Sveçla paralajmëron sulme terroriste nga bandat e Serbisë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar fotografi të detonatorëve që u gjetën në afërsi të fshatit Gnjezhdan të Leposaviqit.

Ai deklaroi se Serbia, përmes bandave kriminale, vazhdon të planifikojë dhe ndërmarrë sulme terroriste në Kosovë.

“Serbia përmes bandave kriminale e terroriste vazhdon ende të planifikojë e ndërmarrë sulme terroriste në Republikën e Kosovës. Dje Policia e Kosovës së bashku me KFOR-in kanë gjetur dhjetë detonator ndezës me fitila (kabllo) në afërsi të fshatit Gnjezhdan, në Leposaviq”, tha ai.

Sveçla shtoi se Policia në veri po punon për të shmangur dhe minimizuar sulme të rënda.

“Shtrirja e Policisë së Kosovës dhe prania e institucioneve tona të sigurisë ka bërë të mundur që të tilla mjete, që do të përktheheshin në sulme të rrezikshme terroriste, të kapen dhe të shmangen apo minimizohen rastet e sulmeve të rënda që synojnë shkaktimin e dëmit, krijimin e pasigurisë dhe frikësimin e qytetarëve. Por, nuk ka kthim mbrapa. Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë dhe mbi të gjitha Republika e Kosovës janë të vendosura në luftën përballë bandave të tilla kriminale, të cilave do t’i përgjigjen ashtu siç e meritojnë. Kushtetueshmëria, ligjshmëria, rendi dhe drejtësia do të ngadhnjejnë mbi çdo celulë terroriste, mafioze e kriminale”, përfundoi Sveçla.