Shqetësuese për qytetarët: Rritet çmimi i bukës

0
161

Ashtu siç ishte paralajmëruar ditë më parë, çmimi i bukës në Gjakovë ka shënuar ngritje.

Nga sot (e premte), qytetarët do të paguajnë deri 0.70 euro për bukën, në vend të 0.50 eurove sa ishte më parë.

Kryetari i Shoqatës së Furrtarëve në Gjakovë, Genc Fetahu, tha se kjo rritje ishte e pashmangshme, për shkak të rritjes së çmimeve të produkteve bazë që përdoren për përgatitjen e bukës.

“Çmimi i miellit, energjisë elektrike, punës, tatimeve – të gjitha janë rritur ndjeshëm. Nuk kishim si ta shmangnim rritjen e çmimit të bukës. Nëse nuk e rrisnim, do të punonim me humbje”, deklaroi Fetahu për televizionin lokal Tv Syri Vizion.

Ai theksoi se furrtarët janë përballur me rritje të dyfishtë të çmimeve të furnizimeve, ndërsa shtoi se vendimi për çmimin e ri është marrë në koordinim me të gjithë furrtarët e komunës.

Reagime të përziera nga qytetarët

Rritja e çmimit të bukës ka shkaktuar reagime të shumta në mesin e qytetarëve të Gjakovës. Shumë prej tyre janë të shqetësuar, duke theksuar se kostoja e jetesës po rritet përditë, ndërsa të ardhurat mbeten të njëjta.

“Rritja e çmimit të bukës, së bashku me rritjen e rrymës, po ndikon në të gjitha produktet. Po bëhet gjithnjë e më vështirë për ne”, tha një qytetar.

Një tjetër qytetar vlerësoi situatën më ndryshe, duke thënë se edhe furrtarët nuk kanë faj, pasi janë prekur nga të njëjtat rritje të çmimeve. Ai vuri në dukje edhe problemin e shpërdorimit të bukës nga qytetarët.

“Na nuk ia dimë vlerën bukës. E gjen në kontejnerë. Rritja po godet më së shumti pensionistët e familjet në asistencë sociale”.

Qytetarët shpresojnë që rritja e çmimit të bukës të mos pasohet me rritje të tjera të produkteve bazike, pasi kjo do të rëndonte edhe më shumë shportën familjare të konsumatorëve në Gjakovë dhe më gjerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here