div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tag tag-albin-kurti tag-65 custom-background wp-custom-logo paged-2 tag-paged-2 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Kurti godet deputetët që iu larguan, jep paralajmërim për ata që synojnë të garojnë më 9 shkurt

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë që drejton ka folur edhe për mospajtimet që kanë qenë brenda Grupit Parlamentar të VV-së në Kuvendin e Kosovës për çështje të caktuara. Kurti në fjalën e tij ka thënë se këto mospajtime kanë qenë të koncentruara më shumë tek disa, shkruan Gazeta Express.

Në fjalën e tij Kurti duket hapur që iu referohet dy deputetëve të larguar nga partia, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica, ndonëse nuk i përmend me emra.

Kurti ka paralajmëruar kandidatët që do të synojnë të futen në listën për deputetë të VV-së që ta lexojnë situatën mirë dhe të vetëdijesohen për përgjegjësinë që e kërkojnë.

“Ia kemi borxh qytetarëve që ta pranojmë atëherë kur bashkëpunimi s’ka funksionuar dhe idetë s’na kanë bashkuar. Shpresoj që kandidatët dhe deputetë e ardhshëm ta lexojnë situatën mirë dhe të vetëdijesohen për përgjegjësinë që e kërkojnë para se t’i futen garës. Besnikëria i takon qytetarëve, së dyti i takon edhe parimeve e kauzës politike të cilën e ndajmë me bashkëaktivistet politik me të cilët futemi në garë bashkërisht”, ka thënë Kurti, raporton Gazeta Express.

Tutje kreu i VV-së ka thënë se s’mund të marrësh vota për të realizuar qëllim të përbashkët dhe më pas të degradosh në synim individual.

“Nuk mund të fitosh në një mënyrë derisa ta realizosh një qëllim të përbashkët, për ta degraduar atë në synim individual, duke braktisur mënyrën me të cilën je futur në garë”, ka thënë Kurti.

“Transformime të tilla duhet të kritikohen dhe problematizohen në organizatën tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti kushtëzon rikthimin në dialog, ja çfarë duhet të bëj serbia

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se kritikat ndërkombëtare për mënyrën e trajtimit të pakicës serbe nga qeveria e tij ishin të tepërta, një koment që ka të ngjarë të shqetësojë mbështetësit perëndimorë që kanë bërë thirrje për përmbajtje, shkruan “Bloomberg”.

Lëvizjet e Prishtinës për të mbyllur institucionet e mbështetura nga Serbia dhe për të ndaluar përdorimin e dinarit serb kanë nxitur paralajmërime nga ShBA dhe Bashkimi Evropian se veprimet mund të përbëjnë një kërcënim për paqen e brishtë në Ballkan.

“Ata janë shumë të shqetësuar”, tha Kurti për “Bloomberg” në një intervistë në Varshavë të mërkurën, por e cila u publikua sot (e premte). “Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më e mirë se kurrë më parë”.

Kurti mbrojti veprimet e tij si të nevojshme për të rivendosur ligjin dhe rendin në veriun e ndarë prej kohësh. Ai gjithashtu këmbënguli se hapat janë të nevojshëm drejt vendosjes së kontrollit mbi zonat me shumicë serbe dhe integrimit të plotë të tyre në sistemet ligjore dhe financiare të Kosovës.

“Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, tha ai.

Presidenti serb Alleksandar Vuçiq ka akuzuar vazhdimisht Kurtin se po i bën presion komunitetit serb “tashmë në pakësim” për t’u larguar nga Kosova. Ai kërkoi gjithashtu zbatimin e një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja sipas së cilës komunitetit serb i lejohet njëfarë autonomie.

Muajin e kaluar, Vuçiqi i kërkoi qeverisë në Prishtinë që të mbajë zgjedhje lokale në komunat veriore. Ideja e tij nuk pranohet nga Kurti. Votimi në komunat veriore do të bëhet vetëm gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në vjeshtën e vitit të ardhshëm, tha ai.

“Vuçiqi dështoi, dhe tani ai dëshiron që ne të paguajmë për dështimin e tij”, tha Kurti, duke shtuar se koha kur presidenti serb ka ndikim në punët e brendshme të Kosovës “ka kaluar prej kohësh”.

Sipas një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga BE-ja në 2013, serbët ranë dakord të merrnin pjesë në qeveritë lokale dhe qendrore në Kosovë, por u larguan në vitin 2021 për shkak të diskriminimit të pretenduar dhe që atëherë kanë bojkotuar dy palë zgjedhje.

