaluar, autoritetet në Kosovë nisën mbylljen e institucioneve në veri, që operojnë sipas sistemit serb. Kosova i cilëson këto institucione paralele dhe ilegale.

Veprimet e ekzekutivit kosovar në veri janë përballur me kritika nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë nga SHBA-ja.

Ndërsa javët e fundit u pezullua puna e Fondit për Sigurim Shëndetësor dhe Fondit për Sigurim Invalidor e Pensional, që punojnë sipas sistemit të Serbisë, në Mitrovicën e Veriut.

E rëndë: Aksident me fatilitet mes një autobusi dhe një veture

Një person ka vdekur dhe dy të tjerë janë lënduar si shkak i një aksidenti mes një autobusi dhe një veture në rrugën Suharekë-Shtime përgjatë së dielës.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi. Ai bëri të ditur se një pasagjer i veturës ka humbur jetën në vendngjarje, ndërkaq dy të lënduar tjerë janë dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit.

“Si pasojë e aksidentit, një pasagjer i automjetit ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit. Nga të dhënat e para dyshohet se automjeti BMË ka humbur kontrollin dhe është përplasur me autobusin”, bëri të ditur Bytyqi.

Bytyqi shtoi se Suharekë-Shtime është e bllokuar për qarkullim deri në përfundim të ekzaminimeve nga policia.

E hidhur: Vdes ish-ushtari i UÇKsë

Ka vdekur sot Bejtush Hoxha, ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Në një njoftim në Facebook, faqja Zona Operative e Llapit “Zoll” ka bërë të ditur vdekjen e Hoxhës, duke i shprehur ngushëllime familjes dhe ish-bashkëluftëtarëve të tij.

Tutje, theksohet se nga moskujdesi institucional për rehabilitimin e luftëtarëve të lirisë po bën që shumë prej tyre ta humbin betejën me jetën dhe të ikin në amshim.

“Të dashur bashkëluftëtarë, sot u nda nga kjo botë edhe një vëlla i armës. Për kohën e varrimit do të ju njoftojmë me kohë”.

“Nderime, bashkëluftëtar! Të qoftë i lehtë dheu i lirisë, Bejtush Hoxha”, thuhet në shkrimin e lëshuar nga Zona Operative e Llapit “Zoll”.

Gjenerali serb i dënuar për krime lufte në Kosovë lirohet nga burgu

Gjenerali serb, Nebojsha Pavkoviq, i dënuar për krime lufte kundër shqiptarëve në Kosovë, është liruar nga burgu në Finlandë dhe ka shkuar në Serbi, bëri të ditur kryeministri serb, Gjuro Macut, më 28 shtator.

Pavkoviq, ish-komandant i Ushtrisë së Tretë të Jugosllavisë, me vendim të formës së prerë ishte dënuar me 22 vjet burgim për krime kundër shqiptarëve të Kosovës më 1999.

Macut tha se është plotësuar kërkesa e Qeverisë së Serbisë që Pavkoviqit, “për shkaqe shëndetësore, t’i mundësohet lirimi i parakohshëm”.

Ai shtoi se me këtë “akt konfirmohet se shteti kujdeset për qytetarët e vet dhe se angazhohet për parime humane në marrëdhëniet ndërkombëtare”.

Sipas kryeministrit të Serbisë, Pavkoviq do të vazhdojë trajtimin mjekësor në Serbi.

Lirimin e tij nga burgu e kishte paralajmëruar më herët presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Pavkoviq u shpall fajtor në vitin 2009 për të gjitha pikat e aktakuzës dhe u dënua për dëbime, zhvendosje të detyruara, vrasje dhe persekutim të civilëve shqiptarë nga Kosova në gjysmën e parë të vitit 1999.

Kundër tij dhe gjeneralëve të tjerë serbë, në fund të vitit 2003 u ngrit aktakuzë nga Tribunali i Hagës, ndërsa në vitin 2005 ai u dorëzua në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë në Hagë.

