Sot në qytetin e Gjilanit është organizuar një protestë qytetare para objektit të Gjykatës Themelore, në shenjë reagimi ndaj vrasjeve të fundit që kanë tronditur qytetin.
Ngjarja e rëndë që ndodhi para pesë ditësh, ku një fajdexhi dyshohet se vrau tre persona, ka nxitur reagime të ashpra si nga qytetarët ashtu edhe nga përfaqësues të partive politike
Ndër reagimet më të ashpra ishte ai i deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili tha se qytetarët me të drejtë kanë thirrur protestë, ndërsa akuzoi qeverinë në detyrë për heshtje dhe neglizhencë.
“Pesë ditë heshtje nga Sveçla e Kurti për mos arrestimin e fajdexhiut që vrau tre qytetarë të pafajshëm! Jo vetëm heshtje – por edhe mbrojtje të hapur. Në ditën e tragjedisë, në vend që qyteti të ‘blindohej’ në çdo hyrje e dalje derisa autori të kapej, atij iu hap rruga për t’u arratisur. Adresa para së cilës duhet të protestohet është Lëvizja Vetëvendosje – aty buron krimi dhe tmerri që po e terrorizon Gjilanin,” ka shkruar Tahiri.
Protesta në Gjilan vjen si shenjë pakënaqësie për mungesën e reagimit institucional dhe kërkon drejtësi për viktimat e rastit të rëndë.