Për t’u kthyer në dialog, Kurti kërkoi nga Serbia dorëzimin e Millan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të vitit të kaluar pranë manastirit të Banjskës në veri. Ai i kërkoi gjithashtu BE-së të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve.

“Është dashur të ndodh dje”, ka thënë Kurti. “Unë besoj se është e mundur”.

Kurti në Poloni, flet për marrëdhëniet me Serbinë

Në ditën e tretë të qëndrimit në Poloni, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua me opinionbërës, personalitete të jetës publike dhe zyrtarë polakë: nga politika, media dhe rrethet e studiuesve. E pranishme e veçantë ishte edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme të Polonisë, zj. Henryka Mościcki-Dendys, që përcjellë më së afërmi Kosovën.

Në këtë bashkëbisedim, kryeministri i njohu pjesëmarrësit me rrugëtimin historik të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, etapat shtetndërtuese, sfidat e shumta me të cilat vendi është përballur përgjatë viteve të para dhe pas luftës, për të mbërritur deri tek aktualiteti dhe progresi ekonomik e demokratik që po njeh vendi.

Ai diskutoi dhe rreth marrëdhënieve me Serbinë, sulmin dhe aktin e tyre të agresionit të Banjskës, mosgatishmërinë e Serbisë për ecjen tutje në rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, eskalimet e kërcënimet e tyre të vazhdueshme në terren e mbështetja e kriminelëve e terroristëve si Millan Radoiçiq.

Gjatë diskutimit, u trajtuan edhe tema të tjera si prioritetet e presidencës polake të Këshillit të BE-së në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm, perspektiva e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt procesit të integrimit në BE, efektet në rajonin tonë e veçanërisht në Kosovë që derivojnë nga agresioni i pajustifikuar rus kundër Ukrainës dhe lidhjet e ngushta ndërmjet Rusisë dhe Serbisë.

Kurti: Rusia dhe Serbia, vende që orientohen nga ideologjia e përbashkët

Kryeministri Albin Kurti para studentëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se Kosova është njëra ndër shtetet e botës që iu është bashkuar sanksioneve të shteteve ndaj Rusisë pas luftës në Ukrainë.

Ai e ka përmendur edhe Serbinë e cila ende nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, dhe ka folur për bashkëpunimin e Serbisë me Rusinë dhe Kinën.

“Lufta në Ukrainë është luftë që ndodhi pas 100 viteve në Evropë. Por kjo nuk do të thotë nëse ne nuk jemi të përfshirë nuk jemi të afektuar. Ne jemi veçanërisht të cenueshëm nga agresioni rus, sepse Serbia mban lidhje të ngushta me Rusinë. Lidhjet nuk janë pothuajse historike apo fetare. Dy vende që janë thellësisht të orientuara nga ekonomia dhe ideologjia”.

“Rusia ka shumicën e aksioneve në kompanitë energjetike serbe dhe investimet ruse në Serbi u rritën 8 herë më shumë që nga pushtimi i Ukrainës. Por ndikimet dalin për tej energjisë, përfshijnë universitetet, mediat dhe sferën intelektuale”.

“Serbia është shteti i vetëm evropian i cili ka refuzuar të vendos sanksione ndaj Moskës për luftën në Ukrainë. Po ashtu nuk ka ngritur asnjë kundërshtim edhe për ndonjë luftë tjetër të Rusisë që ka nisur, përfshirë edhe luftën në Gjeorgji, dhe invazionin në Ukrainë të vitit 2014. Ky bashkëpunim po ashtu ka thirrur edhe prezencën e Kinës, e cila është partneri kryesor tregtar i Serbisë jashtë BE-së”, ka thënë Kurti.

Kurti nga New York’u sulmon mediat dhe opozitën: Regjimi i vjetër po i paguan me para të pista

Kryeministri Albin Kurti, i cili po qëndron në New York në javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka sulmuar opozitën dhe mediat prej atje.

LEXO EDHE:

Në fjalimin e tij në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, Kurti thotë se “regjimi i vjetër” ka humbur fuqinë e vet politike dhe shton se po frikësohen nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ai sulmon edhe mediat duke thënë se regjimi i vjetër ‘duke shpërndarë para tek media të caktuara online po krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. ’.

“Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim”, tha Kurti.

