Gjykata Themelore Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ka vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së Paraburgimit në çështjen penale ndaj të pandehurve A.H.1, A.H.2 dhe J.H si dhe ndaj të pandehurit M.H për caktimin e masës Paraqitja në stacionin policor, për shkak se në bashkëkryerje dyshohen se kanë kryer veprën penale Lëndimi i rëndë trupor dhe veprën penale në bashkëkryerje Lëndimi i lehtë trupor.
Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve A.H.1, A.H.2 dhe J.H dhe të pandehurit M.H për caktimin e masës Paraqitja në stacionin policor, andaj të pandehurve A.H.1, A.H.2 dhe J.H iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji për secilin, ndërsa të pandehurit M.H iu është caktuar masa e sigurisë Paraqitja në stacioni policor në kohëzgjatje prej një muaj.
Pamje të reja nga rrahja në Emshir, përdoren edhe shkopinjtë, britma femrash
Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, pasi nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre dhe të shmangen nga procedura penale, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën, sesi pretendohet se janë kryer veprat penale, po ashtu edhe raportet familjare ndërmjet të pandehurve dhe të dëmtuarve në këtë çështje penale, gjykata vlerëson se lënia në liri e të pandehurve mund të rrezikojë në masë të madhe zhvillimin e drejtë të procedurës penale dhe ndikimin në dëshmitarë me qëllim të lirimit të të pandehurve nga përgjegjësia penale, si dhe të njëjtit mund të përsërisin veprën penale apo mund të kryejnë vepër penale edhe më të rëndë.
Ekziston dyshimi i bazuar se më datën 05.09.2024 rreth orës 20:30 në lagjen Emshir në Prishtinë për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit A.H, N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër, fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit me ç’rast të dëmtuarit A.H i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Ndërsa në të njëjtë datë, kohë dhe vend për shkak të mosmarrëveshjeve me familjen H., të pandehurit në bashkëkryerje edhe me tre të mitur, me dashje dhe me qëllim të shkaktimit të lëndimeve trupore, përgatiten dhe marrin mjete të përshtatshme për të shkaktuar lëndime të rënda trupore dhe shkojnë në vendin ku po qëndronin të dëmtuarit N.H, S.H dhe B.H, ku pas një fjalosje të shkurtër fillojnë ti godasin në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtëve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore.
“Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thekson Gjykata.