Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën u përpoq të qetësonte zërat, lidhur me tërheqjen e pjesshme të trupave amerikane nga Rumania, duke siguruar se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e krahut lindor të aleancës.
Ai tha se rregullimet në pozicionimin e forcave amerikane nuk janë të pazakonta dhe se, edhe pas këtij ndryshimi, pozicionimi i forcave amerikane në Evropë mbetet më i madh sesa ka qenë për shumë vite. “Mendoj se po bëjmë shumë bujë për këtë tërheqje”, shtoi Rutte.
SHBA-ja njoftoi javën e kaluar tërheqjen e një brigade nga Rumania dhe nuk do ta zëvendësojë, duke theksuar se kjo është një shenjë pozitive e rritjes së kapaciteteve dhe përgjegjësisë evropiane.
Megjithatë, SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një prani të fortë në Evropë dhe aftësinë për të përmbushur angazhimet ndaj NATO-s.
Rutte gjithashtu përmendi operacionin “Eastern Sentry” dhe stërvitjen ushtarake “Dacian Fall” në Rumani dhe Bullgari, ku do të marrin pjesë rreth 5,000 trupa nga 10 vende të NATO-s, si prova që aleanca është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj dhe të dërgojë shpejt forcat e nevojshme në Rumani.
Presidenti rumun Nicușor Dan tha se nuk ka shqetësime lidhur me tërheqjen e trupave amerikane dhe se operacioni dhe stërvitja tregojnë koordinimin për lëvizje të mëdha të trupave ushtarake.




