Lëvizja Vetëvendosje në Prizren e ka zgjeruar numrin e koalicioneve.
Artan Abrashi, kandidati i LVV’së për Prizrenin, ka njoftuar se kanë arritur koalicion me partinë nga komuniteti joshumicë PREBK’në, kryetar i së cilës është Albert Kinolli, shkruan Insajderi.
Siç bën të ditur Abrashi, në takim ishte prezent edhe Sejnur Veshall, i cili u propozua nga Albin Kurti si ministër për Zhvillim Rajonal.
“Sot arritëm marrëveshje bashkëpunimi me kryetarin e PREBK-së, z. Albert Kinolli, deputet që përfaqëson me dinjitet komunitetin rom të Prizrenit. Në takim ishte i pranishëm edhe bashkëpartiaku dhe aktivisti i parë rom në Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Sejnur Veshall, i cili, për herë të parë në historinë e Kosovës, u propozua ditë më parë për postin e Ministrit të Zhvillimit Rajonal nga Qeveria Kurti”, thuhet në njoftim.
Vetëvendosja në Prizren dje njoftoi se ka arritur marrëveshje me AAK’në.
“Sot, në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje! – Qendra në Prizren, e përfaqësuar nga unë si kryetar, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e përfaqësuar nga kryetari z. Besnik Krasniqi, nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për të ndërtuar një qeverisje të drejtë, transparente dhe zhvillimore për qytetin tonë”, u bë e ditur në njoftimin e djeshëm.



