Në raportin gjashtë mujor për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, i cili pritet të debatohet më 30 tetor të këtij viti në një seancë të KS të OKB-së, thuhet se “nuk ka pasur përparim domethënës në zbatimin e zotimeve për të cilat Kosova dhe Serbia ranë dakord verbalisht në Ohër, Maqedoni e Veriut, si pjesë e Marrëveshjes së propozuar nga BE për Rrugën drejt Normalizimit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksit të Zbatimit të saj të 18 marsit 2023”.
Këtë informatë e ka shpërndarë Pascale Christine Baeriswyl nga Zvicra, e cila mban presidencën e radhës të organit prej 15 anëtarësh për tetor.
“Marrëveshja prej 11 pikash parashikonte se as Kosova e as Serbia nuk mund të përfaqësojnë njëra-tjetrën në sferën ndërkombëtare dhe se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Në këmbim, Kosova u zotua të krijojë ‘aranzhime dhe garanci specifike…për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit’ për komunitetin serb në Kosovë. Aneksi theksoi veçanërisht nevojën që palët të zbatojnë 11 pikat e marrëveshjes në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra. Megjithatë, pikëpamjet e ndryshme për sekuencën e zbatimit kanë penguar progresin konkret”, thuhet ndër të tjera në raport.
Më tej, thuhet se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ftoi kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Alleksandar Vuçiq në Bruksel më 26 qershor për një takim të nivelit të lartë si pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Takimi trepalësh, megjithatë, thuhet se nuk u zhvillua.
Aty citohet edhe deklarimi i Borrellit në konferencën për shtyp të asaj dite, ku shpjegoi se “Kosova kishte vendosur tre kushte për pjesëmarrjen e saj: zyrtarizimin e Marrëveshjes së Ohrit duke e nënshkruar atë nga të dyja palët; tërheqjen e një letre nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq drejtuar Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, në të cilën ajo argumentonte se Marrëveshja e Ohrit është ‘e pranueshme vetëm brenda kontekstit që nuk ka të bëjë me njohjen de facto dhe de jure të Kosovës’; dhe që Serbia t’ia dorëzojë autoriteteve gjyqësore të Kosovës Millan Radoiçiqin, ish-nënkryetarin e partisë mbizotëruese politike në veri të Kosovës me shumicë serbe, Listës Serbe, dhe bashkëpunëtorëve të tij”.
Raporti përmend edhe faktin se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ngriti padi ndaj Radoiçiqit dhe 44 të tjerëve më 11 shtator për përfshirjen e tyre në sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 pranë fshatit Banjskë.
Raporti, rastin e Banjskës e cilëson “incident”, ndërsa theksohet se Serbia e ka përjashtuar ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë.
“Pasi takimi trepalësh i 26 qershorit dështoi, Borrelli vuri në dukje se Serbia ‘nuk ishte e gatshme të përmbushte plotësisht kushtet e Kosovës, duke përmendur kufizimet kushtetuese’. Ai vuri në dukje gatishmërinë e Vuçiqit për të ‘eksploruar opsione’ në lidhje me letrën e Bërnabiqit dhe zyrtarizimin e Marrëveshjes së Ohrit ‘në përputhje me praktikat e kaluara të dialogut’. Borrelli tha gjithashtu se, para anulimit të takimit, BE-ja paraqiti një propozim të ri për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Megjithatë, ai theksoi se pikëpamjet e palëve se si duhet të vazhdojë procesi i normalizimit mbeten shumë larg”, thuhet mes tjerash në raport.
Përmendet edhe ndalimi i dinarit në Kosovë dhe mos-arritja e marrëveshjes më 15 maj për këtë çështje.
Gjithashtu, përmenden edhe aksionet policore në veri të cilat cak kishin objektet bankare në veri të Kosovës, sikurse edhe zyrat e shërbimit kombëtar postar serb.
Veç këtyre, në raport zë vend edhe mbyllja e disa institucioneve komunale paralele serbe.
Këshilli i Sigurimit thotë se prioritet ka stabilitetin në Kosovë dhe promovimin e de-përshkallëzimit të tensioneve në veri.
“Do të vazhdojë të monitorojë përpjekjet diplomatike për avancimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe çdo përpjekje drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, ligjërisht të detyrueshme rreth Kosovës. Për këtë qëllim, Këshilli mund të shqyrtojë kërkimin e një deklarate presidenciale që u bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga veprimet e njëanshme dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura përmes dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në raportin e KS të OKB-së për Kosovën.
Thuhet po ashtu se “anëtarët e Këshillit janë të bashkuar në mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për të krijuar kushte për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.
“Ndarjet e thella midis anëtarëve të përhershëm, megjithatë, vazhdojnë të karakterizojnë qasjen e Këshillit ndaj çështjes”, theksohet në raport.
Në mesin e pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit, Franca, Britania e Madhe dhe ShBA-ja e njohin pavarësinë e Kosovës dhe priren të mbështesin qeverinë e saj; Kina dhe Rusia nuk e njohin pavarësinë e saj dhe mbështesin fuqishëm pozicionin e Serbisë dhe pretendimin e saj për integritet territorial.
Gjashtë anëtarë të zgjedhur (Guyana, Japonia, Malta, Republika e Koresë [ROK], Sllovenia dhe Zvicra) e njohin pavarësinë e Kosovës, ndërsa tre (Algjeria, Ekuadori dhe Mozambiku) jo.
Në raportin e KS të OKB-së përmendet dhe çështja e Sierra Leones, shtetit që e njohu pavarësinë e Kosovës, mirëpo për të cilin Serbia pretendon se e ka tërhequr njohjen.
“Kosova thotë se Sierra Leone e njohu zyrtarisht pavarësinë e saj në qershor 2008. Megjithatë, sipas raportimeve të mediave, Serbia pretendoi në mars 2020 se Sierra Leone kishte tërhequr njohjen e saj, duke cituar një notë verbale për këtë çështje nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sierra Leones. Kosova konteston vlefshmërinë e tërheqjes”.
Sikurse edhe në seancat e kaluara, çështja e modifikimit të mandatit të UNMIK-ut me synimin e zvogëlimit të mundshëm të tij është një tjetër pikë mosmarrëveshjeje mes anëtarëve të Këshillit.
“ShBA-ja ka qenë avokuesi më i zëshëm për rishikimin e operacioneve të UNMIK-ut dhe përfundimisht përfundimin e misionit. Disa anëtarë të tjerë të Këshillit – duke përfshirë Japoninë, Zvicrën, ROK-un dhe MB-në – kanë shprehur mbështetje për një rishikim strategjik dhe modifikim të mundshëm të mandatit të UNMIK-ut, duke argumentuar se situata në terren ka ndryshuar ndjeshëm që nga themelimi i misionit në vitin 1999. Rusia ka kundërshtuar çdo ndryshim në mandatin e UNMIK-ut apo reduktimin e buxhetit, duke pohuar se misioni vazhdon të luajë një rol vendimtar”, theksohet në raportin për Kosovën, për të cilin do të debatohet më 30 tetor.