29.7 C
Pristina
E mërkurë, 16 Korrik, 2025

Supremja i përgjigjet qeverisë në detyrë: “Ndërhyrje e papranueshme në gjyqësor”

Gjykata Supreme e Kosovës ka thënë se të gjitha institucionet, përfshirë këtu edhe qeverinë, janë të obliguara të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit.

Supremja ka reaguar pas komunikatës së qeverisë në detyrë lidhur me vendimin për shfuqizimin e udhëzimit administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.

Sipas Supremes, reagimi i qeverisë në detyrë përbën ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit.

Ata janë zotuar se do të ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit.

“Reagimi i Qeverisë në detyrë, përbën, jo vetëm një keqinterpretim të natyrës së vendimmarrjes gjyqësore, por njëkohësisht një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e gjyqësorit. Të gjitha institucionet, përfshirë Qeverinë, janë të obliguara ta respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha Supremja.

“Vendimet e Gjykatës Supreme janë të bazuara në Kushtetutë dhe në ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës dhe si të tilla duhet të respektohen”.

“Gjykata Supreme si zbatuese e ligjit, edhe në rastin konkret, ka garantuar që akti nënligjor të jetë në përputhje me normat juridike që rregullojnë mënyrën dhe kohën e miratimit të tyre. Ndaj, çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje autoritetin e Gjykatës dhe legjitimitetin e vendimeve të saj, përmes deklaratave politike, cenon pavarësinë e gjyqësorit dhe dëmton besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Gjykata Supreme pret në rend të parë nga institucionet shtetërore të tregojnë gatishmëri për zbatimin e vendimeve gjyqësore, si kusht i funksionimit të shtetit ligjor. Gjykata Supreme do të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj në mënyrë të pavarur dhe të pandikuar, duke garantuar zbatimin e ligjit”, thuhet në reagimin e Supremes.

Qeveria në detyrë, në një reagim të martën, e cilësoi arbitrar dhe të ndikuar politikisht aktgjykimin e Supremes, përmes së cilit është anuluar udhëzimi administrativ i nënshkruar nga ministri në detyrë Hekuran Murati.

Sipas Supremes, është e kundërligjshme dhe anti-kushtetuese që ministrat në detyrë të nxjerrin akte nënligjore, për shkak se të njëjtit nuk mund të shfrytëzojnë pozitën e deputetit dhe të ministrit njëkohësisht.

POSTIMET E FUNDIT

TE NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here