PZAP rrëzon ankesën e PDK-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka përmbyllur shqyrtimin e të gjitha ankesave të dorëzuara lidhur me rezultatet preliminare të zgjedhjeve.
PZAP ka konfirmuar për Zërin se aktualisht nuk ka asnjë ankesë në procedurë, derisa ka bërë të ditur se në lidhje me zgjedhjet e 28 dhjetorit ka pranuar gjithsej 70 ankesa, prej të cilave katër kanë qenë ankesa për rezultatet preliminare dhe për to tashmë janë marrë vendime.
“Aktualisht, PZAP nuk ka asnjë ankesë në shqyrtim”, ka deklaruar PZAP për Zërin.
Me përfundimin e këtij procesi, është hapur rruga për certifikimin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, në rast se subjektet politike nuk parashtrojnë ankesa pranë Gjykatës Supreme.
Kujtojmë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kishte dorëzuar ankesë në PZAP, me të cilën kishte kërkuar që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) të urdhërohej të anulonte të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datës 29 dhjetor 2025, si dhe të përjashtonte nga numërimi fletëvotimet e pranuara pas këtij afati, përfshirë ato të datave 2 dhe 5 janar 2026.
Lidhur me këtë ankesë, PZAP ka marrë vendim duke e hedhur poshtë si të pasafatshme. /Zëri