Së bashku me të, u dënuan edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Jugosllavisë, Dragolub Ojdaniq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës, Vlladimir Llazareviq, gjenerali i policisë Sreten Llukiq dhe ish-nënkryetari i Qeverisë së Jugosllavisë, Nikolla Shainoviq.

Pavkoviq dhe Llukiq u dënuan me nga 22 vjet burgim, ndërsa Ojdaniq dhe Llazareviq me nga 15 vjet.

I pandehuri i parë, Sllobodan Millosheviq, vdiq në paraburgim, ndërsa ish-presidenti i Serbisë, Millan Millutinoviq, u shpall i pafajshëm.

Të gjithë të akuzuarit u dorëzuan vullnetarisht.

Mekanizmi në Hagë, deri më tani nuk ka njoftuar për lirimin e Pankoviqit.

Në mesin e muajit gusht, avokati Aleksandar Alleksiq, dorëzoi një kërkesë urgjente për lirimin e parakohshëm të Pavkoviqit, duke përmendur si arsye gjendjen shëndetësore.

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale, në maj 2022, e kishte refuzuar kërkesën e Pavkoviqit për lirimin e parakohshëm, për shkak të “rëndësisë së madhe të krimeve të tij dhe mungesës së rehabilitimit”. /REL

Tragjedi në Lubeniq – një person bie në bunar, dyshohet se ka humbur jetën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot pasdite në fshatin Lubeniq të komunës së Pejës, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali mëson se rasti ka ndodh rreth orës 14:30, kur një qytetar ka njoftuar se një person kishte rënë në një bunar që po hapej në afërsi të varrezave të fshatit.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale e Pejës, sipas të cilës viktima dyshohet se është pa shenja jete, por se trupi i tij ende nuk është nxjerrë nga bunari rreth 20 metra.

Ekipet e emergjencës dhe njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe janë duke u marrë me rastin.

Ende nuk dihen rrethanat e plota të këtij incidenti, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar shkaqet dhe identitetin e personit të përfshirë.
Blushi shpërthen kundër njohjes së Palestinës: “Shpërblim për një popull që ka zgjedhur terrorizmin”

Sipas Blushit, njohja e Palestinës pa kushte është shpërblim i pamerituar për një popull që ka refuzuar paqen, ka zgjedhur terrorizmin dhe nuk ka ndërtuar institucione demokratike.

Shkrimtari dhe publicisti Ben Blushi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të disa vendeve europiane, si Franca dhe Britania, për të njohur shtetin palestinez. Sipas tij, një akt i tillë nuk është as zgjidhje dhe as ndihmë për paqen në Lindjen e Mesme, por një shpërblim i gabuar për një popull që ka refuzuar historikisht çdo mundësi për të pasur shtetin e vet.

Blushi kujton se palestinezët kanë refuzuar planin e OKB-së të vitit 1947 për krijimin e dy shteteve, kanë humbur të gjitha luftërat kundër Izraelit dhe madje në vitin 2000 refuzuan edhe marrëveshjen e paqes të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan Bill Clinton. “Izraeli ka refuzuar më pak shtetin palestinez sesa vetë palestinezët,” thekson ai.

Ai nënvizon diferencat e mëdha mes dy popujve: ndërsa Izraeli është kthyer në një demokraci të fortë me ekonomi prej 600 miliardë dollarësh në vit dhe një fuqi teknologjike botërore, Palestina ka mbetur e varfër dhe e qeverisur nga Hamas, një organizatë terroriste që nuk lejon zgjedhje prej vitit 2005.

“Palestinezët e adhurojnë Hamasin, i shpallin terroristët martirë dhe nuk ngrihen kurrë kundër tij. Për këtë arsye, njohja e Palestinës pa kushte është një shpërblim që ky popull nuk e meriton,” shkruan Blushi, duke shtuar se vetëm zhdukja e Hamasit dhe pranimi i demokracisë mund t’i japë palestinezëve të drejtën për të pasur shtetin e tyre.

Sipas tij, çështja palestineze nuk lidhet vetëm me Izraelin, por me moralin e kohës: “Palestina nuk është gati për të bashkëjetuar me pjesën tjetër të botës së qytetëruar.”