div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged tag tag-albin-kurti tag-65 custom-background wp-custom-logo paged-6 tag-paged-6 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
SHBA i reagon ashpër Qeverisë pas aksionit në veri: S’po i mbani premtimet për koordinim

Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Veri të vendit që ka rezultuar me mbylljen e institucioneve paralele që kanë vazhduar të funksionojnë në katër komunat veriore.

Në reagim thuhet se SHBA përsërit shqetësimin dhe zhgënjimin me “veprimet e vazhdueshme të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës që vazhdojnë të kenë një efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve të tjera pakicë në Kosovë”.

Ambasada potencon se ky aksion i sotëm s’ka qenë i koordinuar me asnjë element të bashkësisë ndërkombëtare dhe thekson se çështjet që lidhe me strukturat e përkrahur nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut në Bruksel.

Ambasada e SHBA-së thotë se veprimi i sotëm në Veri të vendit e rrit përkeqësimin e partneritetit në mes të Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së.

“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton një përkeqësim real dhe në rritje të partneritetit tonë. Siç e kemi theksuar më parë, veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”, thuhet në reagim.

Ambasada e SHBA-së ka potencuar përkrahjen që ia ka dhënë Policisë së Kosovës prej vitesh dhe potencojnë se instrumentalizimi i vazhdueshëm i saj nga ana e Qeverisë për të kryer veprime të pa koordinuara s’është në përputhje me premtimin për vazhdim të konsultimeve dhe koordinim me komunitetin ndërkombëtar.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj”, thuhet në reagim.

Kurti u kërkon ndërkombëtarëve t’i bëjnë trysni Beogradit, për hapje të arkivave

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar 1595 personat që vazhdojnë të mbesin të zhdukur, nga lufta e fundit në Kosovë.

Pasi bëri homazhe te lapidari që përkujton ata, Kurti u shpreh se në këtë betejë kemi përballë një shtet gjenocidal që e mohon të kaluarën.

Tutje, kryeministri u bëri thirrje ndërkombëtarëve t’i bëjnë presion Serbisë në hapje të arkivave, pasi sipas tij, në to gjendet e vërteta.

“Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ju bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar së fundmi me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimet në Kozhle në Sanxhak, midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, dhe arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet, dhe të zbardhen shumë informacione” shkroi Kurti.

Ky është postimi i plotë i tij:

1595 persona janë ende të zhdukur. Ankthi i familjeve është i madh, pikëllimi i thellë, mirëpo qëndrueshmëria e tyre është e lartë dhe ne u kemi borxh, që me gjithë dijen dhe mundësitë e aftësitë tona, të bëjmë gjithçka që të zbardhet fati i të pagjeturve dhe të gjendet vendndodhja e tyre.

Në këtë betejë, përballë e kemi një shtet gjenocidal, që e mohon të kaluarën. Por ne nuk do të heshtim, e as nuk do të ndalemi së thëni të vërtetën.

Në muajt e fundit të vitit 2000 dhe përgjatë vitit 2001, në varrezat masive në Batajnicë, Petrovo Selo edhe Peruqac, janë nxjerrur 900 shqiptarë, pleq, gra e fëmijë. 744 në Batajnicë, 84 në Petrovo Selo dhe 72 në Peruqac. Pastaj, nuk ka pasur zhvarrime të tjera, sepse nuk ka pasur gërmime dhe, në periudhën nga viti 2010 deri në 2021, në dy varreza të tjera masive janë nxjerrur edhe 61 shqiptarë të tjerë: 54 në Rudnicë edhe 7 në Kizhevak. Pra pjesa dërmuese, afër 94 përqind të zhvarrosurve, janë në muajt e parë pas rrëzimit të regjimit të Millosheviqit dhe më pastaj nuk ka pasur vullnet në Serbi për gërmime të mëtutjeshme.

Sivjet janë bërë edhe 20 vjet prej se në krye të Komisionit për Persona të Zhdukur në Serbi, ndodhet Velko Odalloviq, i cili ka qenë njeriu kryesor i Millosheviqit gjatë luftës në Kosovë. Në fakt, Velko Odalloviq dhe Zoran Angjellkoviq kanë qenë dy personat kryesorë. Ndërkohë që sot do të duhej të ishin në bankën e të pandehurve, të ketë gjykim të drejtë për ta dhe ndëshkim të merituar, ata janë persona të privilegjuar të regjimit të Vuçiqit, ku Odalloviq udhëheq Komisionin për persona të zhdukur në Serbi, që nga viti 2004, ndërsa Angjellkoviq mban poashtu poste të larta, si ushtrues detyre i Drejtorit të Postës së Serbisë.

Në këtë periudhë kohore, më saktësisht në verën e vitit 2014, pra para 10 vjetëve, arkiva e Brigadës 37 të motorizuar të ushtrisë jugosllave është klasifikuar me vendim në Serbi për 30 vjet. Pra ajo nuk do të hapet deri në vitin 2044. Në ato arkiva, ndodhet e vërteta. Kjo është dhe arsyeja pse nuk janë të qasshme. Sepse kjo brigadë ka kryer një numër të madh të masakrave në Kosovë, sidomos në rajonin e Drenicës.

Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, ju bëjmë thirrje edhe njëherë faktorëve ndërkombëtarë që ashtu siç na kanë ndihmuar së fundmi me trysni mbi Serbinë që të fillojë gërmimet në Kozhle në Sanxhak, midis Tutinit dhe Novi Pazarit, të bëjnë trysni mbi Beogradin që të ndërrohet vendimi, dhe arkiva e Brigadës së motorizuar 37 të ushtrisë jugosllave të hapet, dhe të zbardhen shumë informacione.

Do të vijojmë të qëndrojmë pranë familjarëve, që ta lehtësojmë sadopak dhimbjen e tyre.

Kastrati: Kurti ka izoluar thellë Kosovën duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të vendit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka akuzuar Qeverinë Kurti për izolim diplomatik dhe vendosje të Kosovës në një pozitë strategjike të pafavorshme.

Përmes një postimi në Facebook, Kastrati ka reaguar edhe ndaj marrëveshjes së Serbisë dhe Francës, ku përveç tjerash parashihet blerja e 12 aeroplanëve luftarak RAFALE në vlerë 2.8 miliardë euro.

Po ashtu ai shtoi se ndërsa Serbia po konsolidon agjendën e saj rajonale dhe ndërkombëtare, Kosova është në gjumë në rrafshin ndërkombëtar për shkak të mungesës së kapitalit diplomatik.

“Ku janë Kurti, Osmani e Gërvalla si bartës të politikave të jashtme këto ditë? Përderisa Kosova flen në rrafshin ndërkombëtar , sepse nuk posedon kapital diplomatik, Serbia po e shfrytëzon këtë vakum diplomatik të Kosovës për të konsoliduar agjendën e saj rajonale e ndërkombëtare përmes aktorëve të rëndësishëm ndërkombëtar.  Përderisa Albin Kurti vazhdon ta ekspozoj vendin ndaj rreziqeve komplekse e shumëdrejtimëshe, kriza diplomatike e Kosovës nuk është thjeshtë vetëm izolim ndërkombëtar.  Ky izolim paraqet edhe kërcënim ekzistencial për sigurinë dhe stabilitetin e saj afatgjatë”, ka shkruar ai në Facebook.

Kurti ka prodhuar një polarizim të paparë shoqëror dhe ka izoluar thellë Kosovën, duke e rrezikuar seriozisht stabilitetin dhe sigurinë afatgjatë të vendit,” tha Kastrati, duke shtuar se ky izolim paraqet një kërcënim ekzistencial për vendin.

Në fund ai deputeti i PDK-së bëri thirrje që të largohet Kurti nga qeveria.

Syla kritikon Qeverinë: Macroni nënshkroi me Serbinë 12 avionë ushtarak, juve iu fajësoi për situatën në veri

Gazetari Valon Syla ka reaguar pas zhvillimeve gjatë vizitës së presidentit francez, Emmanuel Macron në Serbi.

Ai ka cituar Macronin i cili fajësoi Qeverinë e Kosovës për gjendjen në veri, derisa u nënshkrua marrëveshja për shitjen e 12 avionëve luftarakë.

“CIA ju rrehi shuplaka. Evropa, Gjermania e Bideni sankcione. Macroni ja u rrasi. Tha fajin e kanë Qeveria e Kosovës për gjendjen në Veri, edhe ja nënshkrujti 12 aeroplana ushtarak Vucicit.” – ka thënë ai.

Tutje, Syla ka pyetur:

“Ku i keni tabllat e kerrit qitash, urat, kupaće diplomacinë e Ujmanit, benzinska pumpa diplomacinë edhe shkaterrimin e billbordave.

Po ku jeni o populli i Albin Kurtit. A po muj e bani hiq?

A doni me thirrë KFOR’in me ja shkymë zjermin maleve, kur ju vjen voja, kështu se spe ngoni?”

Haziri: Qeveria Kurti do të mbahet mend për depresion të madh politik dhe ekonomik , 350 eurot barazi në varfëri
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike tëë Kosovës, Lutfi Haziri vendimin e Qeverisë për pagën minimale 350 euro e ka quajtur barazi në varfëri.

Sipas Hazirit, punëtori në Kosovë nga kjo qeveri vlerësohet nga 2 euro për orë pune dhe në pamundësi për t’i realizuar premtimet, qeveria po shkakton vetëm barazi në varfëri.

Haziri thotë se Qeveria Kurti do të mbahet mend për depresion të madh politik dhe ekonomik.

“Nga një shpresë e pritur, është kthyer në një dëshpërim të madh, me masa ndëshkuese dhe me një izolim të përditshëm”, tha Haziri në një përgjigje për Gazetën Express.

“Kurti kishte premtuar që do t’i tatimojë të pasurit e do t’u shpërndajë fonde të varfërve dhe kjo nuk ka ndodhur në asnjë mënyrë. Përveç që ka premtuar që të vendos një barazi duke e rritur edhe pritjen, por edhe shpresën jo vetëm për një rrogë minimale por me një mesatare krejt ndryshe, i ka ikur tatimit të grupeve të tjera që mund të trajtohen me të ardhura më të mëdha”, tha Haziri.

Gjatë katër viteve të qeverisjes, Haziri thotë se çdo vendim i marrë ka pasur qëllim zgjedhor.

“Veprimet e fundit të kësaj qeverie janë kulmi i të gjitha veprimeve që ka ndërmarrë për impaktin zgjedhor, sepse jo vetëm nga partnerët ndërkombëtarë, por edhe në Kosovë nga të gjithë ne e kemi parë që është një qeveri e cila nuk e vlerëson impaktin e vendimeve, në asnjë mënyrë tjetër pos të impaktit zgjedhor. Edhe këta muaj, natyrisht që do të ketë vendime me efekte zgjedhore dhe asgjë tjetër”, deklaroi Haziri.

Bekë Berisha ‘shkon përtej imagjinatës’, thotë se Albini, Vjosa dhe Lumiri kanë të përbashkët anti-UÇK-izmin

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, ka thënë se e përbashkëta e presidentes së vendit, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti, është anti-UÇK-izmi.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Berisha ka thënë se i njëjtë me ta është edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili sipas tij, pretendon pushtet me kartën e njëjtë.

E perbashkëta e Albinit dhe Vjosës është anti UÇK-izmi, ky është edhe suksesi i tyre . I njejtë me këta të dy është edhe Lumiri. Pretendon pushtet me kartën e njejtë”, shkroi ai.

Më tej deputeti i AAK-së ka thënë se nëse Osmani, Kurti e Abdixhiku nuk bëhen bashkë, do ta përçajnë elementin jugosllav në Kosovë.

Të 3 nese nuk behen bashk, ka me u bo e zezdita , kan me perqa elementin jugosllav në Kosovë”, shkroi Berisha.

Haradinaj – Kurtit: Mos mashtro, ASK të ka tregu që mbi 211 mijë qytetarë e kanë braktisë Kosovën

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti se po mashtron me shifrat për zhvillim ekonomik dhe punësim, referuar deklaratës së Kryeministrit Albin Kurti i cili tha sot ka pasur  rritje të buxhetit të shtetit dhe tha se kjo është përkthyer në punësim të shtuar.

Haradinaj ka pyetur Kryeministrin Albin Kurti se meqë ka rritje të buxhetit për 35 përqind, pse s’po i rrit pagat e pensionet për 25 përqind. Sipas tij, një rritje e tillë mund të bëhet pa asnjë problem qysh sot.

Ai i ka përmendur Kurtit edhe shifrat e emigrimit gjatë mandatit qeverisës.

“Agjencioni i Statistikave që është pjesë e zyrës së Kryeminstrit të ka tregu që 211, 749 qytetarë e kanë braktisë Kosovën për 4 vite sa ti ke qeverisë. Nëse flet me të rinj, shumë prej tyre janë duke aplikuar dhe duke u përpjekur që të ikin dikah. Nuk ke asnjë ide asnjë koncept me ndihmu vendin përveç populizmit, fjalëve të bukura dhe veprimeve boshe. Mos abuzo me statistika e mos mashtro. Kërkah s’është drejtimi që i ke dhënë Kosovës. Me trendet që i ke nuk besoj që të duhet fitorja në zgjedhje. Nuk përfiton Kosova e jam i sigurt që as ti, sepse “zullumi këputet për së trashi” thotë populli”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Kryeministri Albin Kurti ka thënë sot se ka pasë rritje të bruto produktit vendor e buxhetit të shtetit dhe tha se kjo është përkthyer në punësim të shtuar.

Sipas Kurtit, krahasuar me vitin 2021 punësimi në Kosovë është rritur me 20%, raporton Gazeta Express.

“Krahasuar me vitin 2021, tash që po flasim më 2024, bruto produkti vendor është për 1/3 më i lartë, ndërkaq buxheti shtetëror vjetor është për 35% më i lartë. Sigurisht që kjo është përkthyer edhe në punësim të shtuar. Krahasuar me para tri viteve, punësimi në Kosovë është rritur me 20%, përfshirë këtu dyfishimin e të rinjve të punësuar e padyshim që kjo ka ndikuar edhe në rritjen e fitimit dhe zgjerimin e aktivitetit të sektorit privat”.

Këto deklarata Kurti i bëri në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me përfituesit nga Programi për Zhvillim Rajonal të Balancuar.

Ai aty është zotuar se do të mbështesë sektorin privat të cilin e ka cilësuar si faktor të rëndësishëm të punësimit dhe rritjes ekonomike. Po ashtu, Kurti ka thënë se mbështetja e bizneseve ka qenë e vazhdueshme dhe e lartë.