Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në 25-vjetorin e themelimit të Policisë së Kosovës ka thënë se pas sakrificash të gjata e të mundimshme të popullit për liri, 25 vjet më parë erdhi dita që të themelohej edhe shërbimi policor i Kosovës, për të cilin tha se ishte domosdoshmëri e kohës dhe e vendit.
Sveçla përmendi heroin e parë të Policisë së Kosovës, Lazim Rexhepin, i cili ra në krye të detyrës më 11 shtator të vitit 2001.
“Dy vite pas themelimit të saj, në përpjekjet e pareshtura për avancim dhe në shërbim të çdo qytetari, policia u ballafaqua me humbjen e pjesëtarit të parë të saj në krye të detyrës. Më 11 shtator 2001, tashmë heroi Lazim Rexhepi do të vritej nga një grup plaçkitësish të maskuar duke u bërë heroi i parë që bie në krye të detyrës”.
“23 vite më vonë, që nga ky rast e 25 vite nga themelimi i Policisë së Kosovës, vendi ynë shënon në historinë e tij 23 pjesëtarë policorë të rënë në krye të detyrës. Sot, kur në sallë përveç familjarëve, kemi shumë prej kolegëve të heronjve të rënë në krye të detyrës, shprehi admirimin më të lartë për ta, për qëndresën e tyre e për vazhdimin në shërbim përkundër këtyre sfidave”, tha Sveçla.
“Në pothuajse 4 vite të mandatit tonë, policia ka shënuar rezultate të jashtëzakonshme, si në goditje të grupeve kriminale, rrjeteve e laboratorëve të drogës, terrorizmit, kontrabandës, korrupsionit e më e rëndësishmja, ka mbrojtur me çdo çmim integritetin tonë territorial dhe shtrirjen e sovranitetit, veçanërisht në veri të vendit”.
“Ajo zonë e vendit tonë, ku jeta e zyrtarëve tonë policorë, pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve por edhe qytetarëve, është rrezikua nga grupe kriminale e terroriste të dirigjuara nga Serbia, po i kthehet çdo ditë e më shumë normalitetit të munguar prej një çerekshekulli. Këtë muaj bëhen një vit prej sulmit terrorist në Banjskë, ku në pritën e organizuar nga një grup terrorist, me minë kundër këmbësorisë u vra rreshteri Afrim Bunjaku”.
“Ky sulm terrorist shfaqi aspiratat e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit tonë dhe parandaloi realizimin e skenarit të saj për aneksimin e veriut të vendit. Drejtësia për Afrim Bunjakun dhe llogaridhënia e Serbisë për organizimin e këtij sulmi janë të domosdoshme”, tha tutje Sveçla.
Më tej, i pari i MPB-së shprehu mirënjohje edhe për partnerët e Kosovës, që sipas tij, në këto 25 vite kanë kontribuar në forma të ndryshme që Policia e Kosovës të jetë në nivelet më të larta të detyrës.
“Për fatin e mirë të vendit tonë, në historinë e saj, policia shënon plot 60 gjenerata me zyrtarë policorë, që shumë prej tyre nga të parat janë ende në shërbim, e më vjen keq që sot s’mund ta takojmë secilin individualisht që t’i shprehim mirënjohjen tonë për shërbimin e tyre”.
“Qofshi shembulli më i mirë i fëmijëve që ëndërrojnë uniformën tuaj dhe së bashku qofshim shtylla e fortë për të ardhmen e tyre të sigurt dhe prosperuese”, tha ai.
Sot për herë të parë në historinë e Policisë së Kosovës është intonuar edhe himni zyrtar i tyre.