Gazetari Valon Syla ka reaguar pas raportimeve se njësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) janë futur “gabimisht” në veri të vendit.
Në një postim në Facebook, Syla ka vënë në dyshim versionin zyrtar të ngjarjes, duke thënë se “nuk luhet me ushtri kështu”, teksa ka kritikuar mundësinë që veprimi të ketë qenë i motivuar politikisht.
“Nuk e di a kanë hy ‘gabimisht’ a kanë dashtë me bo filma për zgjedhje në Veri… por nuk luhet me ushtri kështu. Ushtarët nuk janë lodra zgjedhore.
A bash për zgjedhje gabuat, kur asnjëherë më parë nuk u raportua një gabim i tillë?”, ka shkruar Syla.
Reagimi i gazetarit vjen pas deklaratave të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila njoftoi se hyrja e disa pjesëtarëve të FSK-së në veri ishte rezultat i një “keqkuptimi operacional” dhe jo një veprim i planifikuar.
Ky zhvillim ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, sidomos në prag të formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen në disa komuna, që kanë shkuar në balotazh.