Presidenca – Mustafës: Koha juaj në politikë, fatmirësisht ka perënduar

Shefja e stafit të presidentes, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili deklaroi se mund të pritet ndonjë “dredhi” nga presidentja Vjosa Osmani për të mbetur në pushtet.

Mustafa e quajti Osmanin “karrieriste dhe manipulante të paskrupullt politike”. Ndërsa Hollaj, i ka cilësuar deklaratat e Mustafës si “shpërthim të hidhur”.

“Ofendimet e sulmet e Isa Mustafës ndaj Presidentes së Republikës janë një shpërthim i hidhur i një njeriu të cilit, fatmirësisht për vendin, i ka perënduar koha në politikë, por që nuk po gjen dot qetësi për ta pranuar këtë realitet”.

“Në vend që të heshtë dhe të reflektojë për dështimet e veta politike çmimin e të cilave akoma e paguan Kosova, për mënyrën se si e zhbëri besimin e qytetarëve dhe e ktheu partinë e tij në një hije të vetvetes, ai zgjedh të sulmojë një lidere që në çdo hap e ka mbrojtur demokracinë, sovranitetin dhe dinjitetin e Kosovës”, ka shkruar Hollaj, në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo ka vlerësuar se është më mirë të jesh “tradhtare e marrëveshjeve të pista që e kanë dëmtuar Kosovën”, sesa “simbol i politikës së nënshtrimit, heshtjes dhe humbjeve”.

Sipas saj, kur flet Mustafa për tradhti, kujtesa kolektive e qytetarëve kthehet te marrëveshjet e errëta të vitit 2014.

“Tek pazaret e pushtetit që u bënë pas shpine dhe në kundërshtim me vullnetin e votuesve e tek marrëveshjet e dëmshme me Serbinë cilat në çdo dispozitë përmbanin shkelje kushtetuese”.

Ajo ka shtuar se nuk është tradhti të mos u bindesh verbërisht liderëve si Mustafa, që “devijojnë nga parimet dhe shkelin interesat e Kosovës”.

“Deputeti nuk është robot i komanduar, por përfaqësues i popullit, i ndërgjegjes dhe i ligjit. Këtë e sanksionon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e jo ndonjë “rregull” i politkbërjes joparimore që Isa Mustafa do ta rikthejë për ta kontrolluar politikën si dikur”.

Në fund, Hollaj ka potencuar se koha e burrave që mendojnë se populli u detyrohet atyre ka perënduar.

“Sot flasin veprat, besimi qytetar dhe vlerat që përfaqëson Presidentja e vendit. Këto janë shumëfish më të fuqishme se mllefi i një ish-politikani që e ka humbur rrugën në mes historisë dhe harresës”.

Raportet mes Presidentes Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa kanë qenë të tensionuara që nga marrja e detyrës nga Osmani në vitin 2021, si dhe gjatë periudhës kur ajo u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Osmani ka qenë pjesë e LDK-së për disa vite dhe ka mbajtur poste të ndryshme në Kuvend dhe në institucionet shtetërore. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka punuar nën lidershipin e Isa Mustafës.