7.3 C
Pristina
E diel, 1 Qershor, 2025

Pezullimi i shtesave për fëmijë, reagojnë nga Ministria

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka hedhur poshtë deklarimet e sotme të Avokatit e Popullit mbi kërkesën për verifikimin e rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë, duke thënë se një gjë e tillë është e pasaktë dhe si pasojë e dëmton rëndë reputacionin e shtetit tonë.

Avokati i Popullit ka publikuar një letër rekomandimi drejtuar Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, pas hetimeve të nisura me iniciativë zyrtare për pezullimin e pagesave të shtesës për fëmijë, që sipas ankuesve, ka ndikuar kryesisht te qytetarët e komunitetit serb.

Sipas raportit, qytetarët përfitues kishin vazhduar të merrnin shtesat nga shtatori 2021 deri në dhjetor 2024, por pagesat u pezulluan pavarësisht se ata kishin dorëzuar dokumentacionin e kërkuar nga Departamenti i Skemave Sociale (DSS).

Disa qytetarëve madje u është kërkuar të paraqiten në Agjencinë e Statistikave të Kosovës për verifikimin e vendbanimit, pasi dëshmitë e tyre nuk janë njohur nga sistemi shtetëror.

Ndërkaq, në reagimin e ministrisë thuhet se qëllimi i verifikimit të rezidencës për përfituesit e shtesave për fëmijë është që të sigurohen se nga ato përfitojnë familjet që jetojnë në Kosovë, duke mbrojtur paranë publike dhe duke garantuar që mbështetja shkon te nënshtetasit rezidentë në Kosovë, raporton KosovaPress.

Për këtë arsye, MFPT thotë se ka pezulluar përkohësisht pagesat për një numër të kufizuar të përfituesve, duke kërkuar dokumentacion shtesë me qëllimin e vetëm verifikimin e vendbanimit të tyre.

Përzgjedhja e këtyre familjeve është bërë në mënyrë të paanshme dhe nuk është ndikuar në asnjë formë nga përkatësia etnike e përfituesve. Skema e shtesave për fëmijë që nga fillimi ka karakter gjithëpërfshirës dhe përfitues të saj janë mbi 400 mijë fëmijë bazuar në kriteret themelore – moshën e fëmijëve dhe të qenit shtetas rezident i Kosovës.

Në deklaratën e Avokatit të Popullit të publikuar sot, i atribuohet kuptim negativ edhe kërkesës për regjistrim në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, kur në fakt kjo u mundëson një alternativë shtesë qytetarëve që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin e plotë, që përmes ASK-së të konfirmojnë rezidencën dhe të rifitojnë të drejtën për përfitim nga shtesat për fëmijë.

Vlen të theksohet se regjistrimi në ASK është një obligim ligjor për çdo qytetar rezident në Kosovë dhe nuk mund të konsiderohet diskriminues, aq më tepër nga një institucion tjetër shtetëror. Regjistrimi në ASK përveç se obligim ligjor, mundëson planifikimin më të mirë të politikave për të gjithë qytetarët pa dallim nacionalitetin e tyre, thekson tutje MFTP.

Deklaratat e pavërteta për diskriminim mbi baza etnike të bëra sot në komunikatën e Avokatit të Popullit, pa u mbështetur në të dhëna empirike e pa as të vetmin argument, përveç se shkaktojnë paqartësi te qytetarët, ato dëmtojnë rëndë edhe reputacionin e vendit tonë si vend që respekton të drejtat e barabarta për të gjithë, thekson MFTPT.

Kujtojmë, Avokati i Popullit ka theksuar se nuk ka pranuar kopje të dokumenteve zyrtare mbi të cilat DSS ka bazuar kërkesat për dokumentacion shtesë, përfshirë edhe vendimin e 31 tetorit 2024. Ky mungesë transparence, sipas raportit, ka sjellë shkelje të parimeve të procedurës administrative dhe parimeve të sundimit të ligjit, veçanërisht ndaj fëmijëve të komunitetit serb, duke krijuar trajtim të pabarabartë dhe indikacione për diskriminim etnik.

Në letrën e tij, Avokati i Popullit i ka rekomanduar MFPT-së, të publikojë menjëherë dhe në mënyrë të qartë të gjitha vendimet, udhëzimet dhe kriteret e verifikimit në të dy gjuhët zyrtare, të krijojë modalitete të përshtatshme për verifikimin e dokumentacionit për përfituesit, të sigurojë që të gjitha pagesat e pezulluara t’u kthehen përfituesve në mënyrë retroaktive, pas verifikimit të plotë.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here