Një incident me armë zjarri ka ndodhur para pak çastesh në lagjen Vranjevc të Prishtinës, ku njësitet policore kanë shtënë në drejtim të një personi të dyshuar i cili ishte në kërkim për veprën penale “Rrezikim të përgjithshëm”.
Enis Pllana, zëdhënes i policisë së Kosovës për kryeqytetin ka konfirmuar për Indeksonline, se zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë personin e kërkuar L.K. (1996) derisa ishte në një veturë në rrugën e sipërshënuar.
“Sot, rreth orës 12:00, në rrugën “Fahri Fazliu”, zyrtarët e Njësisë për Realizimin e Urdhëresave kanë tentuar të ndalojnë personin e kërkuar L.K. (1996) derisa ishte në një veturë në rrugën e sipërshënuar. I dyshuari ka refuzuar urdhrat policorë dhe ka arritë të largohet duke rrezikuar zyrtarët, njëri nga të cilët në përpjekje për ta ndaluar të dyshuarin ka përdorë edhe armën zyrtare. Personi i dyshuar ka arritë të largohet duke shkaktuar një aksident trafiku me të lënduar dhe dëme materiale. Lidhur me rastin janë njoftuar institucionet kompetente.”, tha Pllana.