Më poshtë mund ta lexoni fjalimin e plotë të tij:

I nderuar kryeministër, Pedro Sanchez,

Të nderuar miq, shokë e kolegë,

Dhjetorin e kaluar shënuam 75 vjetorin e Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut ndërsa vitin e ardhshëm festojmë 80 vjetorin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Këmbëngulja në të drejtat e njeriut për dinjitet dhe paqe është e rëndësishme për shekullin tonë të 21-të, jo më pak se që ka qenë në shekullin 20-të.

Kam përshtypjen që pabarazia shoqërore, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë janë tri çështjet më të ndezura sot në botë. Autokratët nuk mund të zgjidhin asnjërën nga to. Në fakt, ata po i përkeqësojnë që të trija.

Vlerat tona socialiste e socialdemokrate – të rrënjosura në solidaritet, barazi dhe prosperitet – janë më relevante se kurrë.

Për tri vjet e gjysmë, kam pasur nderin që të shërbej si kryeministër i Republikës së Kosovës. Qeveria jonë ka pasur privilegjin dhe përgjegjësinë për kthimin e idealeve në program, projekte e veprim, të përpilimit të politikave për çrrënjosje të varfërisë, për efiçiencë dhe përballueshmëri të faturave të energjisë, rritje të mirëqenies së përgjithshme shoqërore, trefishim të subvencioneve për fermerë, edukim publik falas për të gjithë dhe një rritje prej 150% të listës së barnave esenciale. Në anën tjetër, nuk ka më grupe apo individë në Kosovë që mund të sfidojnë republikën tonë demokratike. Nuk kemi burime të brendshme destabilizuese apo që kërcënojnë sigurinë e që agjensitë tona të sigurisë nuk mund ta menaxhojnë apo kontrollojnë.

Regjimi i vjetër ka humbur fuqinë e vet politike, por jo edhe paratë e tyre të pista. Të frikësuar nga Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që është në proces të bërjes, ata synojnë të frikësojnë edhe të tjerët po ashtu, duke shpërndarë para tek media të caktuara online që krijojnë shumë lajme të rreme e dezinformata. Kështu, kur ne problematizojmë çështjen e lajmeve të rreme e dezinformatave, ndoshta është mirë të ndjekim edhe udhëzimin e vlefshëm amerikan ‘’me i ndjekë paratë’’, për shkak se këta që krijojnë lajme të rreme e dezinformata, nuk e bëjnë këtë në baza vullnetare. Dikush, diku, disi i paguan për këtë, dhe kjo përbën aktivitet kriminal e illegal të cilin ne, si shtete socialiste e socialdemokrate, duhet ta ndjekim.

Vendi im është një demokraci dhe një ekonomi në rritje. Si qeveri socialdemokrate, ne jemi veçanërisht të përkushtuar në fuqizimin e grave dhe të rinjve. Ne kemi prezantuar një sërë masash dhe kemi garantuar bursa, duke sjellë kështu përmirësim të theksuar në lidhjen e tregut të punës me edukimin profesional dhe rritjen e pavarësisë financiare.

Siç e dimë, shembuj të ndryshëm lokal e kombëtarë mund të inspirojnë njerëzit dhe qeveritë në një shkallë kontinetale e globale, sidoqoftë, kjo merr më shumë kohë sesa e kundërta, do të thotë ndikimi në nivel lokal e kombëtar nga krizat globale e kontinetale. Kjo e bën veprimin kolektiv përmes ‘’një pakti për të ardhmen’’ esencial dhe urgjent. Ne nuk mundemi e as nuk duhet të përpiqemi të ndryshojmë historinë dhe gjeografinë, por ne mund të mësojmë nga e kaluara e njëri-tjetrit dhe të ndajmë përvojat në të tashmen. Ne jemi ata që bëhemi, prandaj e ardhmja është tash.

Në vend se të fajësojmë emigrantët dhe pakicat, ne duhet të kritikojmë ideologjitë ekstreme, ato dogmatike dhe vendimet e vogla politike.

Për mua shokë, kjo do të thotë se socialistët dhe socialdemokratët duhet të fitojnë debatin mbi debatin, debatin që përgjithësisht mungon mbi debatet që duhet t’i kemi. Prandaj, krahas me debatin se në cilën luftë duhet të përfshihemi, ne duhet të kemi një luftë mbi vërtetësinë e debateve. Studentët, gratë, punëtorët dhe diaspora janë katër kategori shoqërore që besoj se duhet t’i prioritizojmë.

Në fund, më lejoni t’iu falenderoj për punën e madhe që bëni në vendet tuaja, regjionalisht e globalisht, dhe le të vëmë në zbatim sa më shumë solidaritet që është e mundur dhe le të fitojmë në mënyrën e vetme të mundshme: së bashku!

