Përleshjet në të cilat përfshihen qytetarët në vendin tonë janë goxha të shpeshta dhe kjo po konsiderohet edhe si cenim i sigurisë publike. Të tilla incidente ndodhin qoftë nëpër rrugë, kafeteri apo edhe në hapësira të tjera publike, raporton Gazeta Sinjali.
Një përleshje e dhunshme ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm 2025 në qytetin ePodujevës, më saktësisht në rrugën “19 Qershori”, afër lokalit “Shisha Zone”, ku tre persona kanë mbetur të lënduar nga një mjet i mprehtë, mëson Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar në polici rreth orës 00:41, dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat kanë konfirmuar se në incident janë përfshirë: Z.L., 24 vjeçar, L.H., 28 vjeçar, dhe N.H., 27 vjeçar.
Të tre kanë marrë lëndime trupore nga therje me thikë, ndërsa arma e përdorur është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale.
Fillimisht, të lënduarit janë trajtuar në Emergjencën e Podujevës, ndërsa dy prej tyre janë transferuar në QKUK – Prishtinë, nën përcjellje policore për shkak të natyrës së plagëve.
Në cilësinë e të dyshuarve janë intervistuar Z.L. dhe N.H., ndërsa si dëshmitar është marrë në pyetje edhe H.H., 26 vjeçar. Me urdhër të Prokurores Kujdestare është inicuar rast penal ndaj Z.L. për “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, dhe i njëjti është ndaluar për 48 orë, duke u dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë.
Ndërkohë, ndaj N.H. është iniciuar rast për “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar, pasi mbetet për t’u intervistuar edhe E.R. dhe A.H., të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në incident.