Qeveria Kurti miraton Projektligjin…

Qeveria në detyrë ka proceduar për votim projektligjin për buxhetin për vitin e ardhshëm.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se sot do të miratojnë projektligjin për ndarje buxhetore për vitin 2026.

Në fjalimin e tij, Kurti ka thënë se ky buxhet do të sjellë shumë risi.

Ai ka bërë të ditur se vlera e buxhetit për vitin 2026 do të arrijë shumë e 4 miliardë eurove.

Në projektligjin e buxhetit të ri është paraparë edhe ndarja e rrogës së 13-të për punonjësit e sektorit publik.

“Risi në këtë buxhet do të jetë dhënia e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Gjithashtu është i përfshirë edhe zbatimi i rritjes së pagës për 0.5% bazë për çdo vit përvojë pune, kjo përkthehet në rritje shtesë për pagën që secili punon në sektorin publik varësisht prej përvojë së punë”, ka thënë mes të tjerash Kurti.

Në bazë të Ligjit për Qeverinë, Kurti ka thënë se kanë të drejtë ligjore për procedimin e projektligjit të buxhetit edhe pse njohësit e çështjeve juridike e kanë kundërshtuar një veprim të tillë.

Në mbledhjen e parë të Kryesisë së Kuvendit nuk është arritur pajtueshmëria për procedimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2026.

Kjo çështje, bashkë me dy pika të tjera, janë hedhur poshtë nga Kryesia e Kuvendit në një mbledhje të mbajtur të enjten.

Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku tha se Ligji për Qeverinë, si dhe Kushtetuta, e pamundësojnë procedimin e projektligjeve në kuvend nga qeveria në largim.

Njohësi i punës së Kuvendit të Kosovës, anëtari i shoqërisë civile Albert Krasniqi tha të enjten se opsioni i vetëm i zgjidhjes së çështjes së buxhetit për vitin e ardhshëm është ai i krijimit të një qeverie teknike para shkuarjes eventuale të vendit në zgjedhje. Kjo qeveri teknike, pastaj do të adresonte vetëm Ligjin për Buxhetin dhe Marrëveshjen e Planit të Rritjes me BE-në, e cila duhet të ratifikohet në Kuvend para përmbylljes së këtij viti.