Kurti lajmërohet nga Amerika, e gjatë për të sot paska qenë dita!
Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur për takimet e shumta, që ai ka pasur sot gjatë ditës në New York, në dita e parë ë pjesëmarrjen e parë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

“E filluam duke u bërë nikoqir të Kryeministrit të Lihtenshtajnit, Daniel Risch, në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Neë York, në takimin e parë ndërmjet nesh. Principata e Lihtenshtajnit e ka mbështetur vazhdimisht republikën tonë në proceset integruese, për çka i jemi mirënjohës. Me vullnetin e dyanshëm për raporte dhe partneritet sa më të fortë bilateral, bashkë diskutuam se si mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë i Kurtit:

Dita e parë në New York në pjesëmarrjen e parë në Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

E filluam duke u bërë nikoqir të Kryeministrit të Lihtenshtajnit, Daniel Risch, në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në New York, në takimin e parë ndërmjet nesh. Principata e Lihtenshtajnit e ka mbështetur vazhdimisht republikën tonë në proceset integruese, për çka i jemi mirënjohës. Me vullnetin e dyanshëm për raporte dhe partneritet sa më të fortë bilateral, bashkë diskutuam se si mund të rrisim bashkëpunimin ekonomik dhe shkëmbimet tregtare.

Shtet tjetër mbështetës i yni, që e ka njohur pavarësinë tonë brenda më pak se një muaj prej shpalljes së saj, është Islanda. Sikurse me Lihtenshtajnin dhe me Islandën po zhvillojmë diskutimet për të arritur marrëveshje për tregti të mirë me shtetet e anëtare të EFTA-s. Falënderimin në emër të popullit tonë dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës që vlerat e përbashkëta t’i kthejmë në partneritet ekonomik dhe tregtar, përveç se të sigurisë, pata kënaqësinë që t’i ndajmë me Kryeministrin e këtij vendi, Bjarni Benedikstsson.

Në ndërtesën e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Neë York, u takuam gjithashtu me Drejtoren Menaxhuese të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva. Diskutuam për performacën ekonomike të vendit gjatë qeverisjes sonë, për zbatimin e programeve që kemi me FMN-në dhe për bashkëpunimin në përmbushjen e agjendës së reformave ekonomike, realizimin e investimeve në infrastrukturë dhe energji, përmirësimin e klimës së investimeve dhe avancimin e mjedisit për të bërë biznes. Ajo na uroi për rezultatet dhe suksesin e arritur në qëndrueshmërinë fiskale dhe menaxhimin e borxhit publik, për çka theksoi se Kosova jonë mund të shërbejë si shembull dhe për vendet tjera.

Ndërkaq ndërmjet takimeve bilaterale, në cilësinë e Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, mora pjesë në Presidiumin vjetor të Internacionales Socialiste, që kryesohej nga Presidenti i saj, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez. Aty theksova se përballë sfidave kryesore të kohës sonë, vlerat socialdemokrate, të rrënjosura në solidaritet, barazi dhe prosperitet të përbashkët janë më relevante se asnjëherë më parë.

Takimet vazhdojnë.

Kurti deklarohet për Asociacionin, ja çfarë thotë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Financial Times ka folur për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, për të cilën është pajtuar në marrëveshjen e fundit Ohër-Bruksel dhe ka një presion të madh nga faktori ndërkombëtar për ta themeluar.

Asociacioi po kërkohet me ngulm edhe nga Beogradi zyrtar.

Por, kryeministri Kurti ka thënë se s’mund të ketë një super minoritet serb në Kosovë ashtu siç dëshiron Beogradi.

“Unë nuk dua që askush të jetë i privilegjuar, gjithashtu s’dua që askush të jetë i diskriminuar. S’mund të ketë super-minoritet siç dëshiron Beogradi”, ka thënë Kurti për Financial Times.

Kurti: Serbia është përgjegjëse për vrasjen e Afrim Bunjakut, për këtë kërkojmë ndihmën e ndërkombëtarëve

Kryeministri Albin Kurti bashkë me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, si dhe një pjesë të kabinetit të tij qeveritar, kanë bërë sot homazhe pranë varrit të heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku në njëvjetorin e rënies së tij.

Ai tha se heroi Afrim Bunjaku lartësoi shtetin e Kosovës edhe për popullin e Kosovës, por edhe opinionin publik ndërkombëtar, raporton Gazeta Express.

