Shorti për eliminatoret e Botërorit do të hidhet më 13 dhjetor, ndërsa ndeshjet e para janë planifikuar për në mars të vitit të ardhshëm.
Europa dërgon 16 përfaqësuese, ndaj kualifikimet do të ndahen në 12 grupe, nga të cilët fituesit do të shkojnë direkt në kampionat, ndërsa të gjithë vendet e dyta do të luajnë një play-off së bashku me katër skuadrat më të mira të Ligës së Kombeve.
Vazot për shortin kualifikues do të përcaktohen kur të luhet ndeshja e fundit e Ligës së Kombeve.
Para xhiros së fundit, 38 nga 54 vende tashmë e dinë se në cilën vazo do të jenë në short.
Kosova është në mesin e 38 vendeve që tashmë e di 100% në cilën vazo do të vendoset. Më saktësisht, Kosova do të jetë në vazon e pestë.
Në vazon e parë sigurisht që do të jenë Franca, Spanja, Anglia, Belgjika, Holanda, Portugalia, Italia, Gjermania dhe Kroacia.
Vetëm katër kombëtare janë të sigurta në vazon e dytë, konkretisht Ukraina, Turqia, Suedia dhe Uellsi.
Të sigurta në vazon e tretë janë Republika e Irlandës, Finlanda, Gjeorgjia, Maqedonia e Veriut, Islanda, Irlanda e Veriut, Mali i Zi.
Edhe kombëtarja shqiptare do të jetë 100 për qind në këtë vazo, pra në të tretën.