Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë shkruar letër më 15.10.2024 Qeverisë izraelite duke i dhënë 30 ditë afat për të mundësuar urgjentisht qasjen e ndihmave humanitare në Gazë ose do të përballet me ndërprerjen e ndihmës ushtarake amerikane, raporton BBC.
Letra, e cila i bën thirrje Izraelit t’i japë fund “izolimit të Gazës veriore”, është paralajmërimi më i fortë i njohur me shkrim nga administrata e presidentit Joe Biden për aleatin e saj.
Situata në Gazën veriore është “dëshpëruese”, thotë OKB-ja, pasi qasja për shpërndarjen e ndihmave iu lejua pas më shumë se dy javësh.
Rreth 400 mijë palestinezë mbetën të izoluar në Gazën veriore, sipas OKB-së, e cila dënoi “numrin e madh të viktimave civile” në ditët e fundit.
Izraeli thotë se është duke i luftuar luftëtarët e Hamasit, të cilët janë rigrupuar në veri, në një ofensivë që ka detyruar mbylljen e puseve të ujit, furrave të bukës, pikave mjekësore dhe strehimoreve, sipas OKB-së.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) ka pasqyruar për BBC-në gjendjen e shpërndarjes së ndihmës në terren në Gaza.
Nuk ka ndihma të mjaftueshme, ka theksuar Matthew Hollingworth. “Ne nuk kemi pasur qasje dhe hapësirë për të bërë punën tonë”, thotë ai.
“Asgjë nuk po shkon në veri të Gazës. Ne sapo patëm futje të 12 kamionëve – por kjo nuk mjafton. Ne kemi nevojë për dërgesa çdo ditë” – thotë ai. BBC.