PDK e çon në Supreme rastin e Mitrovicës, Artan Behrami: Vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot, përmes postës zyrtare, ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e PZAP-it që refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka bërë të ditur se ky vendim i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në disa qendra votimi në këtë komunë. Ai theksoi se provat e paraqitura nga PDK tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve është ndryshuar.

Me ankesën drejtuar Gjykatës Supreme, PDK kërkon rishqyrtim të plotë të rastit dhe marrjen e një vendimi që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.

Behrami tha se partia do të vazhdojë rrugën ligjore deri në sqarimin e çdo parregullsie:

“Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”

Sipas PDK-së, synimi mbetet mbrojtja e votës së lirë dhe forcimi i proceseve demokratike në vend.