Adnan Rrustemi nga LVV ka deklaruar se Kosova ka humbur një shans “historike” për ta përjashtuar nga Kryesia Listën Serbe.
I ftuar në emisionin “Ditari” në tëvë, ky i fundit tha se bllokimi i konstituimit të Kuvendit është shkak i veprimit të opozitës dhe Listës Serbe.
Sipas tij, Lista Serbe mundet vetëm që të vijë në seancë dhe të mos propozojë asnjë emër për nënkryetar të Kuvendit dhe nuk konstituohet Kuvendi.
Derisa, ai shtoi se LVV nuk mundet të bëhet rob i Listës Serbe, duke u shprehur se është gabim që konstituimi i Kuvendit të mbetët në dorën e Listës Serbe.
“Dëmet që i ka bërë Kosovës opozita me veprimet e tyre në një mënyrë ose tjetren duke u bashkangjitur Listës Serbe në këtë veprimin bllokues të konstituimit të Kuvendit. Për sa kohë do të kemi deputet të tillë siç janë deputetët e Listës Serbe të cilët nuk e njohin Republikën e Kosovës nuk e respektojnë Kushtetutën dhe përdorën si një levë e Serbisë për ta sabotuar Kosovën ata mund ta bllokojnë kurdo procesin e konstituimit të Kuvendit, ata mund të mos propozojnë fare vin në seancë dhe nuk bëjnë propozim dhe nuk konstituohet Kuvendi, ky është dëmi që i ka shkaktuar opozita. Nuk mund ta paragjykoj përgjigjen ose veprimin e Gjykatës Kushtetuese, por politikisht po them që e kemi humbur një shans historike për ta përjashtuar Listën Serbe nga kryesia edhe një mundësi të madhe për ta zhbllokuar procesin e krijimit të institucioneve, për këtë ka përgjegjës dhe këta përgjegjës janë deputetët e PDK-së dhe LDK-së. Ne nuk mund të bëhemi rob ose peng të Listës Serbe, është gabim i madh që konstituimi i Kuvendit të mbetet në dorën e Listës Serbe”, ka deklaruar Rrustemi në emisionin “Ditari” në tëvë1.