Platforma ‘Signal’ që njihet si më vështirë e përgjueshme, ka qenë forma më e shfrytëzuar për komunikim ndërmjet koordinatores së komiteteve në Vetëvendosje, Dejona Mihalit, dhe ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Kur në Kosovë kishte shpërthyer skandali për përfshirjen e ambasadorit Martin Berishaj në dallaveret me rrymë nëpërmjet kompanisë GEN, shqetësimi duket se ishte prezent në figurat e larta të Vetëvendosjes.
Në komunikimet që i ka siguruar Gazeta Nacionale ndërmjet Dejona Mihalit dhe Nagip Krasniqit, del se Mihali e përcillte me vëmendje secilin raportim për këtë skandal energjetik. Ato ia përcillte ish-kryeshefit të KEK-ut.
Madje, në njërën prej bisedave, Mihali e informon Nagip Krasniqin për shkrimet e mediave se kompania GEN e lidhur me Martin Berishajn, kishte përfituar 4.2 milionë euro gjatë kohës së krizës energjetike.
Para këtij raportimi, dorëzohet edhe Nagip Krasniqi i cili e konfirmon se “pak a shumë është i vërtetë”.
Mihali ia ka dërguar Krasniqit linkun e portalit Reporteri, përderisa reagimi i Nagip Krasniqit ishte i menjëhershëm.
“Pak a shumë e vërtetë”, thuhet në përgjigjen e Nagip Krasniqit, në bisedat të cilat i ka siguruar Nacionale.
Ajo që mbrohej me kërshëri nëpër media nga zyrtarët e pushtetit, del se nuk amnistohej edhe në komunikimet private.
Pra, Nagip Krasniqi, në bisedat private, ia konfirmon Dejona Mihalit, se përfshirja e Martin Berishajt në kompaninë GEN dhe përfitimet që kjo kompani ka marrë nga Kosova, janë “pak a shumë të vërteta”.
Bisedat për këtë temë, nuk ndalen.
Pas artikullit të parë, Dejona Mihali ia dërgon Nagip Krasniqit një deklaratë të Ramush Haradinajt, i cili kërkonte llogari nga Albin Kurti për skandalin me rrymë ku ishte i përfshirë Martin Berishaj.
Kjo nuk u përcoll me ndonjë reagim nga Nagip Krasniqi.
Në një tjetër shkëmbim mesazhesh në ‘Signal’, Dejona Mihalit e njofton Nagip Krasniqin për komisionin hetimor, dhe importin e rrymës.