Një ndjekje policore është regjistruar dje pasdite në fshatin Vuqë të Leposaviqit, ku një 19-vjeçar ka sfiduar urdhrat e policisë duke tentuar t’i shmanget kontrollit.
Rreth orës 14:45, njësia e NJNSH-së, së bashku me KFOR-in, ka ndaluar një veturë Golf 2 ngjyrë të kuqe, pa targa, me dy persona brenda. Gjatë verifikimit, Mladen Miladinovic rreth 20-vjeçar ka dalë nga vetura dhe është larguar me vrap, duke mos iu bindur thirrjeve të policisë për t’u ndalur.
Një pjesëtar i policisë ka shtënë me armën Glock në drejtim të tij për ta ndaluar, por pa shkaktuar lëndime. Pas rreth 6 orësh, i riu është paraqitur vetë në Stacionin Policor Leposaviq, ku është intervistuar nga IPK-ja.
Prokurori ka konstatuar se nuk ka elemente të veprës penale, por me vendim të gjyqtares kujdestare, Miladinovic është gjobitur me dy tiketa: një për “Mosposedim të patentë-shoferit” dhe një tjetër për “Mospërfillje të urdhrave të ligjshme”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.