Tahiri: Osmani u bind se do të mbështetet nga VV-ja për mandatin e dytë për presidente

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar pas konferencës së presidentes Vjosa Osmani, e cila njoftoi se ka mandatuar Glauk Konjufcën për formimin e qeverisë së re.

Tahiri tha se Osmani “mbështeti dy mandatarë të qeverisë nga VV pa qenë e bindur se e kanë shumicën e votave në parlament, mirëpo ajo u bind se do të mbështetet nga VV për mandatin e dytë të saj si kandidate për presidente.”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka mandatuar Glauk Konjufcën për të tentuar formimin e qeverisë, pas propozimit të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ndërsa, lidhur me atë se a ka marrë ndonjë garanci nga Lëvizja Vetëvendosje se i kanë numrat për formimin e qeverisë, Osmani tha se askund në Kushtetutë nuk kërkohet garancë, por kërkohen gjasa.

“Askund në kushtetutë nuk kërkohen garanci, kërkohen gjasa dhe ka dallim shumë të madh mes garancisë dhe gjasave. Garancia jepet në Kuvend prandaj edhe kërkohen votat aty, ndërsa gajsat ofrohen në zyrën time. Sikur të ishin dy ose më shumë kandidatë, atëherë detyrimi im është për të parë kush I ka nga ata gjasat më të mëdha”, tha ai.