“Rënia e Afrim Bunjakut është dëshmi që Kosova edhe i del zot vetes edhe ngadhënjen në çdo betejë. Sot që po flasim, Kosova nuk ka burime të brendshme që e cenojnë sigurinë apo stabilitetin e të cilat ne nuk arrijmë t’i kontrollojmë apo menaxhojmë. Anembanë Kosovës, në çdo cep është shteti i Kosovës, shteti i Republikës demokratike dhe të pavarur të Kosovës, të cilës i shërbejmë me nder dhe përkushtim. Numri i policëve me kadetë të rinj po rritet, morali i policisë sonë edhe ushtrisë tonë kurrë s’ka qenë më i lartë, andaj kjo sakrificë, ky flijim i rreshterit të policisë, të heroit Afrim Bunjaku ia ka vlejtur fort për Policinë, për shtetin dhe për gjeneratat e ardhshme”.

Ai tha se me rënien e tij nuk ranë policë të tjerë, ndërsa për kolegët e Afrim Bunjakut që ishin me të kur u sulmuan, tha se nuk lejuan që trupi i tij të bie në dorën e grupit terrorist.

“Duke rënë Afrim Bunjaku nuk kanë rënë shumë policë të tjerë dhe ata policë që ishin në betejë bashkë me të nuk lejuan që trupi i pajetë i heroit tonë të bie në duart e forcave armike e forcat që ishin të financuara dhe të dirigjuara nga Serbia me paramilitarë që kishin shumë më tepër armatim sesa Afrim Bunjaku me shokë ikën me turp, i lanë të vrarët dhe të plagosurit e tyre dhe sot fshihen nëpër Serbi sepse e dinë që e kanë humbur betejën njëherë e përgjithmonë me shtetin tonë dhe me popullin tonë liridashës”.

Kurti tha se për vrasjen e rreshterit Afrim Bunjaku përgjegjëse është Serbia dhe se ajo duhet të japë përgjegjësinë. Këtu ai kërkoi ndihmën e ndërkombëtarëve.

“Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. E në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë. Idealet e dëshmorëve për neve do t’i jetësojmë e po i jetësojmë, ndërkaq kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë e po e përjetësojmë. Sot në Banjskë të Zveçanit është vendosur tabela në të cilën shkruan rruga “Afrim Bunjaku”. Kjo është rruga e të gjithë neve”.

Kurti: Kurrë s’e harrojmë sakrificën e heroit Bunjaku, humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin e integritetin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në njëvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit ka rikujtuar heroin Afrim Bunjaku, raporton Gazeta Sinjali.

Kurti tha se rreshteri Bunjaku humbi jetën duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.

“Në mbledhjen e 221-të të Qeverisë, ndër vendimet tona kryesore ishte emërtimi i Rrugës Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”. Në njëvjetorin e sulmit terrorist dhe paramilitar kundër vendit tonë në Banjskë të Zveçanit, nderojmë e kurrë nuk harrojmë sakrificën e heroit, rreshterit Afrim Bunjaku” – ka shkruar ndër të tjera Kurti.

Qeveria e Kosovës mban mbledhje elektronike në orët e vona, merr këto vendime

Qeveria e Republikës së Kosovës sot ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka:

Ndryshuar dhe plotësuar Vendimin e Qeverisë Nr. 06/56 të datës 26 janar 2022, i ndryshuar dhe plotësuar me vendimin e Qeverisë Nr.02/184 të datës 15 janar 2024. Sipas këtij plotësim-ndryshimi z. Gëzim Paci bëhet kryesues i Bordit të Postës së Kosovës.

Emëruar Genc Metaj në pozitën e Drejtorit Ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave.

Emëruar Komisionit ad hoc për Vlerësimin Profesional për Pranim për Pozitën e Lartë të Kategorisë Drejtuese: Drejtor i Përgjithshëm në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.

Emërtuar Rrugën Rajonale R-217 segmenti: Ballaban – Banjskë, me emrin e Heroit të Republikës së Kosovës “Afrim Bunjaku”.

Ndarë 219,000.00€ për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris dhe promovimin e teknologjisë së informacionit me qëllim të tërheqjes së investimeve në kuadër të kësaj fushe, përmes organizatave lidere gjatë javës së TIK/ICT.

Aprovuar Rregulloren për Vlerësimin e Rezultateve në Punë.

Aprovuar Rregulloren për Procedurat e Konkurrimit për Nëpunësit Teknik dhe Mbështetës.

Aprovuar Rregulloren për Pezullimin nga Marrëdhënia e Punës.

Aprovuar Rregulloren për Përfundimin e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil.