Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka dhënë një deklaratë që tingëllon si këshillë për qetësi shpirtërore, por jo për partinë e tij, por për opozitën.
Duke folur para hyrjes në Kuvendin e Kosovës, Basha u shpreh se opozita duhet ta kursejë energjinë që, sipas tij, po e shpenzon duke kundërshtuar kandidaturën e Albulena Haxhiut, dhe në vend të kësaj ta ruajë për një “kundërshtar të përbashkët” – Serbinë.
“Ne e kemi kandidu Albulena Haxhiun, nuk ka vërejtje as prej juve, as prej qytetarëve për Albulenën. Është e paarsyeshme me dalë me qëndru kundër. Mendoj që opozita duhet me ruajt energjinë kundër Serbisë, jo me luftu Albulenën”, deklaroi Basha
Ai shtoi se Kryesia e Kuvendit u takon të gjithëve Vetëvendosjes, PDK-së, LDK-së dhe përfaqësuesve të komuniteteve, ndonëse zëshëm vetëm partia e tij vendos kandidatë dhe pastaj kërkon të mos ketë diskutime.
Kështu, sipas Bashës, kritika ndaj Albulena Haxhiut nuk është opozitarizëm – është humbje